Ambasadori britanik takon studentët kosovarë pas studimeve në Mbretërinë e Bashkuar

Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves, ka pritur së fundmi një grup të rinjsh nga Kosova, të cilët janë kthyer pas përfundimit të studimeve në Britani të Madhe, përcjell albinfo.ch.

Përmes një postimi në Facebook, Hargreaves u shpreh i emocionuar për kontributin e studentëve në shoqëri:

“Studiuesit tanë më të fundit të bursës Chevening erdhën për një çaj pasditeje në Rezidencën time. Studimet në Britani i kanë kthyer ata në Kosovë me aftësi dhe njohuri unike në fusha të ndryshme si inteligjenca artificiale, industria e filmit, terapia e të folurit dhe ekonomia e mirëqenies. Jam i emocionuar të ndjek kontributin e tyre në shoqëri, ndërsa i bashkohen komunitetit tonë të mrekullueshëm të alumnëve Chevening.”

Takimi nënvizon rëndësinë e bursave dhe shkëmbimeve akademike për zhvillimin profesional të të rinjve dhe për avancimin e shoqërisë kosovare./Albinfo.ch 

Presidentja Osmani: Pesë vitet e fundit, një rrugëtim i përbashkët me qytetarët

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, sot ka ndarë një mesazh falënderimi me qytetarët përmes një videoje të publikuar në rrjetet sociale, duke theksuar se pesë vitet e saj në krye të shtetit nuk kanë qenë historia e një individi, por një rrugëtim i përbashkët me qytetarët dhe kontribues nga fusha të ndryshme të shoqërisë, përcjell albinfo.ch.

“Këto pesë vite nuk kanë qenë historia e një njeriu të vetëm. Kanë qenë rrugëtimi ynë i përbashkët. Me njerëz nga çdo fushë, që besuan në Kosovën. Që punuan, kontribuuan dhe shtynë përpara ide e mundësi për qytetarët tanë. Faleminderit që qëndruat me ne e për Kosovën tonë të përjetshme,” tha Osmani, duke përfunduar mesazhin me flamurin e Kosovës.

Ky postim shënon përmbylljen e mandatit të saj, ndërsa në orën 16:00, detyrën e presidentit e merr kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, përmes një dorëzimi ceremonial të detyrës./Albinfo.ch

Këto janë pesë kushtet e Iranit për t’i dhënë fund luftës

Teherani nënvizon nevojën për një paqe të qëndrueshme, jo vetëm armëpushim, dhe kërkon heqjen e sanksioneve dhe dëmshpërblim për dëmet e luftës, përcjell albinfo.ch.

Si një nga kushtet për përfundimin e konfliktit me Shtetet e Bashkuara dhe Izraelin, Irani ka kërkuar respektimin e të drejtës së tij për përdorim paqësor të energjisë bërthamore, sipas një burimi diplomatik të Republikës Islamike, raporton agjencia shtetërore ruse RIA Novosti.

Burimi theksoi se Irani kërkon një paqe të qëndrueshme në rajon, e cila përfshin:

• Dënimin e agresorit,

• Dëmshpërblim për pasojat materiale të luftës,

• Heqjen e të gjitha sanksioneve,

• Respektimin e të drejtës për përdorim civil të energjisë bërthamore.

Sipas burimit, nuk ka pasur bisedime direkte mes Teheranit dhe Washingtonit që nga fillimi i konfliktit, megjithëse SHBA thuhet se ka shprehur interes për dialog përmes ndërmjetësve. Në fund të marsit, presidenti amerikan Donald Trump pretendoi se bisedimet kishin filluar, por Ministria e Jashtme e Iranit e mohoi këtë dhe konfirmoi vetëm marrjen e mesazheve përmes kanaleve joformale.

Ndërkohë, SHBA-ja po shton prani ushtarake në Lindjen e Mesme, dhe Trump ka kërcënuar me sulme të forta brenda dy deri në tre javëve, ndërsa sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth, nuk përjashton mundësinë e një operacioni tokësor./Albinfo.ch

Tragjedi në Bolonjë: Vdes 12-vjeçari shqiptar pas rënies nga kati i 8-të

Incidenti ndodhi rreth orës 19:00 në Via Piave, kur sipas raportimeve paraprake, xhami mbi të cilin po ecte i mituri nuk mbajti peshën e tij dhe u thye, duke shkaktuar rënien fatale në shkallë, transmeton albinfo.ch.

Përpjekjet e shokëve që ndodheshin me të për ta ndihmuar rezultuan të pasuksesshme, pasi djali humbi jetën menjëherë në vendngjarje.

Ekipet e urgjencës mjekësore dhe forcat e policisë mbërritën menjëherë dhe nisën hetimet për të zbardhur rrethanat e ngjarjes. Hetimet mjeko-ligjore po fokusohen në oborrin e ndërtesës, ku përfshihen disa shkallë, si dhe në zonën ku ndodhi rënia tragjike./Albinfo.ch

Një ditë pranvere në Lumin e Shalës

Kur pranvera përqafon Alpet Shqiptare, Lumin e Shalës mbush një jetë të re. Ngjyrat e gjelbra të maleve shtrihen përgjatë bregut, ndërsa freskia e ujërave kristaltë përçon një qetësi të veçantë tek çdo vizitor. Ky destinacion, i quajtur nga mediat ndërkombëtare “Tajlanda e Evropës”, mahnit çdo vizitor me peizazhet e egra dhe atmosferën ekzotike që krijon, duke i bërë të ndihen sikur janë larg Evropës.

