Kosova

Kosova zotohet ta themelojë Asociacionin, por pas anëtarësimit në Këshill të Evropës

Së fundmi, raportuesja për Kosovën në Këshillin e Evropës, Dora Bakoyannis, ka marrë zotimin nga tre liderët shtetërorë se do të themelohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe. Zotimi është shprehur në një letër të përbashkët të tyre, përmbajtjen e së cilës e ka konfirmuar kryetarja e Grupit parlamentar të Vetëvendosje, Mimoza Kusari Lila. Por, udhëheqësit shtetërorë kanë theksuar se zotimet do të jetësohen pas bërjes së Kosovës shtet anëtar i Këshillit të Evropës, përcjell albinfo.ch.

Thuhet se përfaqësues të partisë në pushtet konfirmuan të shtunën se nëpërmjet një letre të përbashkët, presidentja Vjosa Osmani, kryeparlamentari Glauk Konjufca dhe kryeministri Albin Kurti janë deklaruar se do ta respektojnë besnikërisht një listë zotimesh që u është përcjellë nga raportuesja për Kosovën në Këshillin e Evropës, Dora Bakoyannis, shkruan koha.

Ndërkohë, në listë përfshihet edhe zotimi për ta themeluar sa më shpejt Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Por, udhëheqësit shtetërorë kanë theksuar se zotimet do të jetësohen pas bërjes së Kosovës shtet anëtar i Këshillit të Evropës (KE).

Kryetarja e Grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari Lila, tha se Asociacioni nuk është çështje e veçantë për zbatim.

“Letra nuk është asgjë më shumë se një formalitet që duhet përmbajtur. Kurse pjesëve të raportit që u referohet letra, nuk janë pjesë, por referencë tek opinioni i raportueses Bakoyannis. Opinioni për Kosovën e përmend megjithatë marrëveshjen bazike në tërësinë e saj. Jo të veçantë, të nxjerrë nga aty vetëm neni 7, por domethënë pjesët e raportit i referohen tërësisë së obligimeve që rrjedhin nga marrëveshja bazike. Në të hyn njohja de-facto, anëtarësimi në organizata ndërkombëtare, barazia sovrane dhe gjithashtu edhe organizata sipas nenit 7”, ka thënë ajo.

Por, ndaj kësaj gatishmërie të krerëve të shtetit ka reaguar opozita.

Ish-kryeministri Avdullah Hoti, i cili është deputeti i Lidhjes Demokratike, ka përmendur kohën kur kryeministri Kurti me partinë e tij kanë mbledhur nënshkrime kundër Asociacionit, për të cilin është zotuar në letrën e Bakoyannis se do ta themelojë.

“205 mijë nënshkrime i kanë mbledhur kundër Asociacionit sa ishin në opozitë, të cilat janë të arkivuara në Kuvendin e Kosovës. Tash, kur janë në pushtet, bëhen rresht dhe e nënshkruajnë letrën e zotimit për themelimin e Asociacionit. Mashtrimi i qytetarëve ka emër e mbiemër”, është shprehur Hoti.

Njohësit e politikës së jashtme nuk e shohin të drejtë që Kosovës t’i vihet kusht themelimi i Asociacionit për pranim në Këshill.

Adelina Hasani, hulumtuese në Qendrën e Kosovës për Studime të Sigurisë (QKSS), thotë se edhe ndaj Kosovës duhet të aplikohen standardet e njëjta që janë aplikuar për shtetet e tjera, e që lidhen me çështjet për të drejtat e njeriut dhe demokracisë.

“Nëse ky proces ndërlidhet me çështje politike, siç është krijimi i Asociacionit në Kosovë, mendoj që e jep tërthorazi një mesazh negativ. Nëse institucionet fokusohen në fuqizimin e të drejtave të njeriut dhe demokracisë, e nuk është shumë e mjaftueshme për t’u anëtarësuar në KE, por duhet të fokusohet në çështje politike, mendoj që kjo tërthorazi e jep një mesazh negativ”, është shprehur Hasani.

E gazetari Augustin Palokaj thotë se me këtë kusht po i shërbehet edhe Brukselit që lehtëson dialogun Kosovë-Serbi.

