E-Diaspora

Lidhja Shqiptare fton shqiptarët për një unitet edhe më të madh

Nga ky kongres Kuzhnini kërkoi që në festat kombëtare të futet edhe “2 Marsi” si vepër e madhe e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, me rastin e themelimit të Kuvendit të Lezhës më 2 mars 1444

Nga Xhevdet Kallaba

Në praninë e 91 delegatëve dhe qindra mysafirëve në sallë, në Shkup u mbajt Kongresi III i LSHB-së. Kryetar i radhës u zgjodh z. Nazmi Jakurti, ndërkaq kryetari i deritashëm z. Simon Kuzhnini dhe ideatori i Lidhjes z. Mikel Kuzhnini u shpallën “kryetarë të përjetshëm nderi të LSHB-së”.

Punimet e Kongresit i hapi kryetari i LSHB-së, Simon Kuzhnini, ndërkaq, ndonëse i rënduar nga shëndeti, në sallë ishte i pranishëm edhe ideatori i kësaj Lidhjeje, Mikel Kuzhnini.

Pas një vlerësimi të të arriturave të shqiptarëve gjithandej botës, si dhe mundësisë për të qenë më të bashkuar se kurrë më parë, Kuzhnini ftoi shqiptarët për një unitet edhe më të madh, duke iu drejtuar organeve shtetërore të Shqipërisë, por edhe të Kosovës që të mos qëndrojnë heshtur përballë kërkesave të kohës. Ai kërkoi edhe nga Akademitë e Shkencave të të dy shteteve shqiptare, të cilat i quajti “oda të diturisë kombëtare”, që të veprojnë më zëshëm drejt shkrimit të historisë reale për shqiptarët, por edhe të vihen në rolin e një promotori zhvillimor të shqiptarëve brenda dhe jashtë kufijve shtetërorë, dhe propozoi që një akademi kombëtare ta prezantojë kombin tonë në ftesat e akademive të Evropës dhe të kontinentit në botë. Sidoqoftë ai falënderoi akademitë dhe institucionet e arsimit për realizimin e Abetares kombëtare.

Ishin tepër emocionuese fjalët e Kuzhninit drejtuar shtetit amë: “E thërras nënën Shqipëri, o moj nëna Shqipëri, ishim të ndarë, por tash që u bashkuam, ende nuk na përqafove bijtë dhe bijat tuaja jashtë trojeve tona. Duaje këtë popull, të ndamë, por në zemër të bashkuar“!

Simon Kuzhnini kërkoi nga deputetët e Kuvendit të Shqipërisë dhe atij të Kosovës që të dalin me projekte konkrete, sidomos për ngritjen e arsimit, shëndetësisë, për orientimin e mekanizmit të të rinjve shqiptarë të shpërndarë nëpër botë drejt qendrës etj. Ai premtoi që brenda tetë muajve të mbahet një simpozium ku për çështjen shqiptare, me tema shkencore, do të referojnë austriakët, gjermanët, fancezët, turqit e tjerë dhe pastaj të insistojmë që të shkruhet historia e vërtetë për kombin shqiptar. Nga ky kongres Kuzhnini kërkoi që në festat kombëtare të futet edhe “2 Marsi” si vepër e madhe e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, me rastin e themelimit të Kuvendit të Lezhës më 2 mars 1444.

“Dhe, me dorën në zemër, në emër të vëllait dhe timin falënderoj gjithë popullin shqiptar në Evropë, Amerikë, Australi e Zelandë. Rroftë populli shqiptar, e bekoftë Zoti popullin shqiptar!”, tha mes tjerash Simon Kuzhnini në hapje të Kongresit të Tretë të Lidhjes Shqiptare në Botë, mbajtur në Shkup.

Kuvendin e përshëndetën edhe anëtarët tjerë të Kryesisë së punës si: Sebastian Nuiqi, Shaban Arifaj, Nazmi Jakurti, Milaim Fejziu, Ton Marku dhe Ilir Lleshi.

Më tutje, moderatorja e punimeve të Kongresit, Albana Osmani ftoi referuesit për të paraqitur punimet e tyre.

