Sistemi kombëtar i alarmit testohet sot në të gjithë Zvicrën

Sistemi kombëtar i alarmit në Zvicër do t’i nënshtrohet sot testimit vjetor, i cili zhvillohet rregullisht çdo të mërkurë të parë të muajit shkurt. Në kuadër të këtij testi do të aktivizohen rreth 5.000 sirena fikse dhe 2.200 sirena mobile në mbarë vendin, transmeton albinfo.ch.

Testimi do të zhvillohet në intervalin kohor nga ora 13:30 deri në 16:00 dhe ka për qëllim të verifikojë funksionalitetin e sistemit të paralajmërimit për raste emergjencash apo fatkeqësish natyrore.

Përveç sirenave, do të testohen edhe kanalet e komunikimit në aplikacionin Alertswiss, i cili shërben për informimin e popullatës në situata krize.

Sinjali kryesor i alarmit përbëhet nga një tingull i vazhdueshëm dhe luhatës, me kohëzgjatje një minutë, dhe përdoret për të paralajmëruar popullatën për rrezik të mundshëm ose emergjencë të afërt.

Ndërkohë, një sinjal i dytë specifik është i dedikuar për zonat pranë digave. Ky alarm përbëhet nga 12 impulse prej 20 sekondash, të ndara nga pauza 10-sekondëshe, dhe përdoret për të paralajmëruar rrezikun e mundshëm nga uji.

Autoritetet theksojnë se ky është vetëm një test dhe nuk ka arsye për shqetësim të popullatës. /Albinfo.ch

Haradinaj në SHBA kërkon mbështetjen e Trumpit për anëtarësimin në NATO

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, gjatë qëndrimit të tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka zhvilluar një takim me kongresistin republikan nga Teksasi, Pete Sessions. Takimi është mbajtur në kuadër të vizitës së Haradinajt në Kongresin Amerikan.

Përmes një postimi në Facebook, Haradinaj ka bërë të ditur se në këtë takim ka kërkuar mbështetjen e presidentit Donald Trump dhe të Kongresit Amerikan për anëtarësimin e Kosovës në NATO, duke e cilësuar këtë si një çështje kyçe për sigurinë dhe të ardhmen euroatlantike të vendit.

Pse dronët e Gjermanisë nuk treguan rezultate në Ukrainë?

Gjermania po përgatitet të investojë rreth 267.7 milionë euro për blerjen e dronëve të armatosur HX-2, në kuadër të modernizimit të ushtrisë dhe forcimit të Bundeswehrit. Projekti është pjesë e një programi shumë-miliardësh që synon rritjen e kapaciteteve ushtarake, në një kohë kur kërcënimet e sigurisë në Evropë janë shtuar dhe roli tradicional i SHBA-së në mbrojtjen e kontinentit po zbehet, përcjell albinfo.ch.

Megjithatë, të dhënat nga lufta në Ukrainë kanë ngritur pikëpyetje për efektivitetin e këtyre dronëve. Sipas raportimeve, edhe pse kompania prodhuese Helsing pretendon se sistemi është testuar me sukses dhe në disa prova ka arritur shkallë goditjeje pothuajse 100 për qind, vlerësimet nga përdorimi në terren tregojnë një sukses prej rreth 36 për qind. Humbjet lidhen kryesisht me probleme teknike të sistemit, ndërsa mbetet e paqartë nëse dronët që Gjermania synon të blejë janë të njëjtë me ata të përdorur në Ukrainë apo versione më të avancuara.

Gjermania planifikon të blejë 4,350 dronë HX-2, së bashku me pajisje trajnimi dhe simulatorë. Kontrata duhet të miratohet nga parlamenti gjerman, pasi çdo marrëveshje ushtarake mbi 25 milionë euro kërkon aprovimin e tij, ndërsa vendimi pritet të merret deri në fund të shkurtit.

BQK dhe FMN diskutojnë stabilitetin financiar dhe reformat në Kosovë

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK), e udhëhequr nga guvernatori Ahmet Ismaili, ka pritur Misionin e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) në kuadër të konsultimeve të rregullta sipas Nenit IV të Marrëveshjes së FMN-së. Delegacioni i FMN-së kryesohet nga David Amaglobeli, Shef i Misionit për Kosovën, dhe përfshin përfaqësues rajonalë dhe staf nga Vjena dhe Washington DC, përcjell albinfo.ch.

Gjatë takimit, guvernatori Ismaili theksoi bashkëpunimin e vazhdueshëm me FMN-në dhe prezantoi zhvillimet makroekonomike në vend, duke vlerësuar stabilitetin e sektorit financiar. Ai njoftoi për reformat në vazhdim, të cilat përfshijnë avancimin e kornizës rregullative dhe mbikëqyrëse, përmirësimin e sigurisë kibernetike dhe përdorimin e inteligjencës artificiale, të mbështetura nga asistenca teknike ndërkombëtare.