“BE-ja, apo thënë më saktë përfaqësuesi i lartë, Borrell, dhe i dërguari për dialog Lajçak, asnjëherë publikisht nuk janë shprehur qartë se janë në favor të anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës. Me gjasë, ata do të donin që ky të jetë kusht për të pasur një mundësi më tepër për të bërë presion ndaj Kosovës sa i përket themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe”, ka deklaruar Palokaj.

E Adelina Hasani thotë se anëtarësimi i Kosovës në Këshill të Evropës nuk pritet të mbetet peng i Asociacionit.

“Pritshmëritë janë reale dhe anëtarësimi i Kosovës mund të ndodhë. Po shihet që ka gatishmëri. Mendoj që do të ketë reagime pozitive në mbledhjen e Komitetit”, ka deklaruar ajo.

Këtë javë, raportuesja Bakoyannis, në një prononcim për mediat serbe ka lënë të hapur dilemën nëse do të kalojë raporti i saj në fund të marsit ose jo.

“Ne nuk kemi një datë. Duhet të plotësohen shumë parakushte derisa raporti të jetë gati. Ne patëm një sukses të madh në rajon ditët e kaluara, që ishte rikthimi i pronës së Manastirit të Deçanit. Kjo tregon një shenjë të qartë se ekziston synimi i autoriteteve në Prishtinë që t’i binden sundimit të ligjit dhe të fillojnë reformat e nevojshme për statusin e sigurt të minoritetit serb”, ka thënë ajo.

Bakoyannis ka theksuar se është plotësisht e vetëdijshme se ka ende një listë të gjatë të rasteve të pazgjidhura që kanë të bëjnë me demokracinë dhe të drejtat e njeriut në Kosovë, si dhe me “rezistencën e fortë të Prishtinës në fronte të ndryshme”.

Shpresat e Qeverisë për anëtarësim u shtuan pasi kryeministri Kurti e urdhëroi Agjencinë Kadastrale që t’ia bartë Manastirit të Deçanit pronën rreth 24-hektarëshe, sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2016.

Me gjithë pritjen e Qeverisë që vendimi për pronat e Manastirit do t’i hapë rrugë anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, emisari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, gjatë vizitës në Prishtinë përmendi edhe dy kushte të tjera – Asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe shpronësimet në veri.

Por, autoritetet në Prishtinë kanë theksuar se këto nuk përbëjnë kushte.

E presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, ka kërcënuar se nëse Kosova bëhet pjesë e Këshillit të Evropës, Serbia do të tërhiqet nga ky mekanizëm. Ai është shprehur se pranimi i Kosovës në KiE do të nënkuptonte dëbim të Serbisë, dhe ka shtuar se është në opsion largimi.

Mirëpo, atij i ka reaguar raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, duke e quajtur blof këtë deklaratë të Vuçiqit.

“Sigurisht një blof. Sigurisht se Serbia nuk do të largohet. Deklarata nuk duhet t’i bëjë përshtypje askujt”, është përgjigjur ajo në platformën X. Anëtarët e Këshillit të Evropës do të vendosin vetë se kush do të pranohet”.

Me të pastaj ka replikuar shefi i diplomacisë serbe, Ivica Daçiq. Ai ka thënë se Von Cramon po fyen Serbinë.

“Niveli i paturpësisë me të cilin disa politikanë evropianë i drejtohen Serbisë është i habitshëm. Kush dhe çfarë i jep të drejtën Viola von Cramonit të fyejë Serbinë, presidentin Aleksandar Vuçiq dhe popullin serb. Askush e pyet dhe askush nuk e kritikon”, ka thënë Daçiq, i cili këtë javë bëri vizitë zyrtare në Rusinë e izoluar nga Perëndimi, e edhe të përjashtuar nga Këshilli i Evropës.

Sipas tij, pranimi i Kosovës në KiE do të ishte precedent dhe shkelje e rëndë e parimeve mbi të cilat mbështetet kjo organizatë, sepse “Kosova nuk është shtet i njohur ndërkombëtarisht dhe as anëtar i Kombeve të Bashkuara”.

“Na kanë gënjyer se kusht për Kosovën do të jetë formimi i Asociacionit dhe në vend që të dënohet Prishtina, tash duhet të shpërblehet me pranim në Këshillin e Evropës”, ka deklaruar Daçiq.

Edhe kryetarja e Kuvendit të Serbisë, Ana Bërnabiq, e dënoi gjuhën e Von Cramonit.

