E-Diaspora

“Fritland”, suksesi i një shqiptari në skenën belge

Një kohë të gjatë shitës i patateve të skuqura (simbol gastronomik i Belgjikës ), Zenel Laci arrin të bëhet autor dhe aktor pasi t’i ketë këputur lidhjet me klanin familiar. Ai rrëfen në shfaqjen “ Fritland”.

Ora dhjetë e mëngjesit. Në qendër të Brukselit është pak herët për të ngrënë  patate të skuqura në biznesin e prindërve, ku Zeneli Laci ka punuar që nga mosha 14 deri 30 vjeçare.

Është një pjesë e një jete të jashtëzakonshme që Zeneli na e shpalos mbi tavolinën prej druri, ne dyqanin Fritland, në këtë mbretëri të patateve të skuqura të Belgjikës, e cila ja ka tjetërsuar një pjesë të jetës, por që gjithashtu ka ushqyer njeriun e posaçërisht autorin dhe aktorin që është bërë sot.

Burg dhe muzë njëkohësisht, Fritland ja jep titullin shfaqjes të cilën e ka krijuar për teatrin të “ Poche “ të Brukselit.

Në katin e parë, ekipi i ditës është gati të hap dyert e dyqanit në orën njëmbëdhjetë. Në bodrum, Zeneli Laci na tregon nje mori thasësh me patate, të njëjtat patate që i qëronte që në moshën 12 vjeçe për prosperitetin e ndërmarrjes familjare. Dhe, nëse me njëfarë melankolie na shpie t’i vizitojmë hapsirat e lokalit, tani, krenar të na tregoj që edhe kryebashkiaku i qendrës së Brukselit, z. Phlippe Close ështe një ndër klientët. Një mbrëmje aty ka hasur edhe Eden Hazard ( futbollisti belg me famë ndërkombëtare ). Dyçani gjithashtu zgjon te Zeneli  kujtime të dhimbshme. Zhytur me erën e yndyrës së patateve ai na rrëfen rrugën e tij të pabesueshme.

Një histori që rrënjët i ka në Shqipëri, kur me 1952, gjyshërit dhe babai i tij ikin nga regjimi komunist. “ Gjyshi im ka qenë pronar tokash dhe përkrahës i Mbretit Zog. Duke iu kundërvenë regjimit komunist, ai rrezikonte të burgosej dhe të shpronësohej. Për këtë arsye kanë ikur “.

Babai i tij ishte 16 vjeç kur ëndërronte të shkonte në Amerikë. Por realiteti do të jetë shumë më tragjik: duke kaluar kufirin gjatë një nate të ftohtë dimëri, familjes do t’i vdesin tre anëtarë, që do t’i varrosin në Kosovë, para se të barten në kampet e refugjatëve në Kroaci dhe Itali.

“Në atë kohë, refugjatët i drejtonin për në vendet europiane, por prindërit e mi shpresonin vazhdimisht ta marrin vizën për në Shtetet e Bashkuara“. Kot kanë pritur tetë vjet në kampe refugjatësh para se të heqin dorë dhe të vendosen ne Belgjikë.

“Prindërit kanë lindur në Shqipëri, dy motrat e mëdha në Kosovë, vëllai i madh në Itali, ndërsa vëllai tjetër dhe unë në Belgjikë “. Por, edhepse vendoset në Belgjikë, i ati i Zenelit s’pranon të heqë dorë nga ëndrra e tij. “ Ideja ishte të grumbullojë të holla të mjaftueshme që do t’i duheshin për të shkuar në Amerike. Si pasojë, një pjesë të mirë të kohës ne fëmijët e kalonim mbyllur në shtëpi. Babai s’na lejonte të shoqëroheshim me belgë nga frika se: nëse integroheshim, ëndrra e tij per Amerikën, vdiste”.

Pasi ka punuar në qytezën Clabecq, ky baba kokëfortë, papritur zhvendoset me familje në Bruksel. “ Një mik ja kishte këshilluar këtë dyqan që jepej me qera. Babai, kurrë në jetën e tij s’kishte përgatitur patate të skuqura, (ushqimi më i preferuar belg). Është punë e thjeshtë i kishte thënë: duhen patate, punëtorë për t’i qëruar, dhe të fërgohen dy herë në yndyrë. Babai e kupton se ky është fati i tij, dhe e merr lokalin në vitin 1978, duke na vënë në punë neve, pesë fëmijëve”.

“ Letërsia më ka shpëtuar.”

“Atëkohë isha 14 vjeç dhe vijoja një shkollë teknike. Kjo shkollë nuk me përshtatej, dhe në vend që të shkoja tetë orë në shkollë, unë fshihesha nën çati dhe lexoja”. Jules Verne, Edgar Allan Poe, Baudelaire, Rimbaud, Verlaine  etj.