Nga ana tjetër, shefi i misionit të FMN-së vlerësoi progresin e arritur nga BQK-ja në forcimin e kornizave institucionale dhe rregullative. Në takim u diskutua edhe zbatimi i rekomandimeve të mëhershme dhe mundësitë për aranzhime të reja me FMN-në. Misioni i FMN-së do të qëndrojë në Kosovë deri më 13 shkurt, ku do të zhvillojë takime me institucione të ndryshme shtetërore.

Aulon Nura, sukses i diasporës kosovare në inxhinierinë hapësinore

Ambasada e Republikës së Kosovës ndan me krenari historinë frymëzuese të Aulon Nurës, një i ri i suksesshëm nga diaspora e Kosovës, i cili po ndërton një karrierë të dalluar në fushën e inxhinierisë hapësinore, transmeton albinfo.ch.

Aulon Nura ka përfunduar studimet Master i Shkencave (M.Sc.) në Inxhinieri Hapësinore (Aerospace Engineering) në Universitetin prestigjioz KTH Royal Institute of Technology në Suedi, një nga institucionet më të njohura evropiane në fushën e shkencës dhe teknologjisë.

Aktualisht, ai punon si Inxhinier i Propulsionit në kompaninë OHB Sweden, një nga kompanitë kryesore evropiane në industrinë hapësinore. Në këtë rol, Auloni kontribuon drejtpërdrejt në zhvillimin e teknologjive të avancuara dhe në realizimin e misioneve hapësinore, duke qenë pjesë e projekteve me rëndësi strategjike për industrinë evropiane të hapësirës, transmeton albinfo.ch.

Përshkrimi i fotografisë nuk është i disponueshëm.

Arritjet e tij përfaqësojnë një shembull frymëzues për të rinjtë e Kosovës dhe dëshmojnë potencialin e madh të diasporës sonë në fushat e shkencës, inovacionit dhe teknologjisë.

Së fundmi, Aulon Nura iu bashkua Rrjetit të Profesionistëve të Rinj, një platformë e krijuar nga Ambasada e Republikës së Kosovës në Stokholm, me qëllim të lidhjes dhe fuqizimit të profesionistëve të rinj nga diaspora. /Albinfo.ch

Program britanik fuqizon të rinjtë shqiptarë në art dhe kuratori

Mbretëria e Bashkuar po ofron mbështetje për vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë Shqipërinë dhe Kosovën, në zhvillimin e industrive krijuese si sektorë strategjikë për rritjen ekonomike dhe zhvillimin e qëndrueshëm, përcjell albinfo.ch.

Përmes mbështetjes së Këshillit Britanik (British Council), programi synon të fuqizojë të rinjtë përmes praktikave profesionale në fushën e arteve pamore dhe kuratorisë, duke u krijuar mundësi konkrete për integrim në tregun ndërkombëtar të artit dhe industrive kreative.

Majlinda Mazelliu, Drejtoreshë e British Council për Shqipërinë dhe Kosovën, theksoi rëndësinë e këtij sektori për zhvillimin ekonomik dhe social të rajonit.

“Ky program mbështet industritë krijuese si sektorë strategjikë ekonomikë me potencial transformues, me fokus të veçantë në aftësimin dhe fuqizimin e të rinjve. Talente të reja, trashëgimi kulturore dhe ide novative meritojnë mbështetje dhe hapësirë për t’u zhvilluar”, u shpreh ajo.

Nga ana tjetër, Besa Zogaj (Gashi) nga Instituti për Ekonomi të Tregut të Lirë në Kosovë vuri në pah rëndësinë e njohjes së funksionimit të tregut të artit.

“Programi është krijuar për të ndihmuar artistët nga Kosova dhe Shqipëria të kuptojnë mënyrën e funksionimit të galerive komerciale dhe tregut ndërkombëtar të artit. Zhvillimi i industrive krijuese mund të sjellë përfitime të konsiderueshme për ekonomitë tona, ashtu siç ndodh në vendet e zhvilluara, ku tregu global i artit në vitin 2023 arriti të ardhura prej 75 miliardë euro”, theksoi ajo.

Pjesëmarrësit në praktikat profesionale e kanë vlerësuar programin si një mundësi të rëndësishme për shkëmbim njohurish dhe përvojash profesionale. Sipas të dhënave, vetëm në Mbretërinë e Bashkuar, industria krijuese ofron rreth 2.4 milionë vende pune dhe kontribuon me 124 miliardë paund në Prodhimin e Brendshëm Bruto.

Ky program synon të adresojë një boshllëk të rëndësishëm në rajon, duke ndërlidhur arsimin me praktikën profesionale dhe duke kontribuar në ndërtimin e një ekonomie kreative të qëndrueshme në Ballkanin Perëndimor. /Albinfo.ch

Francë: Mësuesja sulmohet me thikë nga nxënësi

Një mësuese arti ndodhet në gjendje kritike pasi u sulmua me thikë nga një nxënës 14-vjeçar gjatë një ore mësimi në një shkollë të mesme në Sanary-sur-Mer, në jug të Francës, të martën, sipas prokurorit lokal të Toulonit, Raphael Balland.

