Integrimi

Have Shala – Nga pajtimi i gjaqeve në Kosovë te pajtimi social në Zvicër

E bërë e njohur gjatë aksionit të pajtimit gjaqeve në vitin 1990, në Kosovë, Have Shala Gërguri, prej shumë vitesh merret me një lloj tjetër “pajtimi”: atë social dhe integrues të familjeve shqiptare në Zvicër

Have Shala Gërguri është emër i njohur në komunitetin shqiptar të Zvicrës, si punëtore sociale dhe si aktiviste. Por ajo ka një sfond prej aktivisteje edhe para se të vinte në Zvicër. E burgosur e ndërgjegjes që në moshën shkollore, ajo do të lirohej nga burgjet serbe vetëm në vitin 1989, pas pesë vitesh të rënda vuajtjesh e keqtrajtimesh. Por, “dalja nga burgu nuk do të thoshte liri për një ish të burgosur politik. Ajo ishte vetëm fillimi i përcjelljeve dhe i ndjekjeve të reja”, thotë Hava.

Pak muaj pas lirimit, një grup të rinjsh, kryesisht ish të burgosur, iniciojnë aksionin e pajtimit të gjaqeve dhe Have Shala do të ishte në bërthamën e parë të kësaj nisme fisnike.

“Në vitin e katërt të gjimnazit bashkë me disa shoqe dhe shokë të shkollës kemi formuar Grupin “Ideali” në përkrahje të kërkesës për avancimin e statusit të atëhershëm të Kosovës në Republikë. Pas shpërndarjes së disa pamfleteve dhe kryerjes së disa aktiviteteve të tjera propagandistike, jemi zbuluar nga shërbimi sekret policor, jemi burgosur, jemi torturuar në procesin e hetimeve dhe jemi dënuar me dënime të gjata burgu. Kam qëndruar në burg nga fundi i vitit 1984 deri në fund të vitit 1989. Dënimin e kam mbajtur kryesisht në burgun hetues të Mitrovicës, ku praktikisht nuk kanë pushuar provokimet dhe torturat”, rrëfen Shala për albinfo.ch.

Sfidat pas burgut dhe Aksioni i Pajtimit të Gjaqeve

Pas daljes nga burgu ajo ka marrë pjesë në protestat e kohës. Në vlugun e demonstratave ka lindur edhe ideja e fillimit të Aksionit të Pajtimit të Gjaqeve – aksion në të cilën Have Shala ishte aktive gjatë tërë vitit të pajtimeve.

Në vitin 1991 ajo, si një e përndjekur politike, vjen në Zvicër. “Dalja nga burgu nuk do të thoshte liri për një ish të burgosur politik. Dalja nga burgu ishte vetëm fillimi i përcjelljeve dhe i ndjekjeve të reja. E koha e daljes sime nga burgu ishte koha e suprimimit të autonomisë së Kosovës dhe, prandaj, edhe koha e protestave dhe e demonstratave të shumta në të cilat natyrisht se nuk mund të mungoja… Nuk mungonin as provokimet e tentativat për arrestim…”, rrëfen ajo.

Por, ardhja në Zvicër, ishte një sfidë tjetër për Havën, sigurisht pa dhembjet me të cilat ajo ishte mësuar në Kosovë. Kjo sfidë ishte integrimi në shoqërinë e vendit të ri. “Sfidë ishte edhe mësimi i gjermanishtes, por një sfidë pa përballimin e së cilës nuk mund t’i hyje sfidës së quajtur “integrim”. Zaten për mua integrimi është vetë punësimi, komunikimi me rrethin, me autoritetet, përcjellja e rrjedhave shoqërore dhe politike në vend. Për mua integrimi është një proces që vazhdon”, nënvizon bashkëbiseduesja jonë.

Puna me nxënësit shqiptarë

Në atë kohë (viti 1991) për ndonjë nivel të shkollimit dhe të integrimit të bashkatdhetarëve tanë këtu, nuk mund të flitej. Me shtimin e valës së refugjatëve u shtuan edhe nevojat e përkrahjes nga veprimtarët e dikurshëm. Ata, në procesin e integrimit të tyre integronin edhe të tjerët. Këtë fat e pata edhe unë. Nevojë imediate ishte kyçja në procesin mësimor të mësimit plotësues. Tek fëmijët shqiptarë shihja mundësinë e përcjelljes së disa prej njohurive themelore të gjuhës dhe të kulturës së Atdheut. Përmes punës me fëmijë kam arritur të njihja edhe vështirësitë dhe preokupimet e familjes shqiptare. Në dy prej shkollave të qytetit të Cyrihut mësimi plotësues në gjuhën shqipe ishte integruar në procesin e rregullt mësimor, gjë që më ofroi mundësi për bashkëpunim me pedagoge të shkollave të rregullta dhe në arritjen e kualifikimeve pedagogjike-didaktike. Sot punoj kryesisht si këshilltare pranë Zyrës për Integrim në Winterthur dhe përcjellëse social-pedagogjike familjare”.

