Kosova

Edhe policët, mjekët e profesorët do të deklarojnë pasurinë

Deklarimi i pasurisë së zyrtarëve të lartë publikë të Kosovës në Agjencinë Kundër Korrupsion bëhet prej vitesh

Nga viti i ardhshëm mund të shtohen kategoritë e zyrtarëve publikë, të cilët do të obligohen me ligj që të deklarojnë pasurinë e tyre në Kosovë.

Sipas Drejtorit të Agjencisë Kundër Korrupsion, Shaip Havolli, nëse miratohet ligji ashtu siç është propozuar, vitin e ardhshëm pasurinë do duhet ta deklarojnë edhe inspektorët, zyrtarët e prokurimit, profesorët, mjekët, policët, doganierët dhe zyrtarët e ATK-së.

Nga 1 marsi ka filluar procesi i deklarimit të rregullt vjetor të pasurisë së zyrtarëve të lartë publikë, të cilët, në bazë të ligjit janë të obliguar që deri më 31 mars ta bëjnë një gjë të tillë.

Drejtori i Agjencisë Kundër Korrupsion, Shaip Havolli, i tha Radio Kosovës se në 15-ditshin e parë obligimin ligjor e kanë kryer një numër i vogël i zyrtarëve publikë, përcjell albinfo.ch.

“Deri më tash kanë deklaruar një numër shumë i vogël, në krahasim me subjektet deklaruese. Obligimin ligjor e kanë kryer 498 zyrtarë, nga totali që është 4839. Presim tash në ditët në vijim të kemi më shumë zyrtarë që e deklarojnë pasurinë. Për fat të keq, shumica e zyrtarëve e deklarojnë pasurinë në fund, e kjo na paraqet vështirësi të shumta”, tha ai.

Shaip Havolli tha se me ndryshimin e ligjit, në të ardhmen do të mund të shtohen edhe kategori të tjera të zyrtarëve që duhet ta deklarojnë pasurinë.

“E kemi parë të rrugës që pasurinë në të ardhmen ta deklarojnë edhe të gjithë inspektorët, zyrtarët e prokurimit, profesorët, mjekët, policët, doganierët e zyrtarët e administratës tatimore. Këtu nuk përfshinë vetëm deklarimi i pasurisë dhe prejardhjen e tyre, por përfshihet edhe çështja e konfliktit të interesit”, tha Havolli.

Përfshirjen e këtyre kategorive në deklarimin e pasurisë, e mirëpret drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj.

Sipas tij, deklarimi i pasurisë nuk po rezulton i suksesshëm, pasi që edhe në rastet kur shihet ndryshim i madh në deklarimin e pasurisë, mungojnë hetimet.

Deklarimi i pasurisë së zyrtarëve të lartë publikë të Kosovës në Agjencinë Kundër Korrupsion bëhet prej vitesh. Ky proces sipas shoqërisë civile nuk ka rezultuar i suksesshëm, në mungesë të gatishmërisë së institucioneve të drejtësisë për të hetuar ato raste ku ka ndryshime të mëdha, në formularët e deklarimit të pasurisë.