Kosova

Kryeministri dhe presidenti i Kosovës kërkojnë vizat për Ditën e Evropës

Kosova mbetet vendi i vetëm në Ballkan pa viza, derisa larg anëtarësimit në Bashkimin Evropian

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka uruar Evropën me rastin e 9 majit “Ditës së Evropës”.

Ai i ka bërë thirrje në këtë ditë shteteve anëtare të Bashkimit Evropian dhe institucioneve të BE-së, që të njohin dhe pranojnë të arriturat e Kosovës, dhe të mos vazhdojnë të mbajnë qytetarët e Kosovës edhe më tutje padrejtësisht të izoluar nga familja që i takojnë.

“Kosova shënon Ditën e Evropës sot, sepse jemi pjesë gjeografike, ideologjike, dhe identitare e familjes evropiane, ndër shekuj. Qytetarët dhe institucionet e Kosovës sot kanë aspiratë të vetme integrimin e plotë në Bashkimin Evropian, për të kontribuar në prosperitetin, paqen, sigurinë, dhe drejtësinë e kontinentit tonë. Më shumë Evropë në Ballkan do të thotë më shumë mundësi, rritje, shkëmbim e zhvillim.

Në shënimin e Ditës së Evropës këtë vit, Kosova zotohet fuqishëm për të vazhduar përkushtimin e pandalshëm për integrim në BE dhe për mbrojtje të vlerave demokratike të cilat na bashkojnë. Po sot, i bëjmë thirrje shteteve anëtare të Bashkimit Evropian dhe institucioneve të BE-së, që të njohin dhe pranojnë të arriturat e Kosovës, dhe të mos vazhdojnë të mbajnë qytetarët e Kosovës edhe më tutje padrejtësisht të izoluar nga familja që i takojnë. Urime Evropë – Kosova është e jotja!”, ka shkruar në Facebook, Ramush Haradinaj, përcjell albinfo.ch.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, duke uruar 9 majin, Ditën e Evropës, i ka bërë thirrje Bashkimit Evropian për liberalizimin e vizave për shtetasit e Kosovës.

“Dita e Evropës, 9 maji, është datë kur u bë hapi i parë drejt krijimit të Bashkimit Evropian. Një thirrje për bashkimin e prodhimeve nga kryediplomati francez më 9 maj 1950, kishte bërë që të niste projekti i madh i krijimit të familjes evropiane, e cila u zhvillua nëpër vite.

Në këtë ditë të veçantë për Bashkimin Evropian, ne bëjmë thirrje për liberalizimin e vizave për shtetasit e Republikës së Kosovës dhe për qartësimin e perspektives evropiane për vendet e Ballkanit Perëndimor. Kosovarët janë më evropianë se shumë popuj që janë pjesë e familjes evropiane.

Kemi përmbushur kritere që tejkalojnë edhe standardet e shumë prej shteteve anëtare të BE-së, por ende po vazhdon diskriminimi i qytetarëve tanë.

Ky diskriminim dhe ky trajtim i pabarabartë po komprometon edhe vetë vlerat e Bashkimit Evropian, mbi të cilat e ka ndërtuar bashkëpunimin me vendet jo anëtare në rajonin tonë. Bashkimi Evropian duhet t’i japë fund izolimit të qytetarëve të Kosovës”, ka shkruar në Facebook, Hashim Thaçi.