Mësuesja 60-vjeçare është goditur tre deri katër herë në trup, tha Balland për mediat. Nxënësi është arrestuar dhe po mbahet në paraburgim me dyshimin për tentativë vrasjeje.

Sipas prokurorit, nuk është konstatuar ndonjë motiv fetar apo politik për sulmin, por kishte tensione të mëparshme midis nxënësit dhe mësueses. Sulmuesi nuk kishte histori kriminale.

Siguria në shkollat franceze ka qenë temë debati gjatë viteve të fundit. Në qershor, kryeministri i atëhershëm Francois Bayrou njoftoi se qeveria do të shqyrtonte vendosjen e portave të sigurisë në shkolla, pas një incidenti ku një zyrtar shkollor u godit me thikë gjatë kontrollit të çantave.

Ngjarje të ngjashme janë regjistruar edhe më parë: në shtator, një nxënës 14-vjeçar sulmoi një mësues muzike në fytyrë gjatë një ore mësimi në veri-lindje të Francës. Në vitin 2020, vrasja e mësuesit Samuel Paty pas një ore mbi lirinë e shprehjes shkaktoi trazira të mëdha politike.

Edhe një shtet evropian në prag të vendimit për ndalimin e rrjeteve sociale për fëmijët

Greqia është “shumë afër” që të shpallë zyrtarisht ndalimin e mediave sociale për fëmijët nën 15 vjeç. Një burim i lartë qeveritar grek ia ka thënë Reuters-it të martën, dhe kjo vjen si pjesë e një vale më të gjerë në Evropë për të mbrojtur të rinjtë nga efektet negative të platformave (si varësia, përmbajtje e dëmshme, gjuhë urrejtjeje, etj.).

Në të njëjtën ditë, kryeministri spanjoll Pedro Sánchez ka njoftuar se Spanja planifikon të ndalojë mediat sociale për të rinjtë nën 16 vjeç, dhe do të krijojë ligj që drejtuesit e platformave të mbajnë përgjegjësi personale për gjuhën e urrejtjes apo përmbajtje të paligjshme.

Australia mbetet shteti i parë në botë që e ka zbatuar një ndalim të tillë (nën 16 vjeç, që nga dhjetori 2025), dhe tashmë janë bllokuar miliona llogari. Shumë shtete evropiane po e ndjekin shembullin: Franca ka miratuar ligj për nën 15-vjeçarët, Danimarka, Austria, Portugalia e të tjerë po punojnë në masa të ngjashme. Pra, po formohet një lloj “koalicioni” evropian kundër aksesit të hershëm në rrjete sociale.

Në thelb, qeveritë po argumentojnë se platformat janë “të dizajnuara për të qenë varësie” dhe ekspozojnë fëmijët ndaj rreziqeve si bullizmi online, pornografia, manipulimi, etj. Kritikët (përfshirë disa si Elon Musk) thonë se kjo është censurë apo zgjidhje e gabuar, por mbështetja publike duket e lartë (p.sh. në Spanjë mbi 80% e njerëzve mbështesin kufizime të ashpra).

Shqipëria në fokus të GEO Magazine: Destinacion turistik me rritje të jashtëzakonshme

Shqipëria po vazhdon të tërheq vëmendjen e mediave ndërkombëtare si një destinacion turistik i larmishëm. Revista e njohur franceze, GEO Magazine, i ka kushtuar së fundmi një artikull vendit tonë, duke e përshkruar atë si një kombinim unik të plazheve, maleve, natyrës magjepsëse dhe trashëgimisë kulturore e historike.

Në artikull përmenden ndikime të ndryshme kulturore, duke nisur nga greke, romake e bizantine, deri te arkitektura veneciane dhe osmane. Po ashtu, revista thekson Kanunin, një kod mesjetar nderi, si dhe elemente të veçanta arkitekturore të kryeqytetit, Tiranës, transmeton albinfo.ch.

Ekspertët e turizmit theksojnë se kjo oferta e pasur ka ndikuar në rritjen e vizitorëve të huaj, ku në vetëm pesë vite, Shqipëria ka shënuar një rritje prej 80% të turistëve të huaj.

Analistët e fushës shprehen se artikuj të tillë ndërkombëtarë jo vetëm rrisin profilin turistik të vendit, por edhe promovojnë historinë, kulturën dhe natyrën shqiptare në një audience globale.

Miroslav Lajçak pas publikimit të mesazheve me Jeffrey Epstein: “Ndihem si idiot”

Miroslav Lajçak, ish-këshilltar i sigurisë kombëtare i kryeministrit sllovak Robert Fico, ka dhënë dorëheqjen pas zbulimit të mesazheve që kishte shkëmbyer me financierin e dënuar Jeffrey Epstein. Kryeministri Fico njoftoi të shtunën se e kishte pranuar dorëheqjen, duke e quajtur Lajçakun “burim të çmuar përvoje në diplomaci dhe politikë të jashtme”.

