Kosova

LDK dëshiron Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë

Eksperti i arsimit nga radhët e LDK-së, Xhavit Rexhaj, ka thënë se është synim i LDK-së që në koalicionin me Lëvizjen Vetëvendosje të marrë Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë.

Këto deklarata Rexhaj i ka dhënë në një intervistë në FRONTAL të T7, i pyetur edhe nëse do të jetë ministër i Arsimit, meqë për një gjë të tillë është folur mjaft shumë në publik, përcjell albinfo.ch.

“Është orientim yni që LDK ta ketë Ministrinë e Arsimit. Programi që e kemi bërë gjatë fushatës është shumë real dhe shumë i realizueshëm”, ka thënë Rexhaj.

Sipas tij, përveç kësaj, është shumë e rëndësishme se a do të jetë prioritet dhe a do të trajtohet arsimi në mënyrën e duhur.

“Po aq e rëndësishme se a e merr LDK arsimin, është që a do ta marrë arsimi trajtimin e duhur”, ka shtuar tutje.

E se Rexhaj është i duhur për ministër, e thotë edhe një ish-anëtar i PDK-së, ish-ministri Arsim Bajrami. Por, ky i fundit thotë se do ta ketë shumë të vështirë nëse Rexhaj do të zgjidhet ministër i Arsimit, duke i përmendur sfidat e mëdha.

“Shpresoj që Xhaviti të bëhet ministër i Arsimit. Por, nëse bëhet, duhet t’i them që nuk do ta ketë shumë të lehtë. Nuk do të jetë i suksesshëm nëse nuk do të ketë përkrahje shoqërore”, ka thënë ish-ministri Bajrami.