Lumi i Shalës buron në Parkun Kombëtar të Thethit dhe vazhdon nëpër Luginën e Shalës, duke mbledhur ujerat e të gjitha burimeve që dalin nga fshatrat e lugines së Shalës dhe Shoshit. I izoluar nga majat e larta, rrjedha e vrullshme e ujit të kaltër të Shalës ofron për turistët një panoramë të magjishme, ndërthurur me pyje të dendura dhe male që ngrihen drejt qiellit. Ky peizazh i paprekur, megjithëse ka filluar të përfshihet në guidat e agjencive turistike, ruan akoma ndjesinë e një bote të largët dhe të gjallë.

Lumi i Shalës

Për adhuruesit e aventurës, lumi ofron mundësi të shumta: eksplorim me varkë, ngjitje në majat përreth me pamje spektakolare dhe zhytje në ujin e freskët të lumit. Për ata që kërkojnë qetësi dhe relaks, bregu i tij i kristaltë dhe plazhet e vogla pranë lumit ofrojnë oaza të paqtë, ku mund të shijoni pranverën larg turmave.

Një fakt të veçantë e bën këtë vend sepse zona është krejtësisht e izoluar, pa linjë telefoni apo energjie elektrike, duke i dhënë vizitorit një mundësi unike për të shijuar natyrën në maksimum. Çdo moment, çdo peizazh dhe çdo reflektim i ujit kristal bëhet një kujtim i pakthyeshëm, i kapur vetëm nga aparatet fotografike ose telefonat e vizitorëve.

Historikisht, lumi ka marrë emrin “Shalë” vetëm kur kalon në Njësinë Administrative Shosh. Banorët e zonës e njihnin dikur me emrin “Guri i Lekës”, një lidhje me legjendën dhe historinë e Lekë Dukagjinit, simbol i krahinës së Dukagjinit. Ky detaj i jep një dimension të veçantë çdo vizite, duke lidhur natyrën me kulturën dhe historinë e Shqipërisë.

 

Lumi i Shalës
Lumi i Shalës

Gërshetimi i ujit, plazheve dhe majave të thepisura të maleve krijon një peizazh që rrallë ndeshet. Lumi i Shalës mbetet ende një perlë e fshehur e Alpeve Shqiptare, larg destinacioneve të njohura, por po kthehet me shpejtësi në një simbol të ri të turizmit shqiptar. Një ditë pranvere në këtë vend nuk është thjesht një udhëtim, por një përjetim i plotë i bukurisë së natyrës, qetësisë dhe aventurës, një shans për të rilidhur me natyrën e pastër dhe historinë e pasur të Shqipërisë./Albinfo.ch 

Qeveria e Kosovës miraton marrëveshjen për bashkëpunim ushtarak dhe financiar me Turqinë

Qeveria e Kosovës ka miratuar në mbledhjen e saj të radhës nismën për lidhjen e Marrëveshjes së Bashkëpunimit Financiar dhe Ushtarak ndërmjet Kosovës dhe Turqisë, përcjell albinfo.ch.

Kjo nismë do të realizohet në bashkëpunim ndërmjet Ministrisë së Mbrojtjes së Kosovës dhe Ministrisë së Mbrojtjes së Republikës së Turqisë, me synim thellimin e marrëdhënieve dhe koordinimit në sektorin e sigurisë.

Në mbledhjen e mbajtur në Kosovë, ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Ejup Maqedonci, theksoi rëndësinë e kësaj marrëveshjeje për zhvillimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ndërqeveritar dhe avancimin e kapaciteteve në fushën e mbrojtjes.

“Duke pasur parasysh se aprovimi i kësaj nisme është shumë i rëndësishëm për zhvillimin e mëtejshëm të bashkëpunimit mes Qeverisë së Kosovës, përkatësisht Ministrisë së Mbrojtjes dhe asaj të Republikës së Turqisë, kërkojmë të miratohet”, deklaroi Maqedonci.

Marrëveshja pritet të krijojë bazë të re për projekte dhe mbështetje konkrete në aspektin financiar dhe ushtarak ndërmjet dy vendeve./Albinfo.ch

77 vjet nga themelimi i NATO-s

NATO është themeluar 77 vite më parë, më 4 prill 1949 në Uashington, me qëllim krijimin e një aleance të përbashkët mbrojtëse përballë kërcënimit sovjetik. Organizata u ngrit mbi parimin e solidaritetit, ku një sulm ndaj një shteti anëtar konsiderohet sulm ndaj të gjithëve, duke garantuar përgjigje të përbashkët ushtarake dhe politike, përcjell albinfo.ch.

