CH-Ballkani

Diaspora ofron 1200 vende pune për kosovarët

Mbi 2000 kosovarë vetëm për një ditë janë regjistruar si kandidatë potencial për punë në panairin “Diaspora, investimet dhe punësimi” që është organizuar me qëllim të hapjes së vendeve të punës dhe ngritjes së investimeve në Kosovë. Aty u ofruan 1200 vende të reja pune

Pret në qetësi radhën për të mbushur një formular në hyrje të panairit “Diaspora, investimet dhe punësimi” që është mbajtur dy ditë radhazi në hotelin “Emerald”, 5 kilometra nga Prishtina, në drejtim të Shkupit.

Djaloshi nga Peja, flet rrjedhshëm gjermanishten dhe synon që ëndërra e tij për t’u punësuar në ndonjërin nga shtetet evropiane një ditë të bëhet realitet.

Samir Jasharaj, një i ri kosovar i sapo diplomuar, megjithatë beson se duhet shumë fat në mes njerëzve të shumtë që aplikojnë për punë në shtetet që ai tashmë i synon.

“Kam mbaruar Fakultetin e Gjermanishtes. Po pres që tash të gjej një punë për të siguruar sado pak të ardhmen time. Duke e ditur se punësimi në Kosovë është çështje jo lehtë e zgjidhshme, këto panaire janë shumë të rëndësishme pasi hapin rrugë për të punësuar të rinjtë”, thotë ai.

Punësimi, një nga qëllimet kryesore të panairit

Hapja e vendeve të punës dhe ngritja e investimeve në Kosovë është një nga qëllimet e këtij panairi si dhe konferencës që janë organizuar nga Ministria e Diasporēs në bashkëpunim me Ministrinë e Punës dhe Mirëqenjes Sociale, Ministrinë e Tregëtisë dhe Industrisë, GIZ, DIMAK, CIM dhe KDËV.

Kushtrim Sheremeti, shef i kabinetit të ministrit të diasporës, ka thënë për Albinfo.ch se konferenca dhe panairi realisht japin mundësi punësimi 1200 njerëzve nga Kosova.

“Jemi të lumtur që kemi qenë pjesë e këtij organizimi. Po besoj se rezultatet e punësimeve te para veçse kanë filluar. Nëse kemi mbërri që në këtë aktivitet të punësojmë 1200 persona ne si Ministri e Diasporës bashkë me kompanitë e diasporës kemi kry një punë shumë të madhe edhe në raport të stabilizimit të vendit”, ka thënë Sheremeti.

Ai ka shtuar se kjo ndikon edhe në zhvillimin e mëtutjeshëm të kompanive të diasporës që kanë përzgjedhur profesionistë të kualitetit të mirë.

I pyetur sa janë të kënaqura kompanitë e disporës me klimën që iu krijohet për investitime në Kosovë, Sheremeti ka thënë se Kosova megjithatë ka probleme që janë nga më të ndryshme, përfshirë korrupsionin dhe lëndët e grumbulluara nëpër gjykata.

“Megjithatë lajmet e mira kanë filluar të vijnë në Kosovë,      qoftë me rastin e fillimit të largimi të uzurpatorëve nga pronat ku një pjesë e tyre ishin investitorë të diasporës”, ka pohuar Sheremeti.

  • Edmond Gashi, shefi i projektit, GIZ-DIMAK

Në panair u ofruan 1200 vende pune

Në anën tjetër, Edmond Gashi, shefi i projektit, GIZ-DIMAK, që është Qendra Informuese Gjermane për Migrim, Arsim dhe Karrierë, ka thënë se qëllimi i gjithë këtij panairi është ngritja e kapaciteteve të institucioneve qeveritare të Kosovës për punësim.

“Ne këtu lehtësojmë punën kandidatëve që kanë interes të punësohen në Kosovë, rajon ose diasporë”, ka thënë Gashi.

Ai ka thënë se në panair kanë marrë pjesë 42 kompani. Kurse për herë të parë këtu është edhe Agjencioni Gjerman i Punësimit, (ZAV) që simbolikisht kanë ofruar 20 vende të lira pune.

“Ata kanë shumë kandidatë nga Kosova që janë të interesuar të punojnë në Gjermani dhe kanë ardhë vet për të parë se si zhvillohet procedura”, ka thënë Gashi për Albinfo.ch.

Në panair, rikonfirmon Gashi janë 1200 pozita për punë që ofrohen nga kompanitë pjesmarrëse. “90 përqind e pozitave janë këtu në Kosovë”, ka thënë ai.

