Kosova

Kurti: Nëse bëhem kryeministër Vjosa Osmanin e bëj kryeparlamentare, Hashim Thaçin do ta shkarkoj

Sipas tij, VV-ja do të fitojë më shumë se 1/3 e ulëseve në Kuvend me synimin që të marrë rreth 250 mijë vota

Kandidati për kryeministër, njëherësh kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka qeshur kur është pyetur nga qytetarët live në Rubikon të KTV-së, për raportin me PSD-në.

Kurti, nuk ka dashur të flasë për të kaluarën me ta e për PSD-në. I ka konsideruar si “borë e parvjetme, iku”.

“Ende po flet për ta?”, ka pyetur me humor Kurti.

“Të flasësh për PSD-në është si të flasësh për borën e parvjetme”, tha ai.

Kurti ka thënë se largimi i tyre ishte aksident dhe se “gipsin e kemi hequr para një viti”. “Ta kesh kryetarin e Prishtinës, kryetarin një komune tjetër dhe 12 deputetë e ne e kundërshtojmë, e të mos guxosh të dalësh vet në zgjedhje, është vdekje për së gjalli. Më i guximshëm po del Fatmir Limaj”, tha ai.

Lideri i VV ka premtuar se nësë bëhet kryeministër ta bëj vkryeparlamentare Vjosa Osmanin.

Albin Kurti, kandidat i VV-së për kryeministër, ka thënë se nëse ai fiton në zgjedhjet e 6 tetorit, pas fitores, kandidaten e LDK-së Vjosa Osmani, do ta bëjë kryeparlamentare.

Ai ka thënë se nëse nuk fiton VV-ja, “do të mbetet shteti i kapur dhe PDK-ja në pushtet”.

Një teori që PDK-ja e VV-ja të jenë bashkë në opozitë, sipas Kurtit, është e pamundshme. “Jemi dy pole. O ne o PDK-ja”.

“Nesër kemi mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm. Më mandatojnë për kryeministër. Pas fitores, unë e bëj e zonjën Vjosa kryeparlamentare. Nëse s’jemi të parët, nuk shoh ç’kapje të shtetit”, ka thënë ai duke shtuar se nëse LDK-ja fiton dhe i ofron VV-së bashkëpunim, “në situatë të tillë hipotetike duhet të kthehem te këshilli i përgjithshëm”.

Duke komentuar kundërkandidatët, Kurti ka thënë se ka respekt për Osmanin e LDK-së, ndërsa për Kadri Veselin e PDK-së, Ramush Haradinajn nga koalicioni AAK-PSD dhe Fatmir Limaj nga Nisma-AKR, ka thënë se “ata tashmë i takojnë së kaluarës, dhe po sillen si opozitarë”.

“Tre udhëheqësit e PAN-it që kurrë mos na u ktheftë në Qeveri”, ka thënë ai.

Kandidati për kryeministër, njëherësh kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, është përgjigjur në pyetjen se a do ta vizitojë varrin e ish-presidentit Ibrahim Rugova.

“Janë gjeste simbolike ku s’dua ta vë theksin. S’po them që kurrë s’do ë t shkoj. Ka dallim shumë të madh mes Albin Kurtit të Vetëvendosjes e Albin Kurtit kryeministër. S’do të jem arrogant ndaj opozitës. Madje, do të bashkëpunojë me ta. Unë s’do t’i shaj opozitarët e institucionet, për hir të pozitës që do të kem”, tha ai.

Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, është shprehur për shërbim të detyrueshëm ushtarak.

“Mendoj se duhet të kemi shërbim të detyrueshëm ushtarak, për 6 muaj. Dhe këtë, 3 muaj verës dhe tre muaj gjatë dimrit. Përveç atyre që nuk duan, nuk e duan armën, që duhet të kryejnë shërbimin civil”, ka thënë Kurti.

Ai ka thënë se kjo gjë duhet të bëhet në koordinim edhe me partnerin në qeveri. E me LDK-në, në diskutimet parazgjedhore ka thënë se nuk e kanë diskutuar këtë çështje.