Dorëheqja erdhi menjëherë pas publikimit nga Departamenti i Drejtësisë i SHBA-së të mijëra dokumenteve të lidhura me çështjen Epstein.

Në një intervistë për Rádio Slovensko, Lajçak u shpreh hapur për mesazhet e zbuluara: “Sinqerisht, nuk i mbaj mend ato biseda. Nuk mund t’i konfirmoj plotësisht, por as nuk mund t’i mohoj”. Pas rileximit të tyre, ai shtoi: “Ndihem si idiot. Por kjo nuk më shfajëson nga përgjegjësia. Tregova mungesë gjykimi dhe komunikim të papërshtatshëm. Ishte thjesht ego mashkullore budallaqe”.

Lajçak shpjegoi se takimin e parë me Epstein e pati në vitin 2017 në Nju Jork, kur sapo kishte mbërritur për një post njëvjeçar në OKB. Një diplomat i lartë i huaj ia prezantoi Epstein-in, i cili në atë kohë njihej gjerësisht dhe takohej rregullisht me figura të njohura të biznesit dhe politikës nga SHBA-ja dhe bota.

“Nuk pashë arsye për ta refuzuar takimin – krijimi i kontakteve ishte pjesë e punës time”, tha ai. Megjithatë, pranoi se më vonë mësoi për dënimin e Epstein-it në 2008 për vepra seksuale, por vuri në dukje se shumë personalitete të rëndësishme vazhduan të shoqëroheshin me të edhe pas kësaj.

Lajçak konfirmoi se kishte qenë në apartamentin e Epstein-it, por insistoi se aty ishin të pranishëm edhe figura të tjera të biznesit dhe politikës, dhe “nuk kishte vajza”.

Ndryshe, Miroslav Lajçak ka shërbyer si Përfaqësues Special i BE-së për Dialogun Beograd-Prishtinë nga prilli 2020 deri vitin e kaluar, kur u zëvendësua nga danezi Peter Sørensen.

Kosova, Shqipëria e Kroacia flasin për bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes

Ministria e Mbrojtjes e Kosovës ka bêrë të ditur sot se në bazë të Deklaratës së përbashkët trepalëshe, të nënshkruar në vitin 2025 nga ministri i Mbrojtjes së Kosovës, ministri i Mbrojtjes së Kroacisë dhe ministri i Mbrojtjes së Shqipërisë është mbajtur takimi trepalësh në nivelin e drejtorëve të Politikave të Mbrojtjes dhe Armatimeve.

Ky aktivitet sipas tyre përbën një nga veprimet në kuadër të zbatimit të fushave të bashkëpunimit të dakorduara ndërmjet palëve.

Sipas njoftimit, delegacioni i Republikës së Kosovës u udhëhoq nga drejtori i Politikave të Mbrojtjes, Faruk Geci, ku u shkëmbyen mendime lidhur me mundësitë për avancimin e bashkëpunimit të përbashkët në fushën e aftësive mbrojtëse, bashkëpunimin ndërmjet industrive mbrojtëse të vendeve nënshkruese, si dhe hapat e mëtejmë për zbatimin e Deklaratës.

Ministria e Mbrojtjes e Kosovës njofton se deklarata përcakton katër fusha kryesore të bashkëpunimit të mëtejmë trepalësh, të cilat përfshijnë promovimin e bashkëpunimit në fushën e aftësive mbrojtëse dhe industrisë mbrojtëse, rritjen e ndërveprueshmërisë përmes arsimit, trajnimit dhe ushtrimeve të përbashkëta, adresimin e kërcënimeve hibride dhe forcimin e qëndrueshmërisë, si dhe ofrimin e mbështetjes së vazhdueshme dhe të plotë për integrimin euroatlantik.

Po ashtu, deklarata e përbashkët trepalëshe konfirmoi angazhimin për forcimin e mëtejmë të bashkëpunimit trepalësh në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes ndërmjet Kroacisë, Shqipërisë dhe Kosovës, me synim rritjen e sigurisë dhe stabilitetit në Evropën Juglindore. Në këtë kuadër, u theksua rëndësia e përpjekjeve të koordinuara për adresimin e sfidave të reja të sigurisë, kërcënimeve hibride dhe rreziqeve të tjera që mund të cenojnë stabilitetin rajonal dhe atë ndërkombëtar.

Më shumë zviceranë jashtë vendit duan të votojnë në kantonin Aargau

Në kantonin Aargau, gjithnjë e më shumë qytetarë zviceranë që jetojnë jashtë vendit po shprehin interes për të ushtruar të drejtat e tyre politike. Në fund të vitit 2025, numri i të regjistruarve në listën e votuesve në Kancelarinë Shtetërore të Aargaut është rritur me 3,1% krahasuar me vitin e mëparshëm.