Gjatë dekadave, NATO është zgjeruar me shumë shtete të reja, duke përfshirë Greqinë dhe Turqinë në vitin 1952, Gjermaninë në 1955 dhe Spanjën në 1982. Pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik, aleanca u zgjerua drejt Evropës Lindore, duke pranuar ish-vendet komuniste dhe duke rritur rolin e saj në stabilitetin e kontinentit.

NATO ka marrë pjesë në disa operacione të rëndësishme ushtarake, përfshirë ndërhyrjen në Bosnje në vitin 1995 dhe në Kosovë në vitin 1999, duke luajtur rol kyç në ruajtjen e paqes dhe sigurisë.

Pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001, aleanca u angazhua në luftën kundër terrorizmit, duke udhëhequr misionin ISAF në Afganistan deri në vitin 2014. Ndërkohë, pas aneksimit të Krimesë nga Rusia në vitin 2014, NATO forcoi praninë e saj në lindje të Evropës me trupa shumëkombëshe në vende si Polonia, Estonia, Letonia dhe Lituania.

Zgjerimi i aleancës vazhdoi edhe më tej, ndërsa Maqedonia e Veriut u bë anëtari i 30-të i NATO-s në vitin 2020, duke dëshmuar rëndësinë e kësaj organizate në një botë që përballet me sfida të vazhdueshme të sigurisë globale./Albinfo.ch

Në Lucern, hajdutët vjedhin Porsche-in 200 mijë frangash, Milot Berisha sheh gjithçka live

Një natë dramatike në kantonin e Lucernit tronditi pronarët e një autosalloni luksoz, pasi një Porsche i rrallë u vodh nga hajdutët. Falë kamerave dhe reagimit të shpejtë të policisë, tre persona u arrestuan pak orë më vonë, transmeton albinfo.ch.

Bëhet fjalë për sallonin në Rickenbach LU, ku një Porsche 718 Spyder RS me vlerë rreth 200 mijë franga zvicerane është vjedhur nga një autogarazh që merret me shitjen e veturave luksoze.

Sipas rrëfimit të Milot Berishës 30 vjeç, bashkëpronar i autosallonit MB Carcente, gjithçka ka nisur rreth orës 01:37, kur ai ka marrë një njoftim në telefon nga sistemi i një Tesla-je që ndodhej para garazhit.

Ai ka kontrolluar pamjet “live” dhe ka vërejtur se dikush po tentonte të hapte derën e automjetit. Më pas, pasi pa edhe kamerat brenda objektit, Berisha kuptoi se persona të panjohur kishin hyrë në garazh, transmeton tutje albinfo.ch.

“Brenda po lëviznin njerëz”, ka deklaruar ai, duke shtuar se menjëherë ka lajmëruar policinë dhe është nisur drejt garazhit.

Kur arriti në vendngjarje, ai dëgjoi zhurmën karakteristike të Porsche-s së gjelbër duke u larguar. Vetura e vjedhur ishte një model i veçantë, me 500 kuaj fuqi, dhe sipas Berishës dallohej sidomos për ngjyrën e saj unike.

Tre të arrestuar: dy rusë dhe një francez

Policia e Lucernit reagoi shpejt dhe, në bashkëpunim me policinë e kantonit Aargau, arriti të arrestojë tre të dyshuar në Dintikon AG. Sipas autoriteteve zvicerane, bëhet fjalë për dy shtetas rusë dhe një francez, të moshës 18 deri 21 vjeç, të cilët nuk kanë vendbanim në Zvicër.

Prokuroria e Sursee ka nisur hetimet për rastin.

Dyshohet se synimi ishin Lamborghini-t

Sipas Berishës, hajdutët kishin hyrë nga hyrja kryesore duke thyer një xham me këmbë, dhe më pas kishin hapur portën e garazhit nga brenda, tranameton albinfo.ch

Ai dyshon se fillimisht ata synonin të vidhnin dy Lamborghini, pasi sirtarët dhe pjesët e brendshme të tyre ishin hapur, duke lënë të kuptohet se kërkonin çelësat. Por meqë zakonisht çelësat nuk ruhen në objekt, ata përfundimisht zgjodhën Porsche-n, çelësi i të cilit ndodhej aty.

Hajdutët përdorën edhe një furgon për të larguar një Tesla që bllokonte rrugën dhe më pas u larguan me Porsche-n.

Vetura u gjet, por dëmet mbeten të paqarta

Porsche u sekuestrua dhe u tërhoq nga policia, ndërsa dëmet ende nuk janë vlerësuar plotësisht. Berisha ka deklaruar se fatmirësisht është i siguruar, përfshirë edhe dëmet në objekt.

“Jam thjesht i lumtur që i kapën”, ka përfunduar ai, duke shtuar se kohët e fundit janë shtuar vjedhjet e veturave luksoze në Zvicër./Albinfo.ch

Arrestohen dy shqiptarë me armë me silenciator, po tentonin të hynin ilegalisht në Britani

Dy persona të dyshuar shqiptarë janë arrestuar në Calais të Francës, pasi u kapën duke tentuar të hynin ilegalisht në Mbretërinë e Bashkuar, të fshehur në pjesën e pasme të një kamioni, ndërkohë që njëri prej tyre dyshohet se mbante edhe një pistoletë me silenciator, përcjell albinfo.ch.