Albin Kurti, ka folur edhe për kundërshtimin e planit Ahtisaari.

“Republika e Kosovës është edhe Republika e Ahtisaarit. Synojmë të kemi 2/3 e deputetëve serbë që do të na nevojiten, për punët e planet që kemi, dhe jo vetëm politike”, tha Kurti në Rubikon.

Lideri i VV-së ka folur edhe për taksën ndaj Serbisë.

“Ne i kemi thënë kryeministrit të kaluar mos ta heqë. Ne besojmë se reciprociteti i plotë ndërkombëtarë e politik është zgjidhja e duhur përpara. Nuk jam për tarifën, por reprocitetin e plotë, kjo është edhe më e fortë”. “Ne do të provojmë t’ fuqizojmë, t’i ndihmojmë, sepse këta liderë serbë, përfaqësojnë popullin në Kosovë”, tha ai.

Ai ka thënë se në legjislaturën e ardhshme duhet të ketë konsensus nacional dhe se duhet forcuar patjetër shtetin, sepse “kur e ke shtetin përtokë, ambiciet e Serbisë rriten”.

“Nëse ne kemi skandale qeveritare, migracion, arsim përtokë ku maturanti jonë është sa semimaturanti në Evropë, normalisht që Serbia thotë ma jep këtë, ma jep atë. S’mund të presim që pafundësisht të zvarriten raportet me Serbinë, por duhet të dalim në trend pozitiv zhvillimit. Të hyjmë në këtë trajektore e të zhvillojmë dialogun. Duhet të kemi tri parime në raport me dy vjetët e shkuara në raport me Serbinë. 1. Jo marrëveshje pa dialog, 2. Jo dialog me harta, 3. Jo harta me presidentë mbi to”, ka theksuar ai.

Kurti ka thënë se patjetër Kosova duhet të bëjë të ditura kërkesat, para se të ketë takime me palën serbe. Sa i përket Luginës së Preshevës, Kurti ka thënë se duhet reciprocitet i të drejtave.

“Lugina e ka shansin unik të shfrytëzojë kapitujt 23 dhe 24 të negociatave për anëtarësim të Serbisë në BE. Diskriminimi dhe shfrytëzimi është i pashembullt. Së dyti duhet reciprocitet. Më shumë ka shqiptarë në Serbi, se serbë në Kosovë. Duhet theksuar. Negociatat janë fushëbetejë. S’i dimë rezultatet. S’duhet të presim çka kërkon Serbia për të kërkuar edhe ne. Unë s’mendoj që duhet të hyjmë në pazare territoriale. Duhet të konsolidohet shteti. Duhet të angazhohemi maksimalisht për të drejtat e tyre si shqiptarë dhe t’i faktorizojmë ata shqiptarë. Kur Serbia nuk më njeh mua, as unë s’kam pse ta njoh atë”, ka shtuar ai.

Kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka folur edhe për reformat në sistemin e drejtësisë.

“Presidenti do të bashkëpunojë me ne, ai duhet. Ai do ta kuptojë që duhet ta lëshojë atë vend. Kur të ndërrojë qeveria duhet të ndërrojë edhe presidenti. Thaçi është pjesa më e lehtë e punës, do të shkarkohet kollaj”.

“Çka ka bërë ai dy vitet e fundit dihet se shpejt shkarkohet”, tha Kurti, duke shtuar se pasuria e paligjshme që i ka bërë politikanët njerëzit më të pasur, do të marrë fund.

Albin Kurti, ka thënë se Qeveria Haradinaj ishte qeveri e terpisë.

“Qeveria e fundit ishte e babëzisë, terpisë. Gjyshja ime thoshte ‘a e ka grykën e uritur, apo syrin. Grykën edhe e ngopim, po syri e pi ujin e detit’. Qeveria e fundit ishte e terpisë”, ka deklaruar ai në Rubikon të KTV-së.

Ai ka përjashtuar çdo mundësi të koalicionit paszgjedhor me PDK-në duke thënë se kjo parti duhet të dalë në opozitë, “përndryshe shteti mbetet i kapur”.

