Kosova

Kosovë: Rreth 300 mjekë e infermierë pritet të largohen nga vendi

Mjekët dhe infermierët po vazhdojnë të largohen nga Kosova.

Papunësia, kushtet jo të mira të punës, pakënaqësitë dhe paga, janë disa nga arsyet kryesore pse mjekët po e braktisin Kosovën.

Ministria e Shëndetësisë thotë se është duke punuar që të krijojë kushte me të mira për stafin shëndetësor.

“Ministria e Shëndetësisë është duke vazhduar me investime në infrastrukturë e pajisje mjekësore, në mënyrë që profesionistët të mund të shfaqin gjithë potencialin e tyre. Edhe në buxhetin e këtij viti është paraparë sigurimi i aparaturave më qëllim të ngritjes së shërbimeve të reja’’, thonë nga Ministria e Shëndetësisë për FrontOnline.

MSH thotë se do të ketë rritje të pagave edhe vitin e ardhshëm.

“Qeveria e Kosovës ka rritur pagat për profesionistët shëndetësorë dhe aktualisht paga e një mjeku në Kosovë është ndër më të lartat në rajon. Krahas zhvillimit ekonomik me progres pozitiv, rritja në koeficientin e pagës do të vazhdojë edhe vitin e ardhshëm’’.

Nga kjo ministri thonë se janë duke mbështetur mjekët, të cilët kanë zgjedhur të punojnë vetëm në sektorin publik.

“Ministria e Shëndetësisë është duke mbështetur mjekët të cilët kanë zgjedhur të punojnë vetëm në sektorin publik me shtesë në pagë’’, thonë nga MSH-ja.

Kryetari i Odës së Mjekëve të Kosovës, Pleurat Sejdiu, thotë se 29 mjekë janë larguar për tre muajt e parë të vitit.

“Sa i përket numrit të mjekëve, trendi po vazhdon i njëjti. Deri më sot janë 29 mjekë që kanë marrë dokumentacionin e duhur për punësim në shtetet evropiane. Pra janë 29 mjekë që janë larguar në tre muajt e parë të këtij viti e që është numër i njëjtë me tre muajt e parë të vitit të kaluar”, thotë ai.

Ai shton se arsyet e largimit të mjekëve nga Kosova janë papunësia, kushtet e punës dhe kushtet e kualitetit të shkollimit specialistik.

“Ne tash e sa vite bëjmë një sondazh apo pyetësor për arsyet e largimit të mjekëve që po largohen nga Kosova dhe arsyeja kryesore e largimit është papunësia sepse kemi 441 mjekë të papunë, të deklaruar në Ministrinë e Financave dhe ATK kjo është arsye e parë, dhe arsye e dytë janë kushtet e punës dhe kushtet kualiteti i shkollimit specialistik dhe arsye e tretë janë pagat duke pasur parasysh se ke këta janë shumica mjekë të përgjithshëm të diplomuar dhe paga e tyre është rreth 700 euro”.

Kreu i Odës së Mjekëve të Kosovës, më tej tregon se ka më shumë që dy vite që oda të cilën ai e drejton nuk ka pasur takim me Ministrinë e Shëndetësisë.

Shqetësues largimin e mjekëve nga Kosova e sheh edhe Tevide Imeri, kryetare e Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë.

“Nëse ndiqet trendi i largimit të mjekëve si në vitin 2023, duke ia shtuar këtu faktin edhe të masave të reja, të cilat i kanë marrë vende si Gjermania, mund të themi se numri për këtë vit mund të jetë edhe më shqetësues’’, thekson Imeri.

Imeri thotë se sipas informatave që ajo ka janë rreth 300 mjekë dhe infermierë që kanë ikur nga Kosova.

“Nuk kemi numër të saktë për këtë tre mujor. Diku rreth 300 është numri sipas informatave që kemi’’ thotë ajo./EO