Sipas raportimit të Daily Mail, arrestimi ndodhi të premten, në momentin kur kamioni po përgatitej të hipte në një traget drejt Britanisë.

Një burim hetues ka bërë të ditur se gjatë kontrollit është gjetur armë zjarri me silenciator të bashkangjitur.

“Njëri mbante një pistoletë me silenciator të bashkangjitur. Oficerët e armëve të zjarrit kryen arrestimet pa u lënduar askush”, ka deklaruar burimi.

Sipas të njëjtit raportim, ekzistojnë dyshime se të arrestuarit mund të kenë lidhje me botën e krimit dhe se synonin të takoheshin me figura të tjera të krimit shqiptar në Britani.

Zëvendësprokurori i Boulogne, Patrick Leleu, ka konfirmuar se janë kryer gjithsej tre arrestime, përfshirë edhe shoferin e kamionit.

Ai bëri të ditur se janë nisur dy hetime: një për posedim të një arme të ndaluar, dhe një tjetër ndaj shoferit për ndihmë dhe inkurajim të migrimit të paligjshëm.

Ndërkohë, rruga e migrimit ilegal përmes Kanalit Anglez është lidhur shpesh me emigrantë shqiptarë, të cilët në shumë raste aplikojnë për azil, pavarësisht se Shqipëria konsiderohet vend i sigurt.

Sipas analizave të publikuara më herët, numri i shqiptarëve që hynë në Britani përmes Kanalit u rrit ndjeshëm në vitin 2022, me mbi 17 mijë aplikime për azil, ndërsa deri në vitin 2024 kjo shifër kishte rënë në më pak se 3 mijë.

Autoritetet franceze dhe britanike vazhdojnë hetimet për të sqaruar plotësisht rrethanat e këtij rasti dhe qëllimin e të dyshuarve./Albinfo.ch

Itali: Arrestohet 36-vjeçari shqiptar, dyshohet se i vuri flakën banesës së ish-partneres

Një incident i rëndë është regjistruar në Itali, ku autoritetet kanë arrestuar një 36-vjeçar shqiptar, i dyshuar për zjarrvënie në apartamentin e ish-partneres së tij, transmeton albinfo.ch.

Sipas raportimeve, i dyshuari dyshohet se ka përdorur lëndë djegëse, pas një konflikti të fundit me ish-partneren, duke i vënë flakën banesës së saj.

Ngjarja ka ndodhur disa ditë më parë në zonën “Corso Ho Chi Min”, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale.

Si pasojë e incidentit, të dy personat janë lënduar dhe janë dërguar për trajtim mjekësor në spitalin Guzzardi, ku sipas informacioneve, ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Pas daljes nga spitali, autori i dyshuar është dërguar në burgun e Raguzës, ku po mbahet nën mbikëqyrjen e autoriteteve gjyqësore.

Hetimet paraprake sugjerojnë se konflikti i vazhdueshëm mes çiftit dhe ndarja, të cilën i dyshuari nuk e pranonte, mund të kenë qenë arsyeja kryesore e kësaj ngjarjeje./Albinfo.ch

Wizz Air korrigjon emërtimin e Prishtinës, pas reagimit qytetar dhe ndërhyrjes diplomatike

Një zhvillim pozitiv dhe i rëndësishëm për Kosovën është shënuar së fundmi në arenën ndërkombëtare, pasi kompania ajrore Wizz Air ka korrigjuar emërtimin e destinacionit të kryeqytetit të Kosovës, transmeton albinfo.ch.

Referuar njoftimit të Ambasadës së Republikës së Kosovës në Gjermani, pas reagimit të qytetarëve dhe angazhimit diplomatik, Wizz Air e ka ndryshuar përkatësinë e destinacionit nga forma “Priština” në “Prishtina” ose “Pristina”, duke e paraqitur tashmë në mënyrë korrekte.

Ambasada e cilësoi këtë si një shembull të qartë se reagimi qytetar dhe diplomacia aktive mund të sjellin rezultate konkrete.

“Ky është një shembull tjetër i qartë se reagimi qytetar dhe diplomacia aktive japin rezultate konkrete”, thuhet në reagimin e ambasadës.

Po ashtu, Ambasada e Kosovës në Gjermani u ka bërë thirrje qytetarëve që, nëse hasin institucione apo kompani gjermane ku Kosova ose qytetet e saj paraqiten gabimisht, të kontaktojnë ambasadën për të adresuar këto pasaktësi.

Qytetarët mund të raportojnë raste të tilla përmes emailit: [email protected], duke bashkëngjitur dëshmitë përkatëse./Albinfo.ch

Petrit Halilaj prezanton ekspozitën “Një Operë Jashtë Kohës” në Gjermani

Artisti i njohur kosovar, Petrit Halilaj, po vazhdon të përfaqësojë Kosovën në nivelin më të lartë të artit bashkëkohor ndërkombëtar, me ekspozitën e tij të re “Një Operë Jashtë Kohës”, e cila është hapur në Berlin të Gjermanisë, në muzeun prestigjioz Hamburger Bahnhof, transmeton albinfo.ch.

