E-Diaspora

Iseal ka promovuar në Prishtinë 4 botimet më të reja

Diaspora, urë e shkëmbimit të njohurive është projekti i radhës së ISEAL-it

Instituti Zviceran i Studimeve Shqiptare (ISEAL), bëri paraqitjen e 4 botimeve më të reja të tij, të enjten, më 17 nëntor 2016, në Bibliotekën Kombëtare “Pjetër Bogdani” në Prishtinë.

Qëllimi i këtij aktiviteti dhe i pranisë së autorëve të librave që u prezantuan ishte diskutimi mbi temën e imazhit në media, të bërësve të opinioneve si dhe ndikimet e tyre në shoqëri. Veçanërisht në këtë aktivitet u diskutua mbi përfshirjen, shkëmbimin dhe bartjen e përvojave të diasporës në këtë temë.

Gjithashtu, ngjarja u pasua edhe me prezantime të tjera mediale në këtë fushë.

Botimet në përgjithësi kanë të bëjnë, me pasqyrimin e jetës dhe veprimtarisë së shqiptarëve në Zvicër si dhe ndikimin e ndërsjellë të tyre në jetën zvicerane në raport me mediat dhe shoqërinë zvicerane.

Më saktësisht, librat në fjalë janë botime të ndara në gjuhët frënge dhe gjermane, të cilat titullohen si në vijim:

  • Imazhi i Shqiptarëve në mediat zvicerane
  • Dallime Identike,Ese mbi përkthimin
  • Shqiptarët e moshës së tretë në Zvicër

Autorët e librave, përvec rolit autorial që kanë janë edhe personalitete të rëndësishëme edhe në fusha të ndryshme. Ata janë, gazetari Alain Maillard, kryeredaktori i platformës informative “Dialog Plus” në Zvicër, Kujtim Shabani, historiani dhe zëvendësi në Sekretariatin e Përgjithshëm në Departamentin e Financave dhe Marrëdhënieve me Jashtë në Kantonin Vaud, Olivier Meuwly si dhe drejtori i Institutit ISEAL, njëherësh mësimdhënës në Kolegjin Léon-Michaud në Yverdon të Zvicrës, Driton Kajtazi.

Në promovim-debat, pjesëmarrësit ishin të shumtë si dhe të profileve të ndryshme, ku ndër ta ishte edhe Ministri i Diasporës z.Valon Murati, i cili përvec që e mori fjalën u kyҫ edhe në debat. Të pranishëm ishin edhe përfaqësues nga Ambasada Zvicerane, drejtues të institucioneve të ndryshme vendore, Profesorë e studentë të numërt, artistë si Ilir dhe Korab Shaqiri, Gjira e të tjerë si dhe lexues të rëndomtë.

Kjo vizitë është bërë në kuadër të Projektit të ISEAL-it “DIASPORA URË E SHKËMBIMIT TË NJOHURIVE”, i cili është në kuadër të projektit: Promovimi i Shoqërisë Demokratike (DSP) – i financuar nga Zyra Zvicerane për Bashkëpunim në Kosovë (SCO-K) dhe menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF).

Gjatë kësaj jave pos promovim-debatit në biblotekën Kombëtare, autorët patën edhe një seri aktivitetesh në mesin e të cilave një takim pune me Ministrin e Diasporës z.Valon Murati dhe bashkëpunëtorët e tij.

Gjithashtu, u takuan edhe me Kryetarin e Odës Ekonomike të Kosovës z. Safet Gerxhaliu, me drejtuesit e Fakultetit të Filologjisë në mesin e të cilëve Dekanen e Fakultetit Filologjik të Universitetit të Prishtinës, “Hasan Prishtina” znj.Lindita Rugova dhe me drejtuesit e Kolegjit Universitar “ILIRIA”, në mesin e tyre themeluesi z. Mixhait Reҫi.

Gjatë konferencës së mbajtur në Kolegjin Universitar “ILIRIA”, z.Olivier Meuwly bëri një debat me temën e Demokracisë së drejtëpërdrejtë në Zvicër. Me këtë rast, studentët treguan një interesim të madh dhe shkëmbimi i z. Meuwly me studentë e pasuroi përmbajtjen e kësaj konference.

Përgjatë të gjitha aktiviteteve u bënë shkëmbime dhe analizë e mundësive të shkëmbimit afatgjatë ndërmjet institucioneve vendore dhe atyre zvicerane.