Ngecje në integrim, ashtu sikurse në fushat tjera

Por, si e sheh Have Shala Gërguri shkallën e integrimit të shqiptarëve në Zvicër aktualisht? “Natyrisht se shkalla e integrimit të popullsisë shqiptare është në përputhje me nivelin e shkollimit tonë si popull dhe, për shkaqe që dihen, në këtë aspekt ngecim. Është e kuptueshme se krahasuar me të kaluarën ka përparime, por ato janë ende larg nga të dëshiruarat”, thekson ajo. Dhe, ku qëndron gruaja shqiptare e Zvicrës në këtë kontekst? Cila është shkalla e emancipimit të saj? Have Shala, duke u marrë për shumë vjet me familjen shqiptare, ka kompetencën e duhur që të flasë për këtë. Ajo për më tepër, nuk ngurron t`i emërtojë dukuritë me emrin e tyre të vërtetë, pavarësisht kundërshtimeve të rrethit. “Është i njohur fenomeni i konservimit të familjeve të mërguara. Gruaja shqiptare ka jetuar në një shoqëri relativisht konservative, që ka vazhduar të mbizotërojë edhe në mërgim. Për sa kohë që janë intensive dhe të pa diferencuara marrëdhëniet ekonomike mes familjes bërthamë dhe familjes së mërguar, gjë që, për shkak të gjendjes ekonomike në vendet e prejardhjes, do të vazhdojnë të mbesin edhe një kohë të tilla, unë shoh vazhdimin e sundimit të konservativizmit me të gjithë mekanizmat e tij frenues në emancipimin e gruas shqiptare. Kjo nuk nënkupton pakësimin apo shkëputjen e këtyre marrëdhënieve, por qartësimin e tyre.

Gruaja e emancipuar, emancipon gjithë familjen

Gruaja e emancipuar në mërgim është një shtysë për emancipimin e familjes edhe në vendet e prejardhjes. Pikërisht këtu në diferencimin që ka filluar të ndodhë në interesat ekonomike mes familjeve këtu dhe atyre atje, të cilën gjë e kanë sjellë ndryshimet e mëdha shoqërore – çlirimi i vendit, mundësitë sado të pakta të punësimit atje, por edhe inkuadrimi i të rejave dhe të rinjve të gjeneratës së dytë këtu, të cilët kanë një qëndrim tjetër ndaj parasë dhe lidhje të tjera emocionale me familjarët e prindërve të tyre- shoh fillimin e ndryshimeve që po ndodhin”, thotë ajo.

Ndërsa problemi më akut i shoqërisë shqiptare në përgjithësi, prandaj edhe asaj në mërgim, sipas Have Shalës është “konservimi” i problemeve në vend të debatit rreth tyre. “Mos bisedimin hapur të preokupimeve, përpjekjen e fshehjes së “dobësive”, e shoh si një problem të shumë familjeve shqiptare në Zvicër. Sa më shumë që përpiqemi të mos i theksojmë të metat dhe dobësitë tona, aq më të vështirë do ta kemi ballafaqimin me to. Përpjekja për të kërkuar shkaqet e dështimi, jo së pari tek vetja jonë, por tek faktorë të jashtëm – të cilët nuk përjashtohen, por nuk janë të vetmit – do të na e vështirësojë përditshmërinë tonë. Krijimi i grupeve të diskutimit të problemeve dhe këmbimi i përvojave në zgjidhjen e tyre është një metodë që e përdorën të gjitha grupet shoqërore. Edhe ne s’do të duhej të kërkonim ndonjë mjet tjetër të shenjtë përveç bashkëbisedimit”, përfundon Have Shala Gërguri.

 

Rrënjët e konservatorizmit të familjes shqiptare

Për sa kohë që janë intensive dhe të pa diferencuara marrëdhëniet ekonomike mes familjes bërthamë dhe familjes së mërguar, gjë që, për shkak të gjendjes ekonomike në vendet e prejardhjes, do të vazhdojnë të mbesin edhe një kohë të tilla, unë shoh vazhdimin e sundimit të konservativizmit me të gjithë mekanizmat e tij frenues në emancipimin e gruas shqiptare