Kosova

Kurti: “Lëvizja Vetëvendosje është e vetmja garanci për çkapjen e shtetit!”

Albin Kurti: “Qeveritë deri më sot e kanë mbajtur mërgatën larg zgjedhjeve tona, sepse e kanë ditur që mërgata nuk i do të korruptuarit e mujsharët, hipokritët e tradhtarët. Por erdhi dita e re, dhe me Lëvizjen do t’ia hapim derën plotësisht mërgatës”

Albin Kurti në intervistën e tij ekskluzive për albinfo.ch zotohet se qeveria e drejtuar nga ai do të nis fushatën për kthimin e trurit, do ta luftojë ekonominë e paligjshme, ashtu që mërgimtari të mos ketë frikë nga konkurrenca e pandershme kur investon në Kosovë.

Ai thotë se “qeveritë deri më sot e kanë mbajtur mërgatën larg zgjedhjeve tona, sepse e kanë ditur që mërgata nuk i do të korruptuarit e mujsharët, hipokritët e tradhtarët. Por erdhi dita e re, dhe me Lëvizjen do t’ia hapim derën plotësisht mërgatës”.

Kurti në intervistë tregon po ashtu përse “PDK është sëmundja ndërsa VV është ilaçi”. Ndërsa për bashkëpunimin me partitë tjera kundër “sëmundjes” ai thotë: “tek të gjitha partitë ka plot njerëz të mirë, veç drejtuesit e tarafet e tyre janë pjesë e korrupsionit. Tek ata njerëz të mirë, do gjejmë bashkëpunim”.

Albinfo.ch: Në diasporë, Lëvizja Vetëvendosje ka një mbështetje të gjerë, sidomos tek të rinjtë, që shumica, janë të shkolluar këtu. Çfarë i ofroni diasporës më shumë se partitë që kanë udhëhequr qeveritë e deritashme, ju si lëvizje me shanse të mira për të qeverisur në mandatin e ardhshëm?

Albin Kurti: Në radhë të parë, u ofrojmë bashkatdhetarëve tanë një përpjekje të sinqertë për të rregulluar atdheun. Ne besojmë se secili mërgimtar dëshiron ta shohë Kosovën mirë e mbarë.

Përveç kësaj, të rinjtë e saposhkolluar e që kanë rezultate të mira, do të ftohen të kontribuojnë në vendin e tyre, me theksin te arsimi dhe administrata publike. Na duhet ta rrisim ndjeshëm cilësinë e arsimit, e këtu do të ishte i domosdoshëm kontributi i vajzave e djemve që kanë një shkollim solid. Ne do të jemi qeveria e cila do të nis fushatën për kthimin e trurit.

Kapitalin nga mërgata ne do ta ftojmë të investohet në Kosovë, duke formuar mekanizma bashkëpunues financiarë, si fondi publik i investimeve dhe banka zhvillimore. Ne do ta luftojmë ekonominë e paligjshme, ashtu që mërgimtari të mos ketë frikë nga konkurrenca e pandershme kur investon në Kosovë.

Albinfo.ch: A është e drejta për të votuar dhe për t’u votuar (zgjedhur) nga diaspora pjesë e programit të VV?

Albin Kurti: Besimi ynë i palëkundur është se mërgata jonë ka po aq të drejta sa ne të tjerët, në Kosovë. Pra po, duhet t’i mundësohet sipas praktikave më të lehta e më të mira votimi, e sigurisht edhe mundësia për t’u përfaqësuar.

Albinfo.ch: Diaspora vazhdon të votojë përmes postës ose shkuarjes në Kosovë për të votuar fizikisht. Votimi me postë ka rezultuar jo produktiv pasi që kemi një numër simbolik të mërgimtarëve që e kanë shfrytëzuar atë. Ndërkohë, vende të ndryshme, ndër to edhe Maqedonia, e praktikojnë votimin nëpër përfaqësitë diplomatike. A keni në plan edhe ju diçka të tillë dhe a mendoni se është e realizueshme?