Ekspozita është vizituar edhe nga përfaqësues të institucioneve kulturore të Kosovës, përfshirë zëvendësministren e Kulturës Nora Arapi Krasniqi, shefen e kabinetit Shkurte Aliu, drejtorin e Filharmonisë së Kosovës Dardan Selimaj, si dhe kuratoren Catherine Nichols.

Ky projekt artistik i Halilajt vlerësohet si një arritje e rëndësishme për artin bashkëkohor nga Kosova, pasi përmes tij ai sjell një rrëfim të fuqishëm mbi temat e kujtesës, dashurisë dhe identitetit, duke e lidhur ekspozitën edhe me operën “Syrigana”, të realizuar në bashkëpunim me Filharmoninë e Kosovës.

Prezantimi i kësaj ekspozite në një nga institucionet më të rëndësishme të artit në Evropë konsiderohet dëshmi e qartë e prezencës së fuqishme të artistëve kosovarë në arenën ndërkombëtare dhe e rolit të artit si urë komunikimi përtej kufijve.

Petrit Halilaj, i cili prej vitesh ka qenë një nga emrat më të suksesshëm të Kosovës në skenën botërore të artit, po e konfirmon edhe një herë se krijimtaria kosovare ka zë dhe ndikim në qendrat më të mëdha kulturore të Evropës./Albinfo.ch

 

Petrit Halilaj - Facebook
Petrit Halilaj – Facebook

Presidentja Osmani ia dorëzon sot detyrën Albulena Haxhiut

Presidentja e shtetit të Kosovës Vjosa Osmani do t’ia dorëzojë sot detyrën kryetares së Kuvendit, Albulena Haxhiu, e cila do të marrë rolin e ushtrueses së detyrës së presidentes, pasi Kuvendi ende nuk ka arritur të zgjedhë presidentin e ri të Kosovës, përcjell albinfo.ch.

Lajmi është konfirmuar nga Zyra e Presidencës përmes një komunikate, ku thuhet se ceremonia e pranim-dorëzimit do të mbahet sot në orën 16:00, në kabinetin e Presidencës.

Sipas procedurave kushtetuese, Haxhiu mund ta ushtrojë këtë post maksimumi për gjashtë muaj, deri në zgjedhjen e presidentit të ri.

Vlen të theksohet se Kuvendi i Kosovës ka afat deri më 28 prill për ta zgjedhur presidentin e ri, afat ky i përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese, e cila javën e kaluar i dha Kuvendit edhe 34 ditë shtesë për përmbylljen e këtij procesi.

Gjykata Kushtetuese e shpalli të pavlefshëm dekretin e Osmanit për shpërndarjen e Kuvendit, duke sqaruar se procedura 60-ditëshe për zgjedhjen e presidentit ka nisur më 5 mars, kur Kuvendi nuk arriti të hedhë në votim kandidaturat e Glauk Konjufcës dhe Fatmire Mulhaxhës nga Vetëvendosje, për shkak të mungesës së kuorumit.

Në këtë situatë, kryeministri dhe kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, ka deklaruar se është në kontakt me liderët e dy partive më të mëdha opozitare, Bedri Hamzën (PDK) dhe Lumir Abdixhikun (LDK), duke paralajmëruar takime me ta gjatë javës së ardhshme për të diskutuar zgjidhjen e çështjes së presidentit.

Kurti ka pasur takime të ngjashme edhe më herët me Hamzën dhe Abdixhikun, por ato nuk kanë prodhuar ndonjë marrëveshje konkrete.

Presidentja Osmani ndërkohë ka shprehur ambicie për një mandat të dytë, ndërsa ka paralajmëruar se në rast të dështimit për t’u rizgjedhur, do të vazhdojë angazhimin e saj politik./Albinfo.ch

Ana ‘negative’ e Inteligjencës Artificiale

Shumica e mësuesve të shkollave të mesme në Britani thonë se aftësitë e të menduarit kritik të nxënësve po bien për shkak të përdorimit në rritje të inteligjencës artificiale, sipas një ankete të publikuar sot nga Unioni Kombëtar i Arsimit.

Anketa, bazuar në përgjigjet e më shumë se 9.000 mësuesve në shkollat ​​shtetërore britanike zbuloi se 66 për qind e mësuesve të shkollave të mesme besojnë se të menduarit kritik të nxënësve është përkeqësuar me përdorimin e IA-së, krahasuar me 28 për qind në shkollat ​​fillore.

Në të njëjtën kohë, përvetësimi i IA-së midis mësuesve po rritet me shpejtësi, me 76 për qind që thonë se tani përdorin mjete të tilla në punën e tyre të përditshme, nga 53 për qind një vit më parë, shkruan ATSH, transmeton albinfo.ch.

Mësuesit më së shpeshti përdorin IA-në për krijimin e burimeve, planifikimin e mësimeve dhe detyrat administrative ndërsa vetëm një pakicë e vogël mbështetet në të për vlerësim.

Pavarësisht rritjes së përdorimit, shumë shkolla nuk kanë udhëzime formale. Pothuajse gjysma e të anketuarve thanë se shkollat ​​e tyre nuk kanë politikë për përdorimin e IA-së për stafin ose nxënësit ndërsa dy të tretat raportuan se nuk kanë rregulla specifike që rregullojnë përdorimin nga nxënësit.

