Maqedonia

Kryetari i Gostivarit: Aleanca për Shqiptarët do ta bëjë ndryshimin sikur VV në Kosovë

Në prill të vitit të ardhshëm do të mbahen zgjedhjet parlamentare ne Maqedoninë e Veriut dhe Aleanca për Shqiptarët, e afërt me VV në Kosovë, synon të dalë fituese në mesin e partive shqiptare

Këto ditë po qëndron për një vizitë në Zvicër kryetari i komunës së Gostivarit, njëherësh Sekretar i Përgjithshëm i Aleancës për Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut. Albinfo.ch ka zhvilluar një intervistë me Arben Taravarin, i cili për disa muaj ka qenë ministër i Shëndetësisë në Qeverinë e Zaevit pëderisa ishin në koalicion me të. Në prill të vitit të ardhshëm do të mbahen zgjedhjet parlamentare në Maqedoninë e Veriut dhe Aleanca për Shqiptarët, e afërt me VV në Kosovë, synon të dalë fituese në mesin e partive shqiptare.


Albinfo.ch:
Cili është qëllimi i vizitës tuaj në Zvicër?

Arben Taravari: Kisha ftesë zyrtare prej një shoqate të diasporës së Gostivarit për manifestimin që e organizojnë. Fillimisht, ftesa ishte për 28 Nëntorin, pra për Festën e Flamurit, mirëpo pasi që ndodhi fatkeqësia e tërmetit në Shqipëri, në fakt ajo u anulua dhe tani erdha këtu për t`i vizituar disa shoqata e klube të komunës së Gostivarit, por edhe me mergimtarët tjerë shqiptarë që jetojnë e punojnë në Zvicër.

Albinfo.ch: A ka vizita juaj lidhje me zgjedhjet parlamentare që do të mbahen më 12 prill 2019 në Maqedoninë e Veriut?

Arben Taravari: Jo, të jem i sinqertë deri në fund.  Absolutisht. Fushata ka nisur para një muaji, këtu kemi ardhur me qëllim që t’i takojmë shqiptarët dhe të bashkëbisedojmë, por jo për fushatë. Për fushatë kemi planifikuar një organizim së bashku me kryetarin e Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Selen. Organizimi pritet të jetë nga fundi i janarit ose fillimi i shkurtit, që të bisedohet për zgjedhjet e 12 prillit të vitit 2020.

Albinfo.ch: A do ta shfrytëzoni këtë event festiv për të promovuar idetë e partisë suaj dhe ndoshta edhe për fushatë zgjedhore?

Arben Taravari: Absolutisht jo. Sot edhe në fjalimin që do ta mbaj brenda 2 minutave, do t’i përshëndes të pranishmit shqiptarë në këtë event dhe asgjë tjetër sa i përket Aleancës dhe asgjë tjetër sa u përket zgjedhjeve të 12 prillit. Sot kam pasur disa takime dhe nesër i kam 5-6 takime, kryesisht me mërgimtarë të Maqedonisë dhe natyrisht njerëzit interesohen për të ditur se si, çfarë planifikojmë, si do të shkojmë në zgjedhje, ashtu siç ndodhi para dy muajsh në zgjedhjet në Kosovë. Faktikisht edhe në Maqedoni po përseritet episodi i dytë ngjarjeve që nisën në Kosovë. Ne e quajmë si pranverë shqiptare dhe shpresojmë që ajo erë të fryejë edhe nga Maqedonia.

Albinfo.ch: Sa është i lartë potenciali i votuesve të diasporës dhe si do t’i motivoni të votojnë që kjo votë të shkojë për partinë tuaj?

Arben Taravari: Po flas përsëri hapur, në zgjedhjet e fundit lokale që ndodhën në Maqedoni në vitin 2017, një numër i madh i mërgimtarëve shqiptarë nga Maqedonia e Veriut erdhën enkas për votime, edhe në raundin e parë, edhe në raundin e dytë, duke përkrahur partinë Aleanca për Shqiptarët. Faktikisht Aleanca për Shqiptarët është një lloj modeli i ngjashëm me VV në Kosovë dhe po shoh një disponim që një numër i madh i njerëzve apo përqindje e madhe e tyre janë përkrahësit tanë. Madje, këtu kemi edhe anëtarë të Aleancës Shqiptare në shumë qytete të Zvicrës, pastaj në Gjermani, në Austri, në Itali dhe shtetet skandinave. Faktikisht kemi njerëz, të cilët punojnë dhe ndihmojnë kauzën e Aleancës për Shqiptaret.

