Lajme

Dita e dytë e votimit në Maqedoninë e Veriut

Në Maqedoninë e Veriut po zhvillohet dita e dytë e votimit për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare.

Sot janë duke votuar personat që vuajnë nga sëmundje të ndryshme, të moshuarit që nuk mund të dalin në qendrat e votimit, si dhe të burgosurit.

Kjo kategori përfshin 8,855 persona, në zona të ndryshme të këtij vendi.

Ministri i Shëndetësisë i Maqedonisë së Veriut, Venko Filipçe, tha se qytetarët nuk duhet të kenë frikë, pasi ekipe të specializuara mjekësh janë pranë votuesve, sikur që do të jenë edhe në ditën kryesore të votimit, të mërkurën, raportojnë mediat në Maqedoninë e Veriut, përcjell albinfo.ch.

Të hënën, në Maqedoninë e Veriut kanë votuar personat e sëmurë me COVID-19, si dhe ata që ndodhen në vetizolim dhe karantinë, për shkak të kontakteve që kanë pasur me të infektuar.

Nga 759 të paraqitur për të votuar, të drejtën e votës e kanë shfrytëzuar 723 persona.

Për të frenuar përhapjen e koronavirusit, zgjedhjet të mërkurën do të zhvillohen në bazë të protokollove të veçanta, me mbajtjen e maskave dhe të distancës fizike, si dhe me dezinfektimin dhe ajrosjen e hapësirave.

Të drejtë vote kanë rreth 1.8 milionë persona.

Zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut zhvillohen në gjashtë njësi zgjedhore dhe në secilën prej tyre zgjedhen nga 20 deputetë, apo në total 120 sa numëron Kuvendi i Maqedonisë së Veriut.

Për të siguruar ulëse në Kuvend, në garë janë 15 parti politike dhe koalicione, me gjithsej 1,578 kandidatë.