Sondazhi gjeti mbështetje të kufizuar për planet qeveritare për të futur mësues të inteligjencës artificiale për studentët në disavantazh me vetëm 14 për qind të mësuesve që mbështesin propozimin dhe pothuajse gjysma e tyre e kundërshtojnë atë.

Mësuesit ngritën shqetësime në lidhje me keqpërdorimin e teknologjisë, duke përfshirë mashtrimin dhe mbështetjen e tepërt nga studentët. “Nxënësit po humbasin aftësitë thelbësore, të menduarit, kreativitetin, shkrimin, madje edhe mënyrën e të zhvilluarit të një bisede”, tha një i anketuar.

Sekretari i përgjithshëm i Unionit Kombëtar të Arsimit, Daniel Kebede tha se gjetjet nxjerrin në pah rreziqet nëse inteligjenca artificiale nuk menaxhohet siç duhet në arsim. “Nxënësit duhet të jenë në gjendje të mendojnë vetë. Kjo është në zemër të të mësuarit, por sondazhi ynë tregon se mbështetja në inteligjencën artificiale po ka një efekt në aftësinë e studentëve për të menduar në mënyrë kritike”, tha ai.

Sondazhi u zhvillua në shkurt dhe pasqyron atë që sindikata e përshkroi si zgjerimin e shpejtë të inteligjencës artificiale në shkolla, së bashku me boshllëqet në politika dhe trajnime.

Ndalimi i telefonave në shkolla po sjell efekte pozitive

Ndalimi i telefonave në shkollat holandeze duket se po jep rezultatet e para pozitive, duke përmirësuar përqendrimin dhe klimën sociale mes nxënësve, sipas të dhënave dhe vlerësimeve fillestare.

Dy vite më parë, shkollat në Holandë vendosën të ndalonin përdorimin e telefonave inteligjentë, orëve smart dhe tabletëve gjatë gjithë ditës shkollore, me synimin për të reduktuar shpërqendrimet dhe për të rritur performancën akademike. Që atëherë, pajisjet janë zhdukur nga klasat, korridoret dhe ambientet e përbashkëta, raporton BBC, transmeton albinfo.ch.

Në shkollën Cygnus Gymnasium në Amsterdam, një tabelë e verdhë në hyrje u kujton nxënësve që telefonat duhet të qëndrojnë në dollapë, shkruan shqip.al.

Kjo praktikë tashmë është shtrirë në të gjithë vendin përmes një marrëveshjeje kombëtare mes qeverisë, shkollave dhe prindërve, duke shmangur nevojën për një ligj formal dhe duke siguruar zbatim më të shpejtë.

Mësuesit raportojnë një ndryshim të dukshëm. Ida Peters, mësuese në këtë shkollë, thotë se tani është më e lehtë të mbahet vëmendja e nxënësve dhe se menaxhimi i klasës është bërë më pak konfliktual. Edhe ambienti në korridore është më i qetë, pasi nxënësit nuk janë më të fokusuar te telefonat.

Edhe vetë nxënësit pranojnë ndryshimin. Disa e konsiderojnë masën bezdisëse, por theksojnë se tani janë më të pranishëm në moment dhe më pak të varur nga pajisjet gjatë pushimeve.

Mungesa e telefonave ka reduktuar edhe shqetësimin për fotografitë apo videot që mund të shpërndahen në rrjetet sociale.

Të dhënat e para mbështesin këto perceptime. Një studim i porositur nga qeveria, që përfshiu 317 shkolla të mesme, tregon se rreth tre të katërtat e tyre kanë raportuar përmirësim të përqendrimit.

Pothuajse dy të tretat kanë vënë re një klimë sociale më të mirë, ndërsa rreth një e treta raportojnë edhe rritje të performancës akademike. Sondazhe të tjera sugjerojnë gjithashtu ulje të rasteve të bullizmit.

Ndërkohë, debati në Holandë po zhvendoset tashmë drejt kufizimit të rrjeteve sociale. Qeveria rekomandon që fëmijët nën 15 vjeç të mos përdorin këto platforma dhe po shtyn për një kufi minimal moshe në nivel evropian, me verifikim të detyrueshëm.

Megjithatë, jo të gjithë janë plotësisht dakord. Disa nxënës pranojnë se janë të varur nga rrjetet sociale dhe do ta kishin të vështirë një ndalim të plotë.

Në të njëjtën kohë, studiuesit po analizojnë edhe efektet anësore të mundshme, si rritja e përdorimit të telefonit pas orarit shkollor.

Pavarësisht këtyre dilemave, një gjë duket e qartë: për shumë nxënës, shkolla pa telefona ka sjellë më shumë ndërveprim social dhe një përqendrim më të lartë në mësim. Tani pyetja kryesore është nëse kufizimet do të shtrihen edhe përtej mureve të shkollës.

Shqipëria ndër vendet e fundit në Evropë për rezervat e arit

Të dhënat zyrtare nga Banka e Shqipërisë, të përfshira në raportin vjetor për vitin 2025 tregojnë se totali i rezervës valutore të vendit fiksohet në 7.3 miliardë euro, nga 6.26 miliardë euro një vit më parë. Në këtë rezervë valutore përfshihet edhe ari monetar.