Sipas analizës së Statistik Aargau, totali arrin në 12.710 persona. Mbi gjysma jetojnë në Gjermani, Francë, SHBA ose Itali, ndërsa të tjerët janë të shpërndarë në 135 vende të tjera.

Këta qytetarë të regjistruar mund të votojnë në zgjedhjet dhe votimet federale.

Tre të katërtat e të regjistruarve janë nën 65 vjeç. Grupi më i madh është burrat 60-69 vjeç, pasuar nga gratë e së njëjtës moshë dhe gratë 20-29 vjeç.

Pjesëmarrja në votimet federale ka rënë ndjeshëm: nga 41% në 2010 në 20% në 2025, me 2.000-3.000 vota me postë. Në zgjedhjet parlamentare, pjesëmarrja ka zbritur nga 31% në 2011 në 17% në 2023.

Ndërpritet linja hekurudhore Bern–Thun, udhëtarëve u tregohen alternativa

Shërbimi hekurudhor në linjën Bern–Thun është aktualisht i ndërprerë. Shkak është një aksident personal midis stacioneve Gümligen dhe Wichtrach, njoftoi Hekurudha Federale Zvicerane (SBB) në portalin e saj të ndërprerjeve.

Linjat e prekura: ICE, EC, IC6, IC8, IC61, IC81, RE1, S1 dhe EXT. Udhëtarët duhet të jenë të përgatitur për vonesa, anulime dhe devijime.

Alternativa për udhëtarët:

Ata që udhëtojnë midis Wichtrach dhe Gümligen mund të përdorin autobusët zëvendësues.

Ata që udhëtojnë midis Bern dhe Thun mund të ndjekin rrugën alternative përmes Belp.

Komuna e Crans-Montana ndan 1 milion franga për viktimat e tragjedisë

Komuna e Crans-Montana ka vendosur të ndajë 1 milion franga zvicerane në mbështetje të viktimave të tragjedisë së ndodhur në këtë komunë. Vendimi u mor të martën gjatë mbledhjes së Këshillit Komunal.

Sipas kryetarit të komunës, Nicolas Féraud, kjo ndihmë synon të ofrojë mbështetje konkrete për familjet e prekura dhe të dëshmojë solidaritetin e komunitetit lokal. Fondet do t’i dhurohen Fondacionit për Ndihmën e Viktimave të Zjarrit, i cili aktualisht është në proces krijimi.

Autoritetet komunale rekomandojnë gjithashtu që të gjitha donacionet të centralizohen përmes këtij fondacioni, me qëllim që shpërndarja e ndihmës të jetë sa më efikase dhe e koordinuar.

Në njoftimin për shtyp, Komuna thekson se kjo dhuratë është e pavarur nga çdo procedurë ligjore në vazhdim dhe rikonfirmon bashkëpunimin e saj të plotë me autoritetet kompetente.

130 franga për çdo banor

“Jemi të vetëdijshëm se paratë nuk mund të shërojnë plagët, por shpresojmë të mbështesim familjet e prekura nga kjo tragjedi dhe të tregojmë solidaritetin e komunitetit të Crans-Montana”, deklaroi kryetari Nicolas Féraud në emër të Këshillit Komunal.

Sipas autoriteteve, e ndarë sipas numrit të banorëve, shuma prej 1 milion frangash përfaqëson rreth 100 franga për person. Me shtimin e kontributit kantonal, çdo qytetar i komunës së Crans-Montana kontribuon në total me 130 franga.

Valaisi rrit mbështetjen për familjet përballë rritjes së primeve të sigurimit shëndetësor

Përballë rritjes së vazhdueshme të primeve të sigurimit shëndetësor, kantoni i Valaisit ka vendosur të forcojë ndihmën për familjet. Autoritetet kantonale do të ndajnë 15.2 milionë franga shtesë në vitin 2026 për reduktimin individual të primeve të sigurimit shëndetësor.

Falë këtij fondi shtesë, kufijtë e të ardhurave për përfitim nga subvencionet do të zgjerohen, duke mundësuar që rreth 6,200 persona shtesë të përfitojnë nga kjo ndihmë. Me këtë rritje, shuma totale e dedikuar për reduktimin individual të primeve (RIP) do të arrijë në 283.7 milionë franga.

“Në këtë mënyrë, kantoni synon të ruajë fuqinë blerëse të qytetarëve dhe të parandalojë që primet e sigurimit shëndetësor të rëndojnë në mënyrë të tepruar buxhetet familjare”, thuhet në njoftimin zyrtar të publikuar të martën nga autoritetet e Valaisit.

