Kosova

Gërvalla: 50% e ambasadorëve do të jenë diplomatë karriere

Ministrja e Punëve të Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, ka thënë se në Shërbimin e Jashtëm minimum 50 për qind e ambasadorëve do të jenë diplomatë të karrierës. Ajo u shpreh se s’do të ketë konsuj politikë dhe me këtë përqindja e diplomatëve politikë të Kosovës në Shërbimin e Jashtëm do të bjerë edhe më shumë, përcjell albinfio.ch.

“Proporcioni politik dhe diplomatë të karrierës, s’do ta kalojë asnjëherë 50-50-shin. Së paku, minimumi 50 për qind e ambasadorëve tanë do të jenë diplomatë të karrierës. Konsuj politikë nuk ka në qeverinë tonë. Nuk është praktikë ndërkombëtare ky nocion. S’do të ketë praktikë të tillë. Duke marrë ambasadorët do të jetë së paku 50 për qind, e me konsujt, përqindja do të jetë më shumë kah diplomatë të karrierës se politikë. Do të ndërtojmë me kujdes akademinë diplomatike”, ka thënë ajo të martën para deputetëve në Komisionin Parlamentar për Politikë të Jashtme.

Po ashtu, ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka thënë se nuk do të ketë vakum institucional pas shkarkimit të 12 ambasadorëve të emëruar politikisht.

Ajo ka thënë se afati i kthimit të tyre në Kosovë është data 30 gusht.

“Kthimi i ambasadorit dhe dërgimi i ambasadorit do të kalojë në procedurat e pranim-dorëzimit të tyre”, ka thënë ajo. “Vakum institucional në përfaqësim nuk do të ketë. Nuk kam çfarë të bëj me Australinë, nuk mund ta kthej kohën e qeverive të kaluara. Nuk dyshoj në integritetin e ambasadorëve te liruar nga detyra”, ka thënë ajo.

Deputetja Ariana Musliu-Shoshi e ka pyetur Gërvallën nëse i di procedurat e emërimit të ambasadorëve. Ajo ka shtuar se kjo tregon papjekurinë e Gërvallës në politikën e jashtme.

E pyetur se cilat janë problemet më të mëdha që i ka gjetur në MPJ, Gërvalla ka thënë se kanë gjetur shkelje të ligjit dhe që në ditët e para janë munduar t’i largojnë.

“Ka pasur gradime të parregullta. Vetëm një zonjë e kemi në Departamentin e IT-së sepse të tjerat kanë shkuar diplomate. Kur te vijmë në mëngjes pyesim ku është Afërdita… Për gjëra t tjera nuk do të shfrytëzoja këtë forum sepse nën një janë të shumta dhe nën dy nuk do të doja t’i nxirrja te gjitha të palarat”, ka thënë ajo.

Deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, ka thënë se shkarkimi i ambasadorëve ka qenë veprim i ngutshëm.

“Nuk është dashur të bëhet një skandal i tillë, ata është dashur të kthehen me procedura të rregullta”, ka thënë ajo.

Gërvalla ka shprehur vërejtje për Ligjin për Diasporën.

“Ai është përgatitur në Kosovë me atë qe njerëzit që jetojnë këtu mendojnë që është mirë për mërgatën. Duhet të shkojmë dhe të shohim se çka mendon mërgata. Kosova nuk duhet të kontrollojë organizimet e mërgatës”, ka thënë ajo.