Bota

Danimarka lehtëson masat nga sot, hap muzetë dhe restorantet

Danimarka po hapet më shpejt sesa ishte planifikuar, pasi do të lejojë restorantet që t’u shërbejnë klientëve edhe në ambientet e brendshme, duke filluar nga data 22 prill. Gjithashtu do të rihapen edhe muzetë.

Kushti i vetëm është që klientët të jenë të vaksinuar ose të disponojnë me vete rezultatin negativ të testit të COVID-19. Nxënësve të shkollave, po ashtu, u kërkohet një test negativ i COVID-19 për të vijuar mësimin nga ambientet e shkollës.

Gjithashtu, do të lejohen grumbullimet e njerëzve deri në 50 vetë, nga 10 që ishte deri më 21 prill.

Për pronarët e restoranteve që bizneset i kishin të mbyllura që nga dhjetori, rihapja ishte një moment i shumëpritur.

Tifozët e futbollit gjithashtu do të lejohen të kthehen në stadiume, ndërsa sallonet e tatuazheve u lejuan të rihapen dy javë më parë.

Përhapja e COVID-19 në Danimarkë është mbajtur nën kontroll kryesisht për shkak të testimeve intensive.