Kosova

Kurti: Thaçi nuk e ka mbështetjen e popullit për dialogun

Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka thënë se presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, nuk e ka përkrahjen dhe është i vetmuar në dialogun që po bën në Bruksel me homologun e tij serb, Aleksandar Vuçiq.

Kurti, në një intervistë për mediumin serb “Istinomer”, ka folur për shumë tema, ndërsa për çështjen e dialogut ka thënë se Thaçi e ka humbur edhe kredibilitetin dhe autoritetin, përcjell albinfo.ch.

“Thaçi kot negocion me Vuçiqin, sepse ne nuk do të lejojmë që kjo të ndodhë në llogarinë tonë. Ai është i vetmuar, nuk e ka përkrahjen e popullit, sikur që nuk e ka as mandatin e Kuvendit për çfarëdo negociatash”, thotë Kurti.

Ai ka thënë se Kosova nuk mund të heqë dorë nga territori i saj dhe nga interesat e saj jetike për shkak të Serbisë.

“Kancelarja Merkel, në disa raste, ka theksuar se Gjermania nuk e përkrah ndërrimin e kufijve, e qëndrim të ngjashëm kanë edhe qeveria britanike dhe ajo franceze. Fjala është për shtete kyçe të BE-së që e kanë njohur Kosovën në kufijtë ekzistues”, thotë Kurti.

I pyetur se a do të mund të bashkëpunonte me Haradinajn për temën e definimit të kufijve, Kurti ka thënë: “Vështirë, sepse ai i frikësohet Thaçit i cili mund t’ia rrëzojë qeverinë dhe, në të njëjtën kohë, e ka të qartë që kurrë më nuk do të mund ta marrë karrigen e kryeministrit”.