Albin Kurti: Është e realizueshme dhe do ta bëjmë realitet. Qeveritë deri më sot e kanë mbajtur mërgatën larg zgjedhjeve tona, sepse e kanë ditur që mërgata nuk i do të korruptuarit e mujsharët, hipokritët e tradhtarët. Por erdhi dita e re, dhe me Lëvizjen do t’ia hapim derën plotësisht mërgatës, siç kanë bërë shumë vende të tjera. Me qeverinë tonë ne amandamentojmë Ligjin dhe zgjedhjet për mërgatën mundësohen kudo që kemi përfaqësitë diplomatike.

Albinfo.ch: VV dhe Ju personalisht, jeni shpesh të pranishëm në diasporë dhe sidomos në Zvicër. Në çfarë konsistojnë këto takime, gjegjësisht çfarë përfiton VV nga ajo. Si lëvizje që pëlqehet nga rinia e arsimuar në perëndim, a keni arritur të përfitoni nga përvojat e tyre në shtetet përkatëse?

Albin Kurti: Ne jemi forca politike shqiptare më sistematike dhe më e organizuar në mërgatën tonë. Për shkak të vizionit tonë kombëtar, ne nuk e ndajmë mërgatën shqiptare sipas kufijve të trojeve tona në Ballkan. Mërgatën e bashkon gjuha e kombi. Dhe, mërgata ndodhet fizikisht jashtë atdheut por ajo është përherë brenda kombit.

Prej organizimeve e strukturimeve të Lëvizjes në mërgatë marrim mbështetje, kapacitete njerëzore, profesionale e financiare, marrim shembuj e dije, marrim kulturë demokracie.

Albinfo.ch:  A do të ketë në listën tuaj zgjedhore kandidatë nga diaspora dhe nëse po, në çfarë mase?Albin Kurti: Besoj i keni parë listat tona. Aty ka shumë persona nga mërgata, nga shtetet evropiane e nga SHBA. Madje edhe në ditën kur i prezantuam kandidatët, disa nuk ishin në sallë, për shkak të obligimeve profesionale në vendet ku jetojnë.

Albinfo.ch: A mendoni se ekspertiza nga diaspora mund të përdoret edhe në rrafshin ekzekutiv? A mund të pritet që në qeverinë që do ta udhëhiqni ju, të ketë njerëz nga diaspora?

 

Albin Kurti: Natyrisht, do të ketë në ekzekutiv njerëz të mirë e autoritete në fushat profesionale, që do të vijnë nga mërgata. Kosovën e duam të bëhet si shtetet e zhvilluara dhe demokratike perëndimore. Me profesionistët tanë nga mërgata këtë e bëjmë më mirë, më sigurt e më shpejt.

Albinfo.ch: Diaspora vazhdon të ketë probleme me të ashtuquajturin “Karton i gjelbër”. A keni ndonjë ide për zgjidhje edhe të problemeve të tilla specifike të mërgimtarëve? Këtu hyjnë edhe pritjet e gjata në kufij… etj.

Albin Kurti: Kjo është një çështje që reflekton mungesën e vullnetit politik deri më tani, si dhe mashtrimet vit pas viti. Por me qeverinë e VETËVENDOSJE!-s gjithçka do të ndryshojë. Nëse anëtarësimi në OKB dhe në autoritetet ndërkombëtare të sigurimeve do të marrin kohë, atëherë ne do të bëjmë marrëveshje bilaterale me vendet ku jeton mërgata jonë, që sigurimet të jenë të vlefshme e të mos paguhen dy herë. Sa i përket pritjeve në kufij, këto do të zvogëlohen me rritjen e efikasitetit dhe kontrollit për cilësinë e punës në administratën publike.

Albinfo.ch:  Jeni parë shpesh edhe në takime me politikanë zviceranë, kryesisht me ata të SP-së (Partia Socialdemokrate). Një takim i tillë është edhe ai me deputetin zviceran Wermuth. Cili është bashkëpunimi Juaj me këtë (ose këto) parti? Çfarë ju bashkon me të (me to) përveç orientimit politik të majtë që e keni të përbashkët? Çfarë mund të përfitojë Kosova nga ky bashkëpunim?