Gati 100 mijë përfitues në vitin 2026

Për të marrë parasysh realitetet ekonomike të familjeve me të ardhura të ulëta, pragjet maksimale të të ardhurave për përfitimin e RIP-it janë rritur. Si rezultat, në vitin 2026 pritet që rreth 100,000 persona, ose afërsisht një e katërta e popullsisë së kantonit, të përfitojnë nga kjo skemë, transmeton albinfo.ch

Përfituesit do të njoftohen individualisht në muajin shkurt. Sipas autoriteteve, përzgjedhja bëhet automatikisht mbi bazën e të dhënave tatimore të vitit 2024, ndërsa subvencionet do të zbriten drejtpërdrejt nga fatura e primeve të vitit 2026, që nga muaji dhjetor.

Ndërkohë, normat e subvencionimit për vitin 2026 do të mbeten të pandryshuara, krahasuar me vitin e kaluar.

Presidentja Osmani takon Presidentin e Zvicrës në Emiratet e Bashkuara Arabe

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë qëndrimit të saj në Emiratet e Bashkuara Arabe, ka zhvilluar një takim me Presidentin e Zvicrës, Guy Parmelin, në kuadër të Samitit Botëror të Qeverisjes.

Lajmi është bërë i ditur nga vetë Presidentja Osmani, e cila ka theksuar se takimi ishte vazhdim i diskutimeve të nisura më herët, përfshirë ato në Davos, me fokus në hapat konkretë drejt thellimit të bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve.

Sipas Presidentes Osmani, mërgata kosovare në Zvicër mbetet një urë kyçe e partneritetit mes dy vendeve, duke luajtur rol të rëndësishëm në forcimin e lidhjeve politike, ekonomike dhe shoqërore.

Ajo e ka cilësuar Presidentin Parmelin si një mik të madh të popullit të Kosovës, duke nënvizuar se Kosova mbetet thellësisht mirënjohëse për mbështetjen e palëkundur që Zvicra i ka dhënë vendit ndër vite.

Takimi u zhvillua në kuadër të angazhimeve të Presidentes Osmani në Samitin Botëror të Qeverisjes, ku po zhvillohen takime të nivelit të lartë me liderë nga vende të ndryshme të botës.

Këto ishin makinat elektrike më të njohura në Zvicër në janar

Në janar të vitit 2026, rreth 3000 makina të reja elektrike u regjistruan në rrugët zvicerane, krahasuar me 2387 në janar të vitit të kaluar. Skoda, Volvo dhe Kia janë kryesisht përgjegjëse për rritjen prej mbi 20 përqind.

Toyota shfaqet në 10 makinat e para të regjistrimeve të reja për herë të parë, dhe prodhuesit kinezë Leapmotor dhe BYD po përpiqen gjithashtu të hyjnë në 15 vendet e para, shkruan Watson.ch, transmeton albinfo.ch.

Në nivelin e modelit, dy SUV elektrikë nga Skoda kryesojnë grupin, me Volvo-n, gjithashtu me një SUV, që zë vendin e tretë. Furgoni i ri elektrik i Kia-s, PV5, vjen në vendin e katërt, duke ia vjedhur shfaqjen ID-së së VW-së. Minibusi Buzz (i renditur i 21-ti).

Një tjetër surprizë: bZ4X i rishikuar i Toyota-s (po, ky është vërtet emri i makinës elektrike) është zhvendosur në vendin e 8-të – menjëherë përpara Model Y të Teslës. Me SUV-in elektrik Urban Cruiser, një automjet i dytë elektrik nga prodhuesi japonez shfaqet madje në 20 vendet e para.

Toyota u tërhoq nga lëvizshmëria elektrike për një kohë të gjatë, por nuk mund ta injorojë më ndryshimin. Edhe Corolla e re po bëhet elektrike.

Model 3 i Teslës nuk ka fituar ende vrull në vitin e ri dhe nuk u shfaq midis pesëdhjetë makinave elektrike më të shitura në janar.

https://www.watson.ch/digital/elektroauto/768008986-das-waren-im-januar-2026-die-beliebtesten-e-autos-der-schweiz

Ambasada e re e Shqipërisë në Londër do të kushtojë 5.4 milionë euro

Shqipëria do të shpenzojë afërsisht 5.4 milionë euro për blerjen e një prone në Londër, e cila do të shërbejë si seli e re e Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Mbretërinë e Bashkuar.

Sipas vendimit, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, në bashkëpunim me Ambasadën e Shqipërisë në Londër, do të zhvillojë procedurat përzgjedhëse për identifikimin e ndërtesës dhe truallit më të përshtatshëm për ushtrimin e veprimtarisë diplomatike dhe konsullore, transmeton albinfo.ch.

Pronat e propozuara duhet të plotësojnë kriteret e sigurisë, të jenë të lira nga çdo ngarkesë ligjore dhe të ofrojnë hapësirat e nevojshme për funksionimin normal të përfaqësisë diplomatike.

