Maqedonia

Ish-ministrja e Gruevskit dënohet me gjashtë vjet burg

Një gjykatë të hënën dënoi ish-ministren e brendshme Gordana Jankuloska me gjashtë vjet burg për përfshirjen e saj në blerjen e jashtëligjshme të një Mercedesi luksoz në një vendim të shkallës së parë të cilin ajo mund ta apelojë.

Ish-ministrja e brendshme e Maqedonisë, Gordana Jankuloska, u dënua me gjashtë vjet burg të hënën në një vendim të shkallës së parë për “shpërdorim detyre”, për përfshirjen e saj në blerjen e paligjshme të një Mercedesi luksoz në vitin 2012 që ish-kryeministri Nikola Gruevski kishte përdorur fshehurazi.

Gjatë dhënies së vendimit, gjyqtarja e Gjykatës Penale të Shkupit Dobrila Kacarska tha se pasi Gruevski kërkoi blerjen e Mercedesit prej 580,000 eurosh nga Jankuloska, ajo inkurajoi vartësin e saj, ish-ndihmësministrin e brendshëm Gjoko Popovski, që të mashtronte procedurën e tenderimit duke favorizuar kompaninë Mak Auto Star.

“E pandehura, me paramendim, nxiti Popovskin të kryente një vepër penale,” tha gjykatësja Kacarska.

Jankulovska nuk ishte e pranishme në gjykatë për vendimin. Ajo më parë e deklaroi veten të pafajshme. Ekipi i saj i mbrojtjes u ankua se të drejtat e saj ishin shkelur, pasi gjyqi zgjati shumë. Gjykata e refuzoi ankesën si të pabazuar.

Pasi gjyqtarja lexoi dënimin, prokurorja speciale Fatime Fetai tha se duke qenë se Jankulovska ishte e pandehur në gjykime të tjera, ajo rrezikonte të arratisej, kështu që kërkoi një masë paraprake.

Gjykata miratoi një masë, e cila ndalon Jankulovskën të largohet nga territori i Shkupit.

Në të njëjtin rast, të koduar me emrin “Tanku”, Gjykata Penale dënoi Gruevskin dhe Popovskin me burg në maj për këtë krim.

Gjykata e Apelit të premten e kaluar konfirmoi dënimin me dy vjet burg për ish-kryeministrin Gruevski. Në të njëjtën kohë, ajo reduktoi dënimin me burg të Popovskit nga gjashtë vjet e gjysmë në katër vjet e gjysmë.

Gjykata më parë ndau gjyqin e të pandehurës së tretë në të njëjtin rast, ish-ministren e brendshme Gordana Jankulovska, për shkak të shtatzënisë së saj në atë kohë.

Duke qenë se vendimi kundër Jankuloskës ishte një vendim i shkallës së parë, ajo mund ta apelojë dënimin.

Anëtarja e lartë i ish-partisë qeverisëse VMRO DPMNE kaloi nëntë vjet në krye të Ministrisë së Brendshme në qeverinë e Gruevskit, nga viti 2006 deri në vitin 2015. Ajo shihej si aleate e ngushtë e Gruevskit.

Së bashku me shumë ish-zyrtarë të lartë shtetërorë në qeverinë e Gruevskit, e cila u akuzua gjerësisht për korrupsion, ajo përballet me gjyqe dhe hetime të tjera penale. Ajo është gjithashtu e pandehur në një rast tjetër të Prokurorisë Speciale, të koduar me emrin “Titaniku”, që ka të bëjë me manipulimin e dyshuar të zgjedhjeve gjatë zgjedhjeve të kaluara, shkruan BIRN, përcjell Albinfo.ch.

Prokuroria Speciale u formua në vitin 2015 si pjesë e një marrëveshjeje krize të ndërmjetësuar nga BE-ja midis partisë së atëhershme VMRO DPMNE dhe Partisë Social Demokrate në atë kohë në opozitë, SDSM.

Ajo u ngarkua me hetimin e akuzave për krime të nivelit të lartë që dolën në përgjime të shumta telefonike të bëra publike nga opozita e atëhershme SDSM-ja.

Prokuroria Speciale më vonë arriti në përfundimin se përgjimi i mijëra njerëzve, përfshirë ministrat e qeverisë, ishte kryer nga policia sekrete. Gjyqi mbi pretendimet e përgjimit vazhdon gjithashtu.