Kosova

“Kosovaideas” mobilizohet për t’i ndihmuar nxënësit e verbër të Kosovës

Në vazhdën e aktiviteteve dhe fushatave të saj, Kosovaideas ditë më parë ka iniciuar fushatën për blerjen e një shtypësi (printeri), special për të verbrit, “Braille”. Kjo pajisje kaq e nevojshme për nxënësit e verbër dhe ata me vështirësi shikimi, do t`i bëhet dhuratë qendrës burimore “Xheladin Deda” në Pejë  

Rreth dy vjet më parë, apo më saktë, në mars të vitit 2017 është lansuar platforma “Kosovaideas.com”. Natyra e këtij subjekti që vepron në Kosovë me mbështetje nga Zvicra, Kosova dhe vende të tjera të botës, është e re dhe e panjohur më parë në Kosovë. “Kosovaideas” synon dhe promovon projekte jofitimprurëse, të fushave që fillojnë nga muzika te teatri, filmi, artet vizuale, transferimi i dijes, sporti, shtetësia dhe lagjja, barazia gjinore, integrimi dhe bashkëpunimi ndërkomunal, paqja dhe toleranca, solidariteti dhe miqësia, shëndeti dhe mirëqenia, konsumi/ prodhimi i përgjegjshëm, energjia e pastër dhe e shpërndarë, natyra dhe mjedisi, ndërtesat e trashëgimisë kulturore, traditat e trashëgimisë kulturore.

Platforma Crowdfunding “Kosovaideas.com” mbështet të gjitha projektet, angazhimet qytetare dhe është platformë e parë që lidh njerëzit me komunitetet e tyre brenda dhe jashtë vendit, si dhe lidh njerëzit në të gjithë globin. Ky projekt për të cilin albinfo.ch ka informuar në vazhdimësi, është realizuar me qëllim që të mbështeten dhe të nxiten të rinjtë për të punuar në Kosovë.

Njëri nga bashkethemeluesit e “Kosovaideas” është miku i njohur zviceran i Kosovës, Georg Fankhauser, i cili angazhohet prej shumë vjetësh për të ndihmuar Kosovën në sfera të ndryshme, që kryesisht lidhen me kulturën.

Deri më tash “Kosovaideas” ka realizuar një numër të konsiderueshëm projektesh që kanë gjetur aplikim në Kosovë dhe kanë ndikuar në përmirësimin e kushteve të jetës dhe të punës në sfera të ndryshme, me theks të veçantë te të rinjtë.

Një printer special për nxënësit e verbër dhe me shikim të dëmtuar

Në vazhdën e aktiviteteve dhe fushatave të saj, “Kosovaideas” ditë më parë ka iniciuar fushatën për blerjen e një shtypësi (printeri), special për të verbrit, “Braille”. Kjo pajisje kaq e nevojshme për nxënësit e verbër dhe ata me vështirësi shikimi, do t`i bëhet dhuratë qendrës burimore “Xheladin Deda” në Pejë.

“Le të bashkojmë forcat për të blerë një printer braille për nxënësit e verbër dhe me shikim të dëmtuar në Qendrën burimore `Xheladin Deda` në Pejë”, është thirrja që bartësit e kësaj fushate ia drejtojnë komunitetit me këtë rast.

Qendra Burimore për mësim dhe shërbime për nxënësit me vështirësi shikimi “Xheladin Deda” në Pejë është qendra e vetme në Kosovë që ofron arsim për nxënësit e verbër dhe me dëmtime shikimi. E themeluar në vitin 1982 si një shkollë speciale për nxënësit e verbër dhe me vështirësi shikimi, ajo fillimisht shte një institucion i mbyllur – një shkollë speciale. Ndërkohë, tani ky institucion funksionon si qendër burimore. Pra Qendra Burimore në Pejë është shkolla e vetme për nxënësit e verbër në gjithë Kosovën. Ajo ofron shërbime për shkollat e rregullta ku janë integruar nxënësit me shikim të dëmtuar, pastaj trajnime për mësuesit dhe prindërit, konsultime familjare, trajtim të fëmijëve në arsimin parashkollor, mbështetje përmes mjeteve tiflo-teknologjike dhe tiflo-didaktike, etj.

Shkolla e vetme e këtij lloji në Kosovë

Rreth 40 nxënës janë të përfshirë në procesin mësimor të shkallëve të ndryshme të arsimit fillor dhe të mesëm. Këta nxënës mësohen nga rreth 40 profesionistë të kualifikuar arsimor. Shkolla gjithashtu ka një konvikt, në të cilin janë strehuar rreth 30 nxënës që vijnë nga të gjitha komunat e Kosovës duke përfshirë edhe pakicat.

Përmes ndihmës së donatorëve dhe angazhimit të stafit të shkollës, janë krijuar laboratore për një numër të madh lëndësh, p.sh. laboratori i artit, ai i muzikës, si dhe laboratorë të lëndëve të ndryshme në të cilat nxënësit mësojnë dhe zhvillojnë aftësitë e tyre. Shkolla gjithashtu ka një bibliotekë që përfshin qindra libra të shtypur si dhe 200 libra akustikë. Brenda kësaj shkolle përfshihet gjithashtu një studio akustike në të cilën nxënësit e tanishëm dhe të diplomuarit e Qendrës përgatisin materiale mësimore në formë të librave akustikë.

Printeri Braille do të lehtësonte shumë punën në qendrën “Xheladin Deda”

Por, pavarësisht nga numri i konsiderueshëm i librave, nxënësit me dëmtime shikimi ende mbeten të privuar në aspektin e shumëllojshmërisë së materialit udhëzues të nevojshëm për ta. Së këndejmi, një printer profesional në sistemin e shkrimit special për të verbër “Braille”, përbën një nevojë të përhershme të kësaj qendre. Ai do t’i mundësonte shkollës që të furnizojë nxënësit me materiale të ndryshme në formatin “Braille” në përputhje me nevojat e tyre. Në këtë mënyrë do të zgjerohej horizonti akademik i këtyre nxënësve dhe do të zvogëloheshin barrierat që vështirësojnë përfshirjen e tyre në arsimin e lartë në Kosovë.

Çmimi i këtyre printerëve sillet rreth 5,000 eurove. Kjo është një shumë e madhe e parave, e papërballueshme nga shkolla dhe familjet e nxënësve me dëmtime shikimi. Prandaj, bartësit e fushatës duke iu drejtuar komunitetit për ndihmë, thonë:  “ju ftojmë të bashkoheni me ne në këtë fushatë për t’u blerë këtyre nxënësve një printer “Braille”, duke i shtuar kështu shpresat për një arsim gjithëpërfshirës në Kosovë!”.

Në këtë kontekst, në kuadër të platformës “Kosova që e duam” të iniciuar nga Fondacioni “Friedrich Ebert Stiftung,” grupi “Edukimi që duam” në bashkëpunim me Kolegjin Riinvest po organizon fushatën për të mbledhur fonde për blerjen e një printeri “Braille”. Ai u dedikohet nxënësve me shikim të dëmtuar, të cilët ndjekin mësimet në Qendrën Burimore  ‘Xheladin Deda’ në Pejë, por edhe nxënësve të integruar në shkollat e rregullta, si dhe studentëve me dëmtime shikimi, të regjistruar në programet e arsimit të lartë në tërë Kosovën.

Prandaj: “Le të bashkojmë forcat për të blerë një printer braille për nxënësit e verbër dhe me shikim të dëmtuar në Qendrën Burimore `Xheladin Deda` në Pejë”.

(Fotot: Kosovaideas.com)

Video: https://kosovaideas.com/campaign/detail/484