Sipas raportit, në fund të dhjetorit 2025, stoku i rezervës valutore bruto përfshinte edhe rreth 116.99 mijë onz, ose 3.64 ton ar monetar.

Shifrat e analizuara nga “Scan Intel”, referuar “Trading Economics” tregojnë se Shqipëria është ndër vendet e fundit në Evropë sa i përket rezervës valutore në ar. Në Evropë, vetëm Luksemburgu, Malta, Estonia, dhe Islanda vlerësohet të kenë rezerva valutore në ar më të vogla se Shqipëria, transmeton albinfo.ch.

Për Serbinë ndërkohë, rezerva në ar fiksohet në rreth 53 ton, për Maqedoninë e Veriut në 6.89 ton, ndërsa për Bosnje Hercegovinën në rreth 3.48 ton, referuar shifrave të vitit 2025. Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbajnë vendin e parë në nivel global, me rezervat valutorë në ar që fiksohen në rreth 8133 ton. Gjermania ndërkohë, është e para në Evropë dhe e dyta në botë, me 3350 ton ar në arkën e Bankës Qendrore. Më pas ndjekin Italia, Franca, Rusia dhe Kina, që mbyllin 6 vendet e para të listës.

Ndërkohë, krahasuar me popullsinë, 3.64 ton rezerva valutore, përkthehen në 1.54 gram për frymë.

Por, si ndahet rezerva valutore e Bankës së Shqipërisë? Pjesa më e madh e saj, ose më saktë rreth 60.3% shprehet në Euro, 22.3% në dollar. Ndërkohë, ar monetar përbën 5.9%, SDR 3.7%, RMB 2.7%, paund britanik 2.5%, jen japonez 2% dhe dollar australian 0.6%. Kjo do të thotë se ari nuk është elementi dominues i rezervës, por mbetet një komponent i dallueshëm i saj.

Hajdari u lëndua me Kosovën, por mund të luajë të shtunën

Albian Hajdari e kishte të pamundur ta kompletonte ndeshjen e Kosovës ndaj Turqisë, të martën. Ai pësoi çarje pas veshit dhe u largua nga fusha në minutën e 80-të.

Por mbrojtësi 22-vjeçar mund të kthehet që të shtunën në fushën e blertë.

Këtë e ka paralajmëruar trajneri i Hoffenheimit, Christian Ilzer, të premten në konferencë për shtyp. Hajdari mund të kthehet, ndonëse i janë dashur 16 penj për ta mbyllur plagën në kokë.

Hoffenheimi e pret Mainzin, nga ora 15:30. Mainzi është duke kaluar formë shumë të mirë dhe për Hoffenheimin ndeshja pritet të jetë sfiduese.

“Përfundimisht ka mundësi që ai të jetë pjesë e skuadrës”, ka thënë Ilzner, transmeton albinfo.ch.

Leon Avdullahu ishte mungesë e madhe për Kosovën në ndeshjen ndaj Turqisë. “Leoni po ashtu ka bërë përparim të shkëlqyer. Ai mori pjesë në stërvitjen e skuadrës për herë të parë. Kemi besim se do të rikuperohet më shpejt se që pritet dhe që mund të kthehet në skuadër që nesër”, ka shtuar Ilzer.

Te Hoffenheimi luan edhe Fisnik Asllani, sulmuesi i Kosovës. “Të gjithë lojtarët dhanë maksimumin në fushë për vendet e tyre. Ju nuk mund të fitoni gjithnjë, por Fisniku dhe Albiani nuk mund ta fajësojnë veten”, ka thënë Ilzer, duke vlerësuar rrugëtimin e Kosovës.

Hoffenheimi është i pesti në Bundesligë me 50 pikë dhe në garë për kualifikim në Champions. Tre shqiptarët janë prej lojtarëve më të rëndësishëm në skuadër.

Pas 27 vjetësh: refugjatja dhe presidentja takohen sërish

Ajo ishte vetëm 15 vjeçe. Në një veturë të vogël, bashkë me familjen, duke pritur me ditë të tëra në kufi, mes pasigurisë dhe shpresës.

Ndëkrohë një vendim I një presidenteje të asaj kohe, e dërgoi atë dhe familjen e saj nga një kamp refugjatësh në Maqedoninë e Veriut, drejt një fluturimi që do t’ua ndryshonte jetën përgjithmonë.

Sot, pas 27 vjetësh, ato rrugë kryqëzohen sërish.

Vajza e dikurshme refugjate, sot gazetare në Kosovë, ritakohet me gruan që në vitin 1999 e mori nga kampi dhe i dha një shans për një jetë tjetër.

Një takim i mbushur me emocione, kujtime dhe pyetje që mbeten edhe pas kaq shumë vitesh.

Çfarë kujton ish presidentja e Zvicrës Ruth Dreifuss e cfarë ish refugjatja Naile Dema, nga ajo kohë?

Ndiqni reportazhin.

