Literaturë

Dy vëllime poetike me lirika dashurie nga Besim Xhelili

Shkrimtari shqiptar Besim Xhelili, i cili jeton dhe vepron në Vjenë të Austrisë, këto ditë solli para lexuesve dy tituj të rinj poetikë me lirika të dashurisë. Vëllimi i tij i tetë me radhë titullohet “Fragmente të një zemre të dalldisur…” dhe ai i nënti “Vragë malli”.

Besim Xhelili vjen nga Tetova dhe tash e 20 vjet jeton dhe vepron në Vjenë të Austrisë. Ka të botuar 7 libra me poezi dhe romanin e tij të parë “1803”, botuar në shqip në vitin 2016, kurse në janar të vitit 2018 edhe në gjuhën gjermane dhe atë suedeze. Me këto dy tituj të rinj ai sjell te lexuesit poezi të vrullshme, lirika pasionale dhe ndjenja të një zemre të lënduar. Herë-herë poezinë e tij e përshkojnë edhe çaste gëzimi, mirëpo në përgjithësi tek krijimet e tij vërehet mbizotërimi i dhembjes, mallit, lotit, mërzisë, mungesës, harresës e shembjeve të forta shpirtërore. Vetë titujt e librave tregojnë lëngimet e një zemre të dalldisur, e mbetur në vetmi dhe me vragë të pakalueshme malli.

Recensent i të dy titujve është kritiku i mirënjohur Prend Buzhala, kurse redaktimet i kanë bërë Hasan Qyqalla dhe Ejup Ajdini. Me një vështrim në të dy librat na paraqitet kritikja e mirëfilltë, Migena Arllati.

“Pavdekësia e dashurisë, e personifikuar te sytë, shfaqet si sonatë e përkryer. Përkryerja dhe pavdekësia janë etimoni shpirtëror i jetës përgjithësisht, dhe i artit lirik, në veçanti. Poeti gjithnjë gjendet në kërkim të dashurisë. Në një kërkim të përgjithmonshëm. Situatat emocionale të këndimit të kësaj ndjesie, janë të shumta: qetësi dhe trazim, lektisje dhe mall, fshehtësi dhe magji, mister dhe mërzi, gëzim dhe hidhërim, por edhe meditime e reflektime që nuk prajnë”, shprehet recensenti Buzhala.

“Poezitё e para nё vёllim jorastёsisht u kushtohen syve, pasi me sa duket poeti njёjtёson mendimin e tij me thёnien: “Sytё janё problem i vёrtetë, ato flasin edhe kur nuk duhet”. Nёn efektin e njё vёshtrimi depёrtues, njё buzёqeshjeje tё heshtur dhe tё njё ndjenje tashmё tё ndaluar, ai mundohet tё marrё e tё japё ҫ’tё mundet nga vetvetja, vetёm e vetёm qё tё ketё nё zotёrim njё zemёr qё e do, por qё pёr fat tё keq, e refuzon. Tashmё kjo ndjenjё e ka pushtuar dhe ai prej kohёsh pёrpёlitet nё pёrsiatje pafund, me shpresё se megjithatё diҫka do tё arrijё tё bёjё, nёse jo kthimin e dashurisё, tё paktёn pёrjetёsimin e ndjenjёs sё shpirtit tё tij tё brishtё”, shprehet Migena Arllati.

“Të saldohen dy shpirtra që dashurohen është më tepër se hyjnore! Kjo, se raste të tilla globalisht janë pak. Por cila do ishte këtu sakrifica prej të dashurit, që e merr si parësore, pa asfarë hamendje poeti: “Për atë fytyrën tënde, një ditë do të futem në ferr”! Kjo nuk është mit as legjendë. Janë vargjet mishëruese të poetit për fytyrën e saj! Është më shumë se sakrifikim! Zëri që ngreh, në botën aktuale (reale), ku dashuria nuk e ka as kuptimin, as vlerën, as sakrificën si dikur…!”, thotë redaktori Hasan Qyqalla.

“Përmasat jetësore të jetës dhe të dashurisë nuk kanë fund, pasi ato janë edhe lajthitja dhe pengu më i madh brenda qenies njerëzore. Prandaj poeti nuk dorëzohet në udhëtimin e tij nëpër udhët e jetës dhe rrugëtimin e dashurisë. Pse ndodh kështu me poetin? Sepse kjo mësymje qëndron në egon e veçantë që ka Besimi për dashurinë. Ai nuk ndërmerr hapa kaq të vështira për vardisje false, as nuk e mundon epshi i rastit, por është diç më tepër… Është një ndërtim egocentrik dhe me një brumosje të thellë, për fenomenin e quajtur dashuri. Kjo duket përmes ndjeshmërisë dhe gjerësisë lirike, të cilat i kultivon me ëndje në vargun e tij lirik për dashurinë, që është edhe strumbullari i zhvillimit të shoqërisë njerëzore”, rrëfehet në vështrimin e tij redaktori Ejup Ajdini.

Këto dy tituj munden të porositen direkt tek autori, përmes faqes së tij personale www.besimxhelili.at ose përmes postës elektronike [email protected] Autori ka në planifikim orarin e promovimeve të këtyre librave, por në vendlindje kjo do të ndodh me gjasë kësaj vere. Në Austri dhe në Europën Perëndimore ka mundësi edhe më herët të bëhet ndonjë promovim, për të cilin autori me kohë do të publikojë njoftimet përkatëse.