Albin Kurti: Bashkëpunojmë me subjektet e majta socialdemokrate, por jo rrallë edhe me subjekte centriste e liberale, sepse dëshirojmë të rrisim numrin e miqve e mbështetësve të projektit tonë zhvillimor për Kosovën. Kosova, por edhe shqiptarët e tjerë në Ballkan, jetojmë në rrethana të pafavorshme ekonomike e kemi shtete të dobëta. Na duhen miqësitë e mbështetja ndërkombëtare, që të punojmë e të marrim veten. Bashkëpunimet ndërkombëtare të Kosovës nuk duhet të jenë vetëm diplomatike e shtetërore por edhe poltike, ideologjike e partiake. Kemi nevojë për ndihmë dhe përkrahje dhe kemi aq shumë mundësi të mësojmë nga njëri-tjetri.

Albinfo.ch: Kur jemi te orientimi politik. Na shkoqitni me pak fjalë, në çfarë konsistojnë, në kushtet e dhëna kosovare, politikat e majta që preferoni ju si parti.

Albin Kurti: Shumëkush mendon se e majta është bamirësi. Kurse ne e shohim si projekt zhvillimor ekonomik e shtetformues. Ne do të rrisim mirëqenien e shtresave të gjera popullore përmes punësimit, mbështetjes së bujqësisë, ndërmarrjeve private të vogla e të mesme, mbrojtjes së prodhimit vendor e masa të tjera. Kjo mirëqenie e rritur për shumicën, sjell edhe rritje të fuqisë blerëse, rritje të kërkesës, dhe për pasojë edhe rritje të ofertës e të ekonomisë si të tillë. Programi ynë është neo-kejnsian, dhe është aplikuar me sukses në vendet më të zhvilluara e përparuara sot që nga Koreja e Jugut e deri te Skandinavia e Kanadaja.

Albinfo.ch: Rëndësia e pjesëmarrjes në proceset demokratike sigurisht mund të projektohet edhe në komunitetin tonë në Zvicër. Kemi politikanë shqiptarë që garojnë në zgjedhjet e këtushme, por komuniteti është në amulli sa i përket pjesëmarrjes në procese. Cila është porosia juaj?

Albin Kurti: Angazhohuni, garoni, fitoni. Kudo që jeni, na përfaqësoni e na ndihmoni edhe ne. Si në profesionet tuaja, në punën e ndershme që bëni, në sport apo art, ashtu edhe në politikë, ndërmarrësi ekonomike apo sindikata të punëtorëve, në Zvicër apo vendet e tjera, Kosova, Shqipëria, shqiptarët e Maqedonisë Veriore, Malit të Zi e Luginës, krenohen me ju.

Albinfo.ch: VV tashmë, jo vetëm nga anëtarët e saj, po merret si shpresa mbase e vetme për të bërë Kosovën shtet normal. A mendoni se ky projektim po ju ngarkon një barrë e rëndë për ta bartur?

Albin Kurti: Ashtu është. Na i ka rënduar barrën shumë mungesa e seriozitetit dhe e ndershmërisë te partitë e tjera. Megjithatë, jemi të gatshëm së bashku me qytetarët, ta bëjmë punën tonë që Kosova të kthehet kah e mbara.

Albinfo.ch: Ju keni shpallur si synim parësor të VV, shkapjen e shtetit, duke e përkufizuar qartë fitoren tuaj si humbje të PDK-së. Apo siç e keni thënë: “PDK është sëmundja, VV është ilaçi”. A jeni të sigurt se “sëmundja” është vetëm kjo parti dhe se VV është “ilaç” i mjaftueshëm?

Albin Kurti: Korrupsioni është sëmundje e gjerë, dhe politikat neoliberale të ndjekura nga gjithë partitë, e kanë ndihmuar atë. Por PDK-ja duke qenë për mbi 13 vite rresht në pushtet e duke patur edhe organizim ilegal në përdorim, siç ka qenë ShIK-u, ka arritur të krijojë një rrjet oligarkësh që e ngulfasin ekonominë, e në të njëjtën kohë ta dobësojë e ta disfunksionalizojë shtetin dhe ligjin. Ilaçi është Lëvizja VETËVENDOSJE! se partitë e tjera kanë treguar që në fund edhe mund ta shesin veten.

Albinfo.ch: Edhe dashamirësit e lëvizjes Vetëvendosje, krahas konsideratës së lartë që kanë për Ju dhe për VV, druajnë se kapja e shtetit është aq e madhe sa që është e vështirë të “çmontohet” vetëm po nuk u bashkuat me forca tjera. Ku e mbështetni Ju besimin për një gjë të tillë?