Por, deklaratën e Vuçiqit ndaj së cilës reagoi Von Cramon, e sheh si kërcënim njohësi i zhvillimeve në rajonin e Ballkanit, Daniel Serwer, i cili ka thënë se nëse Serbia shpreh gatishmëri për një gjë të tillë, SHBA-ja duhet t’i rimendojë marrëdhëniet me të. Ai ka theksuar se Kosova kurrsesi nuk duhet të rrezikojë që ta formojë Asociacionin pa e marrë njohjen e shtetësisë nga Serbia.

“Është e qartë që është një kërcënim nga Serbia. Nëse Serbia është e gatshme të largohet nga Këshilli i Evropës për shkak të anëtarësimit të Kosovës, kjo duhet t’i bëjë amerikanët të mendojnë dy herë për marrëdhëniet e tyre me Serbinë, që në këtë pikë Serbia e ka bërë shumë të qartë se është në linjë me Rusinë më shumë sesa me perëndimin”, është shprehur Serwer

Augustin Palokaj, thotë se ndaj këtij qëndrimi të Serbisë duhet të ketë reagim të përfaqësuesve të BE-së.

“Ky është vetëm një blof i presidentit serb. Megjithatë do të duhej që Lajçak dhe Borrell të reagojnë ndaj deklaratave të tilla, sepse ato janë shkelje e qartë e marrëveshjes së arritur para një viti, e cila thotë se Serbia nuk duhet të kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare e KiE-ja është një organizatë ndërkombëtare. Me këtë kundërshtim dhe me këtë kërcënim, Vuçiq dëshmon se ai nuk e respekton atë marrëveshje”, ka theksuar Palokaj.

Mirëpo, Serwer është shprehur skeptik se SHBA-ja dhe BE-ja do të ndërmarrin ndonjë veprim lidhur me kërcënimin e Vuçiqit.

“Është shumë e qartë se Serbia është rreshtuar kundër Evropës dhe veçanërisht kundër Shteteve të Bashkuara. Dhe, e shoh më shumë se të çuditshme nëse amerikanët dhe evropianët do ta duronin këtë, për faktin se personat që kryen sulmin terrorist të 24 shtatorit brenda Kosovës nuk janë sjellë para drejtësisë dhe nuk janë dorëzuar nga organet e drejtësisë së Kosovës dhe çka do të duhej të kishte ndodhur shumë kohë më parë. Ndërkaq amerikanët dhe evropianët janë ende të paqartë për këtë. Nuk duhet të ketë dyshime për dorëzimin e terroristëve”, ka theksuar Serwer.

Komiteti Politik i Këshillit të Evropës ka caktuar një takim të jashtëzakonshëm për 27 mars, ku në rend dite do të jetë votimi i opinionit të raportueses Dora Bakoyannis për anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë. Në këtë mekanizëm raporti duhet të votohet nga 1/2 e anëtarëve, që i bie 27 deputetë. Nëse kalohet kjo fazë, atëherë çështja mund t’i kalojë për votim Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës.

Në faqen zyrtare të Asamblesë Parlamentare janë listuar çështjet që pritet të diskutohen në sesionin pranveror nga 15 deri më 16 prill. Në fokus do të jenë vdekja e opozitarit rus, Aleksej Navalni, dhe lufta në Ukrainë.

“Një debat urgjent mbi ‘vdekjen e Aleksej Navalni dhe për nevojën për t’iu kundërvënë regjimit totalitar të Vladimir Putinit e luftës së tij kundër demokracisë’ do të jetë një pikë kryesore e sesionit pranveror të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës (PACE) në Strasburg më 15-19 prill. Krahas këtij debati do të jetë raporti mbi ‘ndalimin arbitrar të Vladimir Kara-Murza dhe persekutimin sistematik të protestuesve kundër luftës në Rusi dhe Bjellorusi’, së bashku me një raport të tretë që propozon sanksione kundër atyre që janë të përfshirë drejtpërdrejt në ndalimin e Kara-Murza, dënimin dhe helmimin e mëhershëm të tij”, shkruan në faqen zyrtare.

Lidhur me këtë, Asambleja do të diskutojë propozimin që të përdoren asetet e ngrira shtetërore ruse për të ndihmuar rindërtimin e Ukrainës.

Asambleja po ashtu, pritet të miratojë një opinion për Projekt-Konventën e re Kornizë për Inteligjencën Artificiale, të Drejtat e Njeriut, Demokracinë dhe Sundimin e Ligjit.