Zëvendëskryeministri i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, falënderoi LSHB-në për punën e bërë gjatë gjithë këtyre viteve, duke përkujtuar se punimet e Kongresit në Shkup janë edhe një rikthim i historisë, “…është edhe një lloj rivlerësimi i asaj se ku janë shqiptarët sot, por edhe një lloj rishikimi i lëvizjes në të ardhmen. Ky kongres po ndodh në javën kur po mbyllen dy ngjarje historike për shqiptarët, pra votimi i emrit të Maqedonisë Veriore dhe vendimi për themelimin e ushtrisë së Kosovës, të dyja këto ngjarje të rëndësishme për shqiptarët dhe për Perëndimin.

“Shqipëria në NATO, Shqipëria pranë hapjes së negociatave të vitit 2019 për anëtarësim në Bashkimin Evropian, Shqipëria e fortë dhe demokratike, Kosova e pavarur dhe me njohje të gjerë ndërkombëtare (një fakt i ri gjeopolitik në Ballkan), avancimi i pozitës së shqiptarëve në Maqedoni, në Mal të Zi dhe në Luginë të Preshevës, padyshim janë ngritje të shqiptarëve në këto dy dekadat e fundit”, shprehu optimizmin e tij për gjendjen aktuale të kombit shqiptar, Enver Hoxhaj, duke lënë gjithmonë për të dëshiruar për avancim të mëtejmë në këtë shekull të shqiptarëve.

Ndërkaq zv/kryeministri i Maqedonisë, Bujar Osmani përveç që foli për arritjen e shqiptarëve në Maqedoni, ai tha se „po bëjmë përpjekje për realizimin e idesë që institucionalisht të marrim një vendim për ndërtimin e një qendre memoriale të holokaustit në Bllace, në përkujtim të të gjithë atyre të dëbuarve në luftën e fundit të Kosovës, e që u pritën në Maqedoni, vepër kjo me të cilën do të kujtohet e kaluara, por njëkohësisht edhe një platformë që do të jetë edhe udhërrëfyese në pajtimin e popujve, si garanci e vetme për një rajon stabil dhe të orientuar drejt BE-së, dhe NATO-s.

Afaristi i mirënjohur Lazim Destani përgëzoi vëllezërit Kuzhnini për aktivitetin e tyre kombëtar, në veçanti për këmbëngulësinë e krijimit dhe të zhvillimit të LSHB-së, duke mos u dorëzuar para kurrfarë barrierash. “Ne, në çdo institucion apo në çdo drejtim, kur i bëjmë punët tona që i pranojmë, atëherë është vetë suksesi. Pra, edhe unë me shumë kolegë, afarist, nga të gjitha trojet mundohemi sa më shumë të lidhemi mes vete dhe sa më shumë të bëjmë investime në viset shqiptare dhe ekonomikisht të mbërrijmë aty ku janë të gjitha shtetet e civilizuara”, tha Lazim Destani.

Ermina Lekaj Prlaskaj, deputete e parlamentit kroat u shpreh: “Me unitetin tonë kemi arritur që në parlamentin e Kroacisë të kemi deputetët tanë që përfaqësojnë interesat shqiptare”, duke kërkuar për një mbështetje edhe më të madhe institucionale nga Shqipëria, Kosova e Maqedonia që forcon unitetin dhe që shpie te një platformë me strategji gjithëkombëtare për popullin shqiptar.