Albin Kurti: Është mirë që druhen, sepse ai që nuk druhet bëhet arrogant dhe gabon. Neve do të na duhet ndihmë dhe do ta gjejmë atë. Tek të gjitha partitë ka plot njerëz të mirë, veç drejtuesit e tarafet e tyre janë pjesë e korrupsionit. Tek ata njerëz të mirë, do gjejmë bashkëpunim.

Albinfo.ch: A e shihni të mundshme që, me gjithë përcaktimin e saj paraprak për kryeministër “të vetin”, LDK do të pranojë të bëhet pjesë e qeverisjes së drejtuar nga Ju?

Albin Kurti: Nuk besoj se ka zgjidhje tjetër. Unë e di se ka në LDK njerëz që ende planifikojnë të shkojnë me pjesëtarë të PAN-it, por vetë elektorati i LDK-së e dëshiron ndryshimin dhe e di se atë mund ta sjellë vetëm Lëvizja VETËVENDOSJE!.

Albinfo.ch: Po parti tjera, (edhe ato nga PAN-i i tashëm) a mund të merren në konsideratë për pjesëmarrje në qeverinë Kurti?

Albin Kurti: Jo, nuk i shohim si opsion.

Albinfo.ch: Ekziston përshtypja se me ndarjen që ndodhi kohë më parë, VV ka pësuar një rënie sa i përket kuadrit në forumet e saj. Çfarë mendoni për këtë, gjegjësisht, a e ka ”rikuperuar” VV këtë mungesë ndërkohë?

Albin Kurti: Rënie s’ka patur as atëherë. Po ashtu, nuk kishte ndarje të Lëvizjes por dalje nga Lëvizja, me ç’rast dolën më pak se 50 veta para një viti e gjysmë kurse që prej atëherë erdhën më shumë se 15 mijë anëtarë të rinj. Rritja nuk është ndalur. Kemi hapur dhjetëra pika të reja në diasporë e Kosovë. Në sondazhe jemi më mirë se në 2017, kur dolëm të parët me 200.000 vota. Kësaj radhe do të dalim mbi 250.000 vota, sepse nevoja e Kosovës sot për ndryshim është urgjente, kurse për qeveri stabile nesër është vendimtare. Shtetndërtimi demokratik dhe zhvillimi ekonomik e kërkojnë një pjesëmarrje masive të qytetarëve në zgjedhje dhe një fitore tonën me diferencë të madhe.

Albinfo.ch: Ka pasur vërejtje se edhe ju, ndonëse lëvizje e reformave të thella të shoqërisë, i jeni nënshtruar një utilitarizmi politik. Këtu hyn qëndrimi Juaj ndaj shkollave fetare, shamisë myslimane, (aderimi i politikaneve të caktuara me shami) etj. Si do t’u përgjigjeshit ju kritikave nga këto pozicione?

Albin Kurti: Ne jemi për respektimin e të drejtave njerëzore dhe të sferës private të secilit. Besimi e mënyra e veshjes nuk janë çështje që i diskutojmë në parti. Në Lëvizjen tonë ka njerëz të të gjitha besimeve e praktikave, askush nuk e pengon askënd, të gjithë e respektojnë dhe bashkëpunojnë me njëri-tjetrin në kuadër të programit tonë të përbashkët. Është çështje e të drejtave të njeriut.

Majtizmi si projekt zhvillimor dhe jo si bamirësi

Ne majtizmin e shohim si projekt zhvillimor ekonomik e shtetformues. Ne do të rrisim mirëqenien e shtresave të gjera popullore përmes punësimit, mbështetjes së bujqësisë, ndërmarrjeve private të vogla e të mesme, mbrojtjes së prodhimit vendor e masa të tjera.

Nuk ka pasur ndarje të VV por vetëm dalje të një grupi të vogël

Nuk kishte ndarje të Lëvizjes por dalje nga Lëvizja, me ç’rast dolën më pak se 50 veta para një viti e gjysmë kurse që prej atëherë erdhën më shumë se 15 mijë anëtarë të rinj. Në sondazhe jemi më mirë se në 2017, kur dolëm të parët me 200.000 vota. Kësaj radhe do të dalim mbi 250.000 vota”.