Guida turistike: Zbulo bukuritë e Kosovës

Kosova nën zhurmën e dasmave

Alegria e dasmave në Kosovë po vazhdon. Çmimi për këngëtarë me emër sillet prej 1000 deri në 5000 euro. Çmimi i dasmës në restorant varet edhe nga menyja, e cila sillet prej 10 euro deri në 30 euro


Një kolonë makinash me flamurin kombëtar shqiptar në krye, ndalet të shtunën pasdite në vendparkingun ndanë autostradës Prishtinë-Prizren në afërsi të Malishevës. Krushqit nga Bllaca e Suharekës kishin marrë nuse në një fshat të Drenasit dhe po ia hidhnin valles para se të vazhdonin rrugën për në Bllacë. Ky aheng tregon se sezoni i dasmave tashmë ka filluar në Kosovë.
I zoti i dasmës, Baki Lumi, është kthyer nga Italia ku ndodhet prej vitesh me punë, për ta martuar të birin. Thotë se martesa e djalit të madh është “gëzimi i parë” dhe për këtë nuk është kursyer për dasmë.
“Nuk jam nga ata që kanë shumë pasuri, gjendja ime ekonomike është modeste, por për dasmën e djalit të parë, ia vlen të harxhohet. Kam kursyer për disa vite dhe tash jam i lumtur që po e bëj dasmën e djalit dhe i kam ftuar miqtë dhe farefisin tim”, thotë Bakiu.

Bën dy dasma: njërën në shtëpi e tjetrën ne restorant

Tashmë është bërë pothuaj traditë që me të hyrë muaji qershor, pastaj gjatë korrikut dhe gushtit, në familjet kosovare shpërthen alegria e dasmave. Miq dhe farefis – kudo që ndodhen, në diasporë dhe në Kosovë, dakordohen për datat se – cili dhe kur e ku do ta ketë dasmën apo ndonjë aheng tjetër që ka rezervuar shumë muaj më parë.
Sipas një hulumtimi që ka bërë Albinfo.ch del se kosovarët janë dorëlëshuar sa u përket harxhimeve për dasma dhe ahengje familjare. Ata nuk kursehen, ndërsa shpenzimet janë bukur të larta.
“Ne si familje ende nuk jemi shkëputur krejtësisht nga tradita, andaj më është dashur të bëj dy dasma – njërën sipas traditës – gjatë ditës në fshat, dhe tjetrën në mbrëmje në restorant”, tha Baki Lumi.
Ai shtoi se në restorantin që ka prenotuar që nga muaji mars, ka ftuar gjithsej 230 dasmorë, ndërsa, veç ushqimi dhe pijet për mysafirët i ka kushtuar 14 euro për një dasmor.

Dasma “modeste”, mbi 3000 euro

“Muzikën e kam bakshish, sepse në dasmë do të këndojë vajza e motrës sime që është këngëtare e rregullt në restorantin ku do ta kem dasmën, kështu që do të paguaj vetëm ushqimin dhe pijet”, tha Lumi. Sipas kësaj, del se Baki Lumit, dasma e tij, siç e quajti ai “modeste”, do t’i kushtoj hiç më pak se 3220 euro.
Ndryshe, gjatë ditëve të verës, me qindra mijëra euro derdhen nëpër restorante, në xhepat e këngëtarëve, në studiot e bukurisë, për veshjen e nuses etj. Të gjitha ditët e javës tashmë janë ditë të dasmës në Kosovë dhe nuk është më vetëm e enjtja apo e diela, siç ka qenë më herët. Ndërsa nëse nuk është kontraktuar më herët studioja e bukurisë, atëherë vaj halli për nusen e re.

Sa fitojnë këngëtarët

Çmimi për këngëtarë me emër të njohur sillet prej 1000 deri 5000 euro. Çmimi i dasmës në restorant varet edhe nga menyja, e cila sillet prej 10 euro deri në 30 euro varësisht nga xhepi i atij që organizon dasmën.
Njëri nga hotelet më të njohur në Kosovë, hoteli “Emerald” që ndodhet në hyrje të Prishtinës, ndërkaq, ka dy – tri oferta (meny) për dasma që kapin shumën prej 25, 28 dhe 32 euro për një dasmor. Sipas llogarisë, nëse dikush prenoton një dasmë në hotel “Emerald” me menynë e çmimit më të lartë prej 32 eurosh-për 300 dasmorë do t’i kushtojë 9600 euro.
Albinfo.ch, ka hulumtuar disa restorante në Prishtinë, Podujevë dhe Mitrovicë, nëpër të cilët rëndom këndon këngëtari Hysni Klinaku, dhe ata kanë informuar se Klinaku në dasmë këndon për një honorar që sillet rreth 2000 euro.

Menytë dhe çmimet e tyre

Më poshtë po sjellim përmbajtjen e menysë më të shtrenjtë (32 euro) që ka hoteli “Emerlad” në Prishtinë:
-Kanape me salmon të tymosur dhe djathë të freskët, profiterol me pate pule, brumëra me karkalec deti dhe salcë kokteli, terrinë vegjetariane në xhelatinë me salcë erëzash të freskëta, quiche zvicerane me djathë;
Sallatë e freskët sezonale me salcë franceze dhe djathë gorgonzola;
Medaljon viçi, file gjedhi Wellington, gjoks pule me farsë shafrani, në salcë me kërpudha morel, me patate florentina dhe perime të përziera;
Desert kafeje (parfe nga kafja, tiramisu dhe salcë nga vanilja)
Pije joalkoolike: Aqua Panna, San Pellegrino, Coca-Cola, Fanta, Schweppes, Tonic, Rauch Bravo lëngje frutash
Pije alkoolike: Verë e bardhë dhe e kuqe italiane, birra Peja, Bavaria, Tuborg, Ballantine’s Whiskey, Finlandia Vodka, Beefeater Gin, Raki rrushi.

Tre muaj sezoni i dasmave
Tashmë është bërë pothuaj traditë që me të hyrë muaji qershor, pastaj gjatë korrikut dhe gushtit, në familjet kosovare shpërthen alegria e dasmave. Miq dhe farefis – kudo që ndodhen, në diasporë dhe në Kosovë, dakordohen për datat se – cili dhe kur e ku do ta ketë dasmën apo ndonjë aheng tjetër që ka rezervuar shumë muaj më parë.


 Të tjera nga Guida turistike: Zbulo bukuritë e Kosovës