Ragmi Mustafa nga Lugina e Preshevës doli me një porosi para kongresistëve të LSHB-së për mbështetjen e shqiptarëve në Luginë të Preshevës. Janë jo më pak se 100 mijë shqiptarë në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë, ku fatkeqësisht gjysma e tyre janë në migracion, jo nga dëshira e madhe e tyre për të ikur nga trojet autoktone, por nga presionet serbe që nuk dinë të ndalen qe jo më pak se njëqind vjet. “Në Luginë të Preshevës iu ofrua jo abetarja gjithëkombëtare, por një abetare e cunguar, e sakatosur, e bastarduar, sepse serbët e morën kopjen elektronike dhe i hoqën Abetares flamurin, i hoqën Shkodrën, Krujën i hoqën fotografitë e Shqipërisë për t’ua ofruar fëmijëve shqiptarë Abetaren me jo 36 shkronjat meritore që i ka. Prandaj, në këtë fushë, propozoj që të kihet parasysh nga ky kongres, nga gjithë delegatët, por edhe nga Kryesia e punës që për platformën dhe programin e LSHB-së për çështje të rëndësishme të kombit të jenë tri çështje në program: e para që LSHB të iniciojë institucionet fuqiplote në Shqipëri, në Kosovë dhe në Maqedoni, si qytetarë shtetformues, për zgjidhjen e çështjes çame, të paktën për kthimin e pronave si e drejtë autoktone e tyre. Dhe çështja e dytë, në krahasim me të gjitha trevat tjera, në Mal të Zi po ashtu ka probleme, dhe duhet pasur parasysh se pa shqiptarët nuk mund të ekzistojë as Mali i Zi. Dhe e treta, ajo kruciale, ky kongres, LSHB dhe gjithë shqiptarët ta mbështesim bashkimin e Preshevës, Bujanocit e Medvegjës me Republikën e Kosovës, sepse është një moment i rëndësishëm kohor i dialogut Prishtinë-Beograd, një temë e hapur guximshëm nga presidenti i Kosovës dhe akoma më guximshëm në LSHB ku janë guximtarët më të përzgjedhur nga të gjitha trojet,  sepse në mbështetje dolën edhe BE dhe SHBA”, shprehu shqetësimin e tij Ragmi Mustafa

Nënkryetari i LSHB-së profesor Milaim Fejziu shpalosi programin e Platformës kombëtare të LSHB-së në Kongresin e Tretë.

Kongresi i Tretë i LSHB-së e aktualizoon fuqishëm çështjen kombëtare të shqiptarëve në rrethana dhe në raporte brendashqiptare, sikurse edhe në kushte dhe raporte ndërkombëtare të ndërlikuara. Strukturën e ndërlikueshmërisë së çështjes kombëtare në këtë kongres, shqiptarët e përcaktojnë qartësisht duke përmendur sfidat në të cilat sot ballafaqohen shqiptarët e të gjitha vendeve të tyre, sikurse edhe shqiptarët e diasporës.

Profesor Fejziu tha se çështja shqiptare do të kalojë në tri faza të zhvillimit të saj: faza e bashkimit shpirtëror, faza e bashkimit (bashkëpunimit) institucional dhe faza e bashkimit politik. Faza e parë tashmë ka filluar që nga rënia e Murit të Berlinit (1990) dhe me hapjen e kufijve brendashqiptarë që ka rezultuar me lidhjen e fijeve të shkëputura ndërmjet shqiptarëve për pesëdhjetë vjet izolimi.

Fazën e bashkimit institucional ai e konsideron si fazën më të rëndësishme në rrugëtimin e çështjes kombëtare, duke krijuar institucione të përbashkëta mbarëkombëtare që do të përshpejtojnë procesin e integrimit në të gjitha fushat e jetës. Bartës kryesorë të kësaj faze duhet të jenë Shqipëria dhe Kosova si dy shtete sovrane.

Fazën e bashkimit politik prof. Fejziu e paraqet si fazën përfundimtare të platformës kombëtare të LSHB-së, duke jetësuar gjeopolitikën e re në Ballkan që determinon strategji për shtetësimin e shqiptarëve në viset e tyre ku janë gjetur gjatë shekujve. Mbi këtë strategji u krijua Kosova shtet sovran dhe i pavarur, ndërkohë që Maqedonia është rrugës drejt transformimit në një shtet të tretë shqiptar në Ballkanin Perëndimor, ose siç parapëlqeu të thoshte prof. Fejziu krijimi i „Beneluksit shqiptar“.