Vetëm një kompani “Filipus”, që po hapë një fabrikë të re, ofron diku 600 vende të reja të punës.

Sipas tij, ka edhe sinjale të reja me një numër prej 4000 punëtorësh që do të vendosen në Kosovë. “Ky edhe është qëllimi ynë, që t’iu lehtësohen ndërmarrjeve të ndryshme nga diaspora procedurat e investimit në Kosovë”.

Ai ka thënë se pas përmbylljes së panairit, kontaktojnë ndërmarrjet dhe punëkërkuesit që regjistrohen, për të parë sa është mbajtur premtimi.

“Këtu janë organizata serioze sepse ne bashkëpunojmë me organizata që kanë kredo të mirë në treg”, ka thënë Gashi.

Deri në mesditë, në ditën e panairit të punësimit, mesatarisht janë paraqitur 2000 kandidatë për vendet e punës që ofrohen.

“Punëkërkuesit janë të moshave të ndryshme. Kemi prej atyre që kanë përfunduar maturën  – arsimin profesional që janë targeti kryesor i punëdhënësve dhe deri në moshën 40 vjeçare”, ka thënë bartësi i projektit GIZ-DIMAK.

Është kompania mikse zvicerano – kosovare “Baruti” që në këtë panair kanë ofruar rreth 35 vende të lira pune për kosovarët njohës të mirë të gjuhës gjermane.

Tek stendi i kësaj kompanie ofrohen në çdo minutë njerëz, kryesisht të rinjë, që pyesin për vendet e punës që ofrohen, cilësitë e kërkuara por dhe kushtet që ofrohen.

  • albinfo.ch

Panairi me kompani mikse zvicerano-kosovare

Fitore Azemi, zyrtare e burimeve njerëzore në këtë kompani, bashkë me dy kolegët e saj, pret kandidatët që interesohen për vende të punës në panair.

Puna që do të kryejnë të punësuarit e kompanisë “Baruti” përmes këtij panairi është shitja indirekte për një klient të kompanisë në Zvicër.

“Operojmë si kompani në Zvicër, Austri dhe Kosovë”, ka thënë Azemi. Sipas saj, shërbimet që do të kryhen nga të punësuarit janë anketime për qëllime statistikash, që do të bëhen në formën e “Call Center”.

Azemi ka shtuar se përveç punësimit, stafi do të ketë mundësi që të trajnohet nga vet kompania që do ta punësoj.

Sipas Azemit, shumë kompani nga diaspora kanë interes që të investojnë në Kosovë. Megjithatë, sipas saj, sfidues mbetet korrupsioni dhe byrokracia në institucione.

Ismet Jashanica është një biznesmen tjetër që në Kosovë përfaqëson kompani të njohura gjermane për prodhimin e dyerve.

  • albinfo.ch

Bëhet fjalë për kompanitë prodhuese Hormaan dhe Prum, që përfaqësohen në Kosovë nga “Pandora”.

Kjo kompani, sipas Jashanicës, ka ofruar pesë vende pune në këtë panair. “Janë vende të lira pune në menaxhim, shitje, vozitës, zdrukëthtar dhe montues”, ka thënë Jashanica.

Ai ka thënë se nga ajo që ka vërejtur në panair, ka deficit për kuadro profesionale.

Megjithatë, ai ka treguar se kompania bën edhe përgatitjen profesionale. “Pandora” që ai e udhëheq, thotë se tashmë ka themeluar edhe kompaninë në Cyrih me emrin “Parid Bau Sistem”, ku do të bëj shitje dhe distribuim të dyerve industriale dhe atyre të drurit.

“Por këtu në panair kemi marrë pjesë vetëm si kompani kosovare”, ka thënë Jashanica, duke treguar se ka një interesim të madh të njerëzve për të gjetur një vend pune.

Oda Ekonomike Gjermane ishte partner në këtë organizim.  “Rëndësia e gjithë këtij panairi është takimi i bizneseve të ndryshme dhe ofrimi i vendeve të punës nga kompanitë e diasporës dhe ato kosovare”, ka thënë Marigona Uka nga Oda Ekonomike Gjermane.

Ndryshe, ky është panairi i shtatë me radhë që organizohet në Prishtinë, ku synohet punësimi dhe zhvillimi ekonomik, përmes hapjes së vendeve të punës dhe thirrjes së investitorëve.