Shqipëria

Kryemadhi ka një mesazh para protestës në Tiranë

Sot në orën 19:00 opozita në Shqipëri do të mbajë protestën e radhës në Tiranë, përcjell albinfo.ch.

Pak orë para protestës, Monika Kryemadhi ka bërë thirrje që qytetarët të dalin në protestë, duke thënë se kjo është dita e qytetarëve.

Postimi i saj i plotë:

“Sot më shumë se kurrë, Shqipëria ka nevojë për forcën e protestës qytetare, ka nevojë që të gjithë bashkë të dëshmojmë se e ardhmja e fëmijëve tanë nuk mund të jetë peng i papërgjegjshmërisë së Edi Ramës!

Sot është dita e qytetarëve.

Prandaj të gjithë bashkë, pa asnjë dallim në jemi të rinj apo të moshuar, burra apo gra, nga fshati apo nga qyteti, nga Jugu a nga Veriu, me apo pa parti, të majtë apo të djathtë, të jemi bashkë në protestën e shpresës, sepse e keqja po shembet dhe se e nesërmja bëhet më e mirë, vetëm kur qytetarët i dalin zot fatit të tyre!

Shqipëria pa varfëri dhe me punë të ndershme, pa korrupsion e në luftë me krimin e organizuar, pa drogë e oligarkë, por me njerëz që e duan familjen dhe atdheun e konsiderojnë shtëpinë e tyre, është më e rëndësishme, më e madhe dhe më e fortë se Edi Rama dhe klani i tij kriminal!

Sot më shumë, sot më të vendosur, sot më të fortë, sot më të bashkuar!”