Procesi i vlerësimit të ofertave do të kryhet nga një Komision i Posaçëm, i përbërë nga përfaqësues të Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit, Drejtorisë së Shërbimeve Qeveritare, Autoritetit Kombëtar për Sigurinë e Informacionit të Klasifikuar dhe Avokaturës së Shtetit. Ky komision do të shqyrtojë ofertat e paraqitura, do të mbikëqyrë negociatat dhe do të propozojë ofertën fituese.

Pas nënshkrimit të kontratës së shitblerjes, Ambasada e Shqipërisë në Londër do të kryejë pagesat përkatëse dhe do të regjistrojë pasurinë sipas legjislacionit në fuqi në Mbretërinë e Bashkuar.

Shpenzimet për blerjen e pronës do të mbulohen nga buxheti i Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme.

Ambasada e Zvicrës në Kosovë ndryshon adresën

Ambasada e Zvicrës në Kosovë ka ndryshuar lokacionin.

Në një njoftim në rrjetet sociale, ka njoftuar për adresën e re, transmeton albinfo.ch.

📍 Rruga Besa Imami nr. 6, 10000, Prishtina

Rruga është e re dhe mund të mos shfaqet në të gjitha hartat. “Besa Imami” është nga Rruga “Robert Dolli” menjëherë pas Bankës Raiffeisen (Nr. 99) drejt kompleksit “Beni Dona”. Ambasada është 100 metra përpara në të djathtë.

Adresa:

https://www.google.com/maps?q=42.6562243,21.1535126&entry=gps&lucs=,94275415,94284511,94231188,94280568,47071704,94218641,94282134,94286869&g_ep=CAISEjI1LjQyLjEuODE4NTg2NzMyMBgAIIgnKkgsOTQyNzU0MTUsOTQyODQ1MTEsOTQyMzExODgsOTQyODA1NjgsNDcwNzE3MDQsOTQyMTg2NDEsOTQyODIxMzQsOTQyODY4NjlCAkNI&skid=7f188261-488b-4ca8-b495-d3803e77fe09&g_st=im

Ish-banorët e Mbretërisë së Bashkuar tani mund të dhurojnë gjak në Zvicër

Njerëzit që kanë jetuar në Mbretërinë e Bashkuar gjatë viteve tetëdhjetë tani mund të dhurojnë gjak në Zvicër.

Frika për sëmundjen Creutzfeldt Jakob – ose sëmundjen e lopës së çmendur – nënkuptonte se kushdo që jetonte në Mbretërinë e Bashkuar gjatë kulmit të asaj krize nuk lejohej të dhuronte gjak.

Rregullat kanë qenë në fuqi për më shumë se 20 vjet, transmeton albinfo.ch.

Ndryshimi është njoftuar nga Shërbimi i Transfuzionit të Gjakut i Kryqit të Kuq Zviceran.

Lejla kërkon drejtësi për gjyshin: Dënimi i shkaktarit të vdekjes së tij, tepër i butë

Feta Halilaj, 83 vjeç, vdiq në një aksident trafiku në nëntor të vitit 2023 – shoferi fajtor u gjobit me 800 franga. Mbesa e tij, Lejla Halilaj, dhe familja e saj janë të zhgënjyera me këtë dënim kaq të butë dhe tani po luftojnë për një dënim më të ashpër.

Në një ditë nëntori të vitit 2023, në Horgen (ZH) ndodhi një aksident trafiku me pasoja fatale, transmeton albifo.ch. Pranë stacionit të autobusëve në Gehren, një burrë 83-vjeçar nga Kosova, Fetah Halilaj, u godit nga një furgon dhe u hodh disa metra – ai vdiq në vendngjarje nga plagët e rënda që mori.

Por nuk ishte vetëm vdekja e papritur e të dashurit të tyre që preku thellë familjen. Ata kanë kaluar një kohë të vështirë pas aksidentit. Sepse: “Makina e shoferit pësoi dëme të cilat edhe  vetëm ato duhet të kishin rezultuar në një gjobë më të lartë”, thotë Lejla Halilaj për blick.ch. Ajo tregon fotot që vërtetojnë se shoferi kishte mjete të montuara në kapakun e makinës së tij – një lopatë, një sëpatë dhe një kazmë. Ajo shton se ai “duket se po ngiste më shpejt se 50 km/orë e lejuar”.

Pjesa më e keqe, sipas mbesës, është se “shoferi po përdorte celularin ndërsa ngiste”. Sipas Tages-Anzeiger, ai e kishte përdorur atë menjëherë para aksidentit. Në orën 11:50 të paradites, ai dërgoi një mesazh me tekst. Katërmbëdhjetë sekonda më vonë, ai bëri një pamje (screenshot) të ekranit të mesazhit. Pastaj, edhe 17 sekonda më vonë, ai telefonoi numrin e urgjencës së policisë pasi goditi 83-vjeçarin.