Përveҫ, aktiviteteve për promovimin/paraqitjen e botimeve, ISEAL dhe temës së mediave dhe bërësve të opinioneve në kuadër të projektit do të ketë edhe dy periudha të tjera kohore, të cilat do të kenë në shënjestër Ekonominë dhe Diasporën (në muajin shkurt 2017) dhe Shëndetit Mendor Publik (në muajin maj 2017).

Paraqitja e botimeve të fundit të ISEAL-it, nxiti debate e pyetje të shumta nga më të ndryshmet, mbi temën e imazhit të mediave dhe të opinioneve si dhe të ndikimit të tyre në shoqëri, nga të pranishmit në bibliotekë. Njëra ndër pyetjet e pjesëmarrësve ishte se “sa kanë arritur mediat të ndërrojnë këndvështrimin negativ për shqiptarët, si dhe ҫka duhet të bëjmë në për ta ndërruar këtë këndvështrim?” Në këtë pyetje, autori i librave z. Shabani, u përgjigj se “Përshtypja e pëgjithshme në raport me shqiptarët është jo se kanë ndryshuar imazhin por janë bërë më miqësore.”

Gjithashtu, sa i pëket kërkesës së shqiptarëve për shtetësi zvicerane, z. Maillard, shtoi se kjo cështje, për Zvicrën ka rëndësi, meqë faktikisht, kërkon një vullnet për integrim.

Vlen për tu cekur se botimet edhe pse në gjuhët frënge dhe gjermane, interesimi për ta patur librin ishte shumë i madh, që do të thotë se analizat dhe informacionet rreth kësaj teme kanë qenë shumë të rëndësishme dhe të nevojshme për qytetarët

Driton Kajtazi pasi falenderoi Zyrën Zvicerane për Bashkëpunim në Kosovë (SCO-K) dhe Fondacionin Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF), bëri një paraqitje të librave dhe kontekstit të përpilimit të tyre. Për ilustrim, ceku faktin se vetëm për librin “Imazhi i Shqiptarëve në Mediat Zvicerane” ishin mbi 21 persona që kontribuan me njohuritë e tyre për të pasuruar përmbajtjen.

Në fillim të promovimit, drejtori i ISEAL-it, Driton Kajtazi, së pari bëri një paraqitje të shkurtër të këtij Instituti. Ai tha se Instituti është njohur nga Konfederata Zvicerane në vitin 2008 si Institucion me vlerë publike, duke përjashtuar çdo qëllim përfitimi, i cili poashtu, është Instituti i vetëm i të huajve me një njohje të tillë nga Konfederata zvicërane. Kajtazi theksoi se gjatë tetë vite pune të vazhdueshme të ISEAL-it, edhe pse nuk ka munguar përkrahja për projekte të ndryshme, gjithnjë duke patur synim në mirëqenie dhe imazh pozitiv të shqiptarëve në Zvicër, megjithatë puna kryesore gjer më tani është rezultat i një pune vullnetare nga themeluesit, nga drejtuesit e këtij Instituti dhe me përkrahjen e Shoqatës së miqëve së ISEAL-it (mbi 180 personalite të ndryshme zvicërane, shqiptare dhe të tjerë e kanë themeluar këtë shoqatë)

Driton Kajtazi ceku faktin me rëndësi, se me institutin ISEAL shqiptarët më nuk janë vetëm objekt i studimeve, por edhe studiues.

Ndër të tjera, z.Kajtazi, bëri të ditur se këta libra në vitin e ardhshëm do të botohen edhe në gjuhën shqipe.

Instituti, ka disa sektorë, ndër të cilët janë ai i hulumtimeve, i botimeve, mësismdhënies dhe atij të dokumentacionit.

Përvec sukseseve gjatë punës së tij ISEAL, tashmë qe 2 vite është kurorëzuar edhe me ndërtesën e vet, që i mundëson të zhvillojë aktivitete në mënyrë dinjitoze e pofesionale. Kjo ndërtesë është fryt i bashkëpunimit të gjatë me qytetin e Llozanës. Në procesin e punimeve në renovim të ndërtesës, po bashkëpunojnë vullnetarisht edhe tri ndëmarrje shqiptare, në mënyrë që ndërtesa të përkojë me qëllimet e synimet e aktiviteteve të ISEAL-it, shtoi Kajtazi.

librat-iseal