Shkurt.ch

Dy zviceranë në mesin e viktimave të sulmeve terroriste në Sri Lankë

Veç çiftit, edhe një pjesëtar i tretë i kësaj familjeje ka humbur jetën, por ai nuk ka nënshtetësi zvicerane

Në sulmet terroriste që u bënë të dielën në disa kisha në Sri Lankë, kanë gjetur vdekjen dy shtetas zviceranë. Sipas njoftimit që ka bërë Ministria e Jashtme e Zvicrës (EDA), njëri ndër dy viktimat kishte edhe një përkatësi tjetër shtetërore veç asaj të Zvicrës, shkruan sda.ch. Po ashtu edhe një pjesëtar i tretë i kësaj familjeje ka humbur jetën,  por ai nuk ka nënshtetësi zvicerane.

EDA është në kontakt me familjarët e viktimave dhe po i mbështet ata brenda kuadrit të mbrojtjes konsullore.

Që në mëngjesin e sotëm është bërë e ditur se një çift nga Sri Lanka, me qëndrim në Zvicër, ka humbur jetën si pasojë e sulmeve terroriste në një hotel, Sri Lankë, transmeton albinfo.ch. Ata kanë menaxhuar një kiosk në Bernë. Burri 60-vjeçar dhe gruaja 55 vjeçe kishin një vajzë 27 si dhe dy djem, njëri 24 dhe tjetri 18 vjeç. Ky i fundit është plagosur po ashtu në sulmin e përmendur, ndërsa 24-vjeçari ka shpëtuar pa lëndime. Vajza mësohet se nuk kishte qenë në udhëtim me familjarët e tjerë.