Por babai e zbulon që ai ikte nga shkolla, ja jep një shuplakë dhe te nesërmen e çon të punojë në dyqan. Gjatë atyre 16 viteve pune në Fritland, Zeneli, vazhdon të lexojë prapa banakut, të shkruajë poezi në qeset prej letre të patateve të skuqura.                                                  Dhe, përderisa vëllezërit e tij me të hollat që fitonin visheshin e dilnin, ai blen libra. Lokali Fritland, bëhet teatri i tij, një lloj observatori i gjendjes njerëzore. Për të mirën: për shembull kur lidh miqësi me një të pastrehë, ish profesor i frëngjishtes i cili ia zbulon Sartre- in dhe filozofinë e tij, ose natën kur bisedon me një prostitutë humaniste, e cila do ta frymëzojë më vonë për personazhin e pjesës së vet “Valencia princesse du mond”( Valencia princeshë e botës ).

Por edhe për të keqen. “ Atëkohë qendra e qytetit ku ndodhej dyqani ishte e dhunshme, punë kishte shumë, lokali ka qenë i hapur non-stop : 24/24 orë, në një zonë të rrezikshme ku qejflitë e natës, pijnë e festojnë. Kishte përleshje të çdoditshme. Ka ndodhur të ketë edhe vrasje, dhe pavarësisht moshës tonë të re, duhej shërbyer dhe mbrojtur njëkohësisht lokalin nga dhuna e natës. Domosdo, nga nevoja bëhesh edhe vetë i dhunshëm. U pata mbyllur në vetvete, pothuaj s’flisja me askë, as me myshterinjtë. Në fund të natës strehohesha në letërsi. Duhej vjedhur kohë për lexim,  (duke lexuar letërsi) kjo ishte mbijetesa ime”.

Më 1997-të në moshën 30-të vjeçare, Zeneli kërkon të bëjë jetë tjetër. Ai braktis familjen, lë punën në lokal dhe fillon studimet për të arritur ëndrrën e tij.

Në vitin 2000, mbaron shkollën e lartë për skenografi dhe më 2004 vazhdon studimet universitare për regji dhe dramaturgji. Tani e tutje dyert e teatrit atij i hapen.

Deri tash, Zeneli ka shkruar dhe vënë në skenë pjesë dramatike ndër të cilat :  Vivre, Human Beauty, Journal du femme du Kosove ( Ditari i një gruaje nga Kosova ), frymëzuar nga kronika e mbajtur nga Sevdije Ahmeti, militante shqiptare për të drejtat e njeriut, gjatë luftës në Kosovë.

Sot, Zeneli është autor, regjisor dhe aktor. Ai luan për herë të parë në skenë rolin e tij. Prej 23 prill, çdo mbrëmje në orën 20:30mn, para një salle të stërmbushur, rrëfen historinë e tij. Si shpërblim duartrokitjet e gjata dhe të përzemerta të publikut ndezin sallën. Shfaqja vazhdon deri më 23 maj.

Suksesi publik, e shpie spektaklin në mediat belge: gazetat, radio, televizioni.

Ky vlerësim ka shtyrë Olivier Blin, drejtor i teatrit të “ Poche “ të Brukselit, që shfaqja të luhet edhe dy javë në qershor : prej datës 8-të dhe 20-të, të muajit. dhe të riprogramohet për vitin e ardhshëm. Regjinë e ka bërë regjisori me origjinë franceze, Denis Laujol, njëherësh edhe aktor në këtë shfaqje.

Ngjarja e saj është : historia e një fëmije përkatësisht të riu, të një refugjati politik shqiptar, që është përballur me realitetin, duke u emancipuar nga kultura patriarkale e përindërve të vet, dhe, duke pasur guxim të besojë e realizojë ëndrrën e tij.

 

Mediat belge shkruajnë për shfaqjen Fritland :

Me humor dhe prekës ! – La Libre Belgique

Lemë aty një copë zemre ! – Le soir

Kjo shfaqje të bën çmendurisht mirë. Qeshim më shumë se një herë, dalim nga aty të prekur dhe të lumtur.  – Françoise Nice

Zenel Laci të mbërthen që në çastet e para ! – RTBF Culture

Një spektakël intim, i ndjeshëm dhe i çmuar. – Brussels is Yours

I urojmë jetë të gjatë këtij krijimi të bukur.  – RTBF La Première

 

 

Për më tepër informacion : www.poche.be

 

Katherine Makereel

Gazeta Le Soir, 23 prill 2019

Përktheu: E. Gashi