Kamera: Gent Mersinaj

Migrimi dhe krimi, debat i ndezur mes politikës dhe realitetit kompleks

Berlin – Debati për lidhjen mes migrimit dhe sigurisë në Gjermani është rikthyer në qendër të vëmendjes politike. Kancelari Friedrich Merz ka deklaruar se “një pjesë e konsiderueshme e dhunës” vjen nga “grupet e emigrantëve”, duke mbrojtur kursin më të ashpër ndaj migrimit të parregullt.

Sipas tij, pavarësisht uljes së numrit të azilkërkuesve, “ne ende e kemi këtë problem në peizazhin urban”, çka, sipas qeverisë, justifikon dëbimet në shkallë më të gjerë.

Megjithatë, realiteti paraqitet më kompleks. Edhe pse migrimi është reduktuar ndjeshëm, ndjenja e pasigurisë tek qytetarët është rritur. Gati gjysma e popullsisë ndjehet e pasigurt në hapësirat publike, sipas sondazheve të fundit.

Politikanë si Jens Spahn theksojnë se shqetësimet lidhen edhe me ndryshimet në jetën e përditshme dhe në pamjen e qyteteve, zhvillime që kanë ndikuar edhe në rritjen e mbështetjes për Alternative für Deutschland (AfD).

Ekspertët ndërkohë paralajmërojnë se ndjenja e pasigurisë nuk lidhet vetëm me migrimin apo krimin e rëndë, por edhe me probleme sociale si varfëria, droga dhe sjelljet antisociale në hapësirat publike.

Në këtë kontekst, debati mbetet i hapur: a e rrit vërtet sigurinë kufizimi i migrimit, apo kërkohen zgjidhje më të thella sociale dhe ekonomike?

/dw/

Pashkët: Papa bën thirrje për paqe

Papa Leo XIV i ka bërë thirrje Izraelit të përfundojë luftën me Iranin përmes negociatave. Papa ka folur lidhur me këtë në telefon me Presidentin izraelit Yitzhak Herzog.

Ai ka bërë thirrje gjithashtu për mbrojtjen e civilëve dhe respektimin e ligjit ndërkombëtar, shkruajnë mediat botërore.

Papa Leo foli gjithashtu në telefon me Presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky. Në bisedë me të, Papa shprehu afërsinë e tij me popullin ukrainas, sipas një deklarate të Vatikanit.

Telefonatat u zhvilluan në kudrin e festimeve të Pashkëve. Këto janë Pashkët e para të Papa Leos në funksionin e tij si papë.

Zjarr në muzeun e çokollatës, evakuohen 150 vizitorë

Një zjarr ka shpërthyer në fabrikën e çokollatës Cailler në Broc, në kantonin e Fribourgut, sot, të Premten e Madhe. Zjarri filloi në mëngjes në një makinë në zonën e prodhimit.

Sipas gjetjeve fillestare nga policia kantonale e Fribourgut, gjithçka tregon për një shkak teknik të zjarrit, transmeton albinfo.ch.

Si masë paraprake, rreth 150 vizitorë u detyruan të largoheshin nga muzeu ngjitur, i njohur me emrin “Maison Cailler”, shkruan srf.ch. Brigada e zjarrfikësve arriti ta vinte shpejt nën kontroll zjarrin dhe ta parandalonte përhapjen e tij në objekte të tjera.

Askush nuk u lëndua, por tre persona u ekzaminuan në vendngjarje nga paramedikët.

Shkalla e dëmit të pronës nuk dihet ende.

Këshilli Federal shpreh keqardhje për rritjen e tarifave të barnave, nga SHBA

Këshilli Federal, sipas një komunikate të Departamentit Federal të Çështjeve Ekonomike e përshkruan futjen e tarifave amerikane për produktet farmaceutike si “një barrë shtesë për industrinë farmaceutike zvicerane eksportuese” .

SHBA-të po i përmbahen angazhimit të tyre sipas deklaratës së përbashkët të qëllimit të 14 nëntorit 2025, me një tarifë specifike për Zvicrën prej një maksimumi prej 15 për qind për produktet farmaceutike nga Zvicra, trnsmeton lbinfo.ch. Megjithatë, deri më sot, nuk janë vendosur tarifa amerikane për produktet farmaceutike.

“Departamentet përkatëse po analizojnë efektet specifike së bashku me palët e interesuara të prekura”, shtoi Këshilli Federal.

Edhe industria farmaceutike zvicerane po reagon me shqetësim ndaj tarifave të reja amerikane. SHBA-të janë tregu më i rëndësishëm për kompanitë farmaceutike zvicerane.

Tarifat rrezikojnë prodhimin global dhe zinxhirët e furnizimit, thuhet në një njoftim nga shoqata e industrisë Interpharma për SRF. Vendimi mund të ketë ndikim në sigurinë e furnizimit.

Sipas shoqatës, industria farmaceutike duhet të përjashtohet nga tarifat për importet në SHBA sa herë që është e mundur.

Një normë e reduktuar tarifore prej 15 për qind do të zbatohet për eksportet farmaceutike zvicerane. Kompanitë që kanë nënshkruar tashmë marrëveshje me SHBA-në, përfshirë Roche dhe Novartis, janë të përjashtuara nga tarifat e importit.