Tronditja ishte e madhe kur javën e kaluar u shpall vendimi në Gjykatën e Qarkut Horgen. Shoferi mori një gjobë me kusht prej 180 tarifash ditore prej 30 frangash zvicerane secila, si dhe një gjobë prej 800 frangash zvicerane, transmeton albinfo.ch. Familja e viktimës është e indinjuar dhe e zhgënjyer: “Kjo ishte një shuplakë në fytyrë – mbetëm pa fjalë”, thotë mbesa dhe djali i të ndjerit, Lejla Halilaj dhe dhe i biri, Zeqe Halilaj.

Ata kanë apeluar urdhrin e dënimit dhe tani po nisin një peticion online, me një qëllim të qartë: drejtësi.

Lejla thotë: “Ne prisnim të paktën një dënim me burg.” Familja nuk po kërkon para nga i akuzuari, por duam që ai të marrë një dënim të drejtë.

Me urdhër ndëshkimi me gjobë të shkurtër, i akuzuari fillimisht mori një gjobë prej 1,000 frangash më 14 prill 2025 – kjo tani është ulur në 800 franga. Edhe pse gjykata e dënoi shoferin edhe me një gjobë prej 5,400 frangash, kjo është caktuar për një periudhë prove dyvjeçare.

Me peticionin në fjalë ata po kërkojnë ligje më të rrepta në lidhje me aksidentet fatale.

Lidhur me peticionin, Lejla Halilaj i është drejtuar edhe redaksisë së albinfo.ch me një letër, ku ajo, veç tjerash, shkruan:

“Po ju shkruaj si e afërme e gjyshit tim, i cili në vitin 2023 u përplas për vdekje nga një makinë në një kalim për këmbësorë në Horgen. Ngjarja nuk na ka tronditur vetëm ne si familje, por ka lënë edhe një plagë të thellë në komunitetin tonë. Autori i aksidentit mori një dënim shumë të lehtë, i cili sipas mendimit tonë nuk është në përputhje me tragjedinë dhe humbjen e anëtarit tonë të dashur të familjes. Për këtë arsye, duam të tërheqim vëmendjen mbi këtë rast dhe kërkojmë drejtësi për gjyshin tonë. Për këtë qëllim, kemi nisur një peticion, të cilin dëshirojmë ta dorëzojmë tek publiku dhe autoritetet:

https://www.openpetition.eu/ch/petition/online/gerechtigkeit-fuer-83-jaehrigen-mann-horgen

“Ne duam të parandalojmë që diçka e tillë të ndodhë përsëri.” Peticioni kërkon një rishikim dhe përshtatje të rregulloreve ligjore në të drejtën e trafikut dhe atë penale. Në veçanti, ai kërkon vlerësime ligjore më të rrepta dhe më uniforme në aksidentet fatale të trafikut, thonë familjarët që kanë nisur peticionin.

“Peticioni nuk drejtohet kundër asnjë individi, thekson mbesa dhe iniciatorja. Është vendosur një objektiv prej 3,000 nënshkrimesh”.

Ajo tashmë ka marrë shumë përgjigje dhe shprehje mbështetjeje nga qytetarët. Të gjithë po i inkurajojnë ata dhe po u thonë të mos dorëzohen. “Jemi mirënjohës për mbështetjen e çdonjërit.”

Zvicra lançon shërbimin e autobusëve për të tërhequr skiatorët italianë

Autobusi do të udhëtojë të shtunave, të dielave dhe të hënave në drejtim të Mesolcinës së sipërme.

Kjo u tha në një shënim të hënën nga San Bernardino Swiss Alps, kompania që menaxhon akomodimin në hotele, përvojat dhe mjediset në San Bernardino, kantoni Graubünden, Zvicra lindore, shkruan swissinfo.ch, transmeton albinfo.ch.

Projekti, i cili “kombinon thjeshtësinë dhe vizionin”, po prezantohet ndërsa resorti ka tërhequr shumë njerëz në javët e fundit. Pjesëmarrja e fortë, ndërsa i kënaq ata që janë përgjegjës, ka mbushur parqet e makinave dhe ka rënduar trafikun.

Lidhja SanBe Snow BusExternal, një lidhje e bërë në bashkëpunim me kompaninë Mobitrends të Ticino-s, e cila është aktive në projekte inovative të lëvizshmërisë, ka dy nisje të ndara në orën 7:30 të mëngjesit, një nga Como dhe një nga Varese, me destinacion San Bernardino.

“Po fillojmë me një provë fillestare në Como dhe Varese, ndërkohë që monitorojmë me kujdes edhe interesin nga Ticino, i cili sot mund të mbështetet në zgjidhjet e transportit publik me Hekurudhat Federale Zvicerane dhe PostBus”, tha Niccolò Meroni, kreu i marketingut në San Bernardino Swiss Alps, në njoftimin për shtyp.

Transporti në fjalë është projektuar si për skiatorët ashtu edhe për dashamirësit e maleve dhe natyrës në përgjithësi, thuhet në deklaratë.