Albinfo.ch: A keni një plan të fushatës zgjedhore, çfarë do t’i ofroni diasporës shqiptare të Maqedonisë Veriore?

Arben Taravari: Në Kryesinë qendrore të Aleancës Shqiptare janë zgjedhur dy anëtarë që janë nga diaspora. Njëri është mërgimtar nga Zvicra dhe tjetri, nga Belgjika, Brukseli. Kështu që diaspora është një faktor shumë i rëndësishëm i Aleancës për Shqiptarët. Në programin tonë zgjedhor parashihet kapitull i veçantë për diasporën. Kështu që, unë besoj dhe shpresoj nga ata dy shqiptarë të diasporës që janë aty dhe nuk kam dyshime për këtë. Po ashtu, një numër apo përqindje e konsiderueshme duhet të vijnë në Maqedoni, atje dhe të gjejmë mënyra më të mira se çfarë mund të bëjmë për diasporën.

Albinfo.ch: A priten ndryshime sikur në Kosovë. A jeni ju si parti të gatshëm të merrni mbi supe përgjegjësinë për shqiptarët që jetojnë atje dhe realizimin e të drejtave të plota për ta?

Arben Taravari: Ne si parti shqiptare në Maqedoninë Veriore jemi të parët dhe kemi kapacitete të fuqishme karshi partive të tjera, dhe jemi shumë të sigurt se në vitin e ardhshëm ndryshimi do të vijë me ne, sepse mendoj se kemi potencial qeverisës. Prandaj, as që kam dyshim se partia Aleanca Shqiptare do të sjellë fitoren e madhe.

Albinfo.ch: Ju keni në planprogramin partiak edhe regjistrimin e popullsisë se Maqedonisë Veriore, sa është realisht përqindja e shqiptarëve në Maqedoni, keni një ide apo statistikë?

Arben Taravari: Nëse flasim me numra të përgjithshëm, llogaritet të jenë në mes 28 deri 32 për qind shqiptarë në Maqedoninë Veriore.

 Albinfo.ch: Ka pasur zëra që numri sillet rreth 800 mijë. Kjo do të përbënte rreth 35% të popullsisë së përgjithshme të Maqedonisë së Veriut.

Arben Taravari: Në zgjedhjet e fundit 2016 kanë votuar 210 mijë shqiptarë për partitë politike shqiptare dhe rreth 30-40 mijë vota kanë shkuar për partitë e tjera, pra diku rreth 250 mijë kanë votuar. Duke marrë këtë parasysh, pjesëmarrja në lokalitetet shqiptare ka qenë rreth 35 për qind e shqiptarëve. Prandaj, supozohet se Maqedonia e Veriut ka diku rreth 800 mijë shqiptarë.

Albinfo.ch: Si është gjendja aktuale e shqiptarëve në Maqedoni, a ka ndryshuar diçka për shqiptarët atje me ndërrimin e pushtetit, pra me ardhjen e Zaevit në pushtet?

Arben Taravari: Asgjë, Zaevi është Gruevski me maskë, asnjë ndryshim. Në qoftë se e shihni gjendjen e shqiptarëve në Maqedoninë V. është mjerim. Pjesa e kryesore e buxhetit të shtetit shkon në qytetet e banuara me maqedonas. Maqedonia është shteti më i centralizuar në Ballkan, duke u munduar që shqiptarët të mos kenë kompetenca në vendimmarrje.

Albinfo.ch: Në Shkup ende sulmohen e rrihen shqiptarët nga tifozë maqedonas. Madje, në ndeshje të tyre thirret në kor: “Vritini shqiptarët” dhe “Shqiptar i mirë, është shqiptar i vdekur”. Së fundmi gjatë këtij muaji tre shtetas të Kosovës sa nuk i mbytën. Çfarë bëni ju si parti, si shoqëri atje, që kjo dukuri të marrë fund?

Arben Taravari: Fatkeqësisht, populli dhe etnia që bashkëjetojmë ne në Republikën e Maqedonisë, kanë problem me të gjithë fqinjët dhe të vetmit që i pranojnë të gjitha atributet e tyre si komb, si etni, janë shqiptarët. Kurse ata të gjitha frustrimet që i kanë me fqinjët tjerë ua nxjerrin shqiptarëve. Konkretisht sulmi që i bënë tre turistëve të Kosovës për mua është akt mizor. Në fakt ka pasur protesta për raste të tjera më herët por jo nuk ndodhë në mënyrë institucionale nga partitë që janë në pushtet. Ato nganjëherë reagojnë sikur të ishin në opozitë dhe jo në pushtet.