Nga ky kongres i LSHB-së, duke e thënë haptas vullnetin dhe dëshirën e shqiptarëve për bashkim kombëtar, ne edhe bashkërisht deklarojmë se jemi për atë që na takon, dhe se nuk jemi as për „Shqipëri të Madhe“ dhe as për „Kosovë të Madhe“, nocione këto të ardhura në gjuhën shqipe nga joshqiptarët. Bashkimin shqiptar si dhe integrimin në NATO dhe në BE dëshirojmë ta arrijmë me punë dhe zhvillim, por jo me armë dhe me luftë, sepse shpirtërisht dhe fizikisht jemi të lidhur me parimin e njohur nga MAGNA KARTA, sipas të cilit „askush nuk duhet të vuajë humbjen e lirisë“, thuhet mes tjerash në e referatin e nënkryetarit të LSHB-së, prof. Milaim Fejziu.

Me diskutimet dhe përshëndetjet e tyre morën pjesë edhe Sebastian Nuiçi, Pashk Biba, Shpend Bajrami, Vullnet Ahmeti, Ilir Lleshi etj.

ZGJEDHJET NË LSHB

Para se të zgjidhej kryesia e re dhe kryetari i radhës i LSHB-së, paneli kryesues në mbështetje të të gjithë delegatëve dhe mysafirëve të pranishëm në kongres, me aklamacion, shpalli për kryetarë të përjetshëm nderi Mikel dhe Simon Kuzhninin.

Në vazhdim të punimeve të kongresit, Shaban Arifaj nga LSHB për Kosovën, që ishte edhe udhëheqës i panelit, dha në propozim emrat për komision zgjedhor e që ishin: Bekim Gashi, Madhrim Xhemaili dhe Diana Toska. Më pastaj në propozim u dhanë edhe dy kandidatë për zgjedhjen e kryetarit të radhës të LSHB-së: Nazmi Jakurti dhe Mel Uka. Në sallë ishin të pranishëm 91 delegatë të kongresit, nga të cilët me 89 vota pro dhe dy abstenime u zgjodh kryetari i ri i LSHB-së z. Nazmi Jakurti, i cili do ta udhëheq LSHB-në gjatë mandatit të ardhshëm katërvjeçar.

Me këtë rast kryetari i sapozgjedhur, z. Nazmi Jakurti falënderoi për besim e dhënë nga delegatët e pranishëm, duke iu drejtuar me fjalët: “Jam i vetëdijshëm që është një barrë shumë e rëndë që ta marrë mbi supet e mia unë, atë që e bënë vëllezërit Kuzhnini me shumë e shumë intelektualë e patriotë shqiptarë. Por, jam i bindur që do të kem përkrahjen tuaj, sidomos nga anëtarët e kryesisë së re, e veçanërisht nga të dy vëllezërit Kuzhnini, të cilët më kanë premtuar se edhe pse tani janë kryetarë nderi, dhe të vazhdojnë të më mbështesin në rrugëtimin e LSHB-së”.

Në shenjë mirënjohjeje dhe falënderimi për kontributin e dhënë për çështjen shqiptare, Kryesia e LSHB-së ndau mirënjohje për: familjen e komandantit Adem Jashari, Dom Lush Gjergjin, akademik Frashër Demajn, afaristin Lazim Destanin, ish-kryetarin e Kroacisë, Stjepan Mesiq, sportistin Shaban Sejdiu, Ermina Lekajn, afaristin Fehmi Fetahi, afaristin Hisni Jemini, Sebastian Nuiqin, prof. Milaim Fejziun, Nikollë Camajn etj.

Foto për kujtim mevëllezërit Kuzhnini
Pjesëmarrës të kongresit III të LSHB në Shkup
Mirënjohje për Ermina Lekaj – Prlaskaj
Simon Kuzhnini e Lazim Destani
Mirënjohje për Milaim Fejziun
Mikel Kuzhnini e Lazim Destani
Vullnet Ahmeti
Ragmi Mustafa
Sebastian Nuiqi
Enver Hoxhaj
Ton Marku
Ermina Lekaj Prlaskaj
Nazmi Jakurti
Bujar Osmani
Milaim Fejziu
Nazmi Jakurti kryetar i ri i LSHB-së
Simon Kuzhnini