“S’bëhem kryeministër me PDK-në. Bëhem me VV-në e kam dashur të jem me LDK-në. LDK-ja ka bashkëmenaxhuar, por s’e ka kapur shtetin”, ka thënë ai.

“Ne buxhetin s’do ta çojmë në autostrada të mbyllura, do bëjmë autostrada të hapura që i lidh komunat. E s’i mbyll fshatrat”, tha ai.

Betim Musliu nga IKD, i është kthyer akuzave që VV-ja ia ka bërë Isa Mustafës dhe LDK-së në kohën sa ishte në qeveri me PDK-në, e kur thirrej me parulla “Isë, Isë, argati i Serbisë”.

Albin Kurti, kryetar i Vetëvendosjes, ka thënë se kjo parti e sheh LDK-në si partnere në një qeveri nëse VV-ja fiton zgjedhjet, por ka shtuar se duhet të ketë kujdes kush fiton në LDK.

Ai ka thënë se nuk ka pasur qëllim jo të mirë me letrën publike drejtuar LDK-së siç kishte thënë Isa Mustafa.

“S’doja numër 50 sepse doja të isha afër, jo larg. Thoshin që janë partia e parë, më të fuqishmit. Mendoj se ka thënë qëllimkeqe. Nëse s’ka pasur qëllim të mirë, kanë mundur të testojnë. Qëllimi im ishte i mirë. Kam pas argumente. Efekti i sinergjisë është fantastik. Por shkoi ajo punë. S’kemi opsion tjetër, por duhet të jemi të kujdesshëm kush fiton në LDK”, ka thënë ai.

Kurti ka shtuar se “ka provuar t’ua heq frikën LDK-së nga PDK-ja, por ata duan më shumë që ta luftojnë vetë këtë frikë që e kanë ndaj PDK-së”.

Për largimin e deputetëve të VV-së në drejtim të PSD-së, Kurti ka thënë se “në VV u krye krasitja, tjerët le të ruhen”.

Sipas Kurtit nënkryetari i LDK-së Lutfi Haziri ishte më i gëzuari që dështoi marrëveshja për koalicion parazgjedhor mes dy partive.

Sipas tij, Haziri që s’kishte fituar asgjë as në LDK duke mos marrë kreun, e as kandidaturën për kryeministër ishte më i lumturi në takim, ku u pa që s’mund të arrihej marrëveshje.

“Nënkryetari që s’kishte fituar asgjë ishte më i lumturi prej tyre. As kryetar, as kandidat. Vërehej nga qeshja e disponimi.Provuam shumë, provuam gjatë por pati druajtje që të ngjallë një koalicioni që do të shkaktonte tronditje të klanit PRONTO. Do të garojmë vet, si VV, kështu kemi qenë edhe më herët. Në 2017 e vuri si mungesë fitoren tonë PAN-i, këtë herë u shpartallua PAN-i. Kanë mundur të fitojnë me ne, tash ne fitojmë pa ta”, tha Kurti në Rubikon të KTV-së, transmeton Koha.net, percjell Albinfo.ch.

Kurti tha se druajte, ka pasur me gjasë se LDK-ja ka qeverisur bashkë me PDK-në dy mandate.

“Pati druajtje, por hollësitë nuk i di. Frika që kishin nga e ardhmja e përbashkët kundrejt PAN-it sidomos PDK-së, ishte më e madhe. Isha i bindur se bashkë i fitojmë 70 deputetë e të tjetër votojnë për vend të 3 e 4. Fitorja jonë ishte pozitive. z.Mustafa dhe unë nuk e kemi befasuar njçri tjetrin. Me vet faktin që do ta kemi përballë PDK-në, më shumë kanë frikë se dëshirë. S’mund të flas me emra por aty ka druajtje të madhe. Ndoshta vjen edhe prej asaj që kanë qenë bashkë me PDK në dy qeverisje. Ka garancion që PDK mbetet në opozitë”, ka thënë Kurti.