Ekspozita

MariposaFa: Në kufijtë e heshtjes dhe vetes – gjurmë të brendshme në dritë dhe hije

Në këtë bisedë për albinfo.ch, Mariposa flet për raportin me artin, për dhimbjen, për guximin dhe për mënyrën si e ka ndërtuar këtë rrugë

MariposaFa krijon sepse ka nevojë ta bëjë këtë. Fotografia për të është një mënyrë për të qëndruar në kontakt me veten. Në çdo imazh të saj ka një ndjesi të hapur dhe të vetëdijshme. Ajo punon me atë që ndjen dhe me atë që përjeton. Nuk ndërton skena për të treguar diçka të jashtme. Imazhet e saj lindin nga brenda. Trupi, hija dhe objektet janë pjesë e një gjuhe të sajën. Në këtë bisedë për albinfo.ch, Mariposa flet për raportin me artin, për dhimbjen, për guximin dhe për mënyrën si e ka ndërtuar këtë rrugë.

albinfo.ch: Arti Juaj i fotografisë ndihet jashtëzakonisht unik. Si lind frymëzimi juaj dhe kur e keni ndjerë për herë të parë se fotografia përtej pasionit ishte edhe një mënyrë për të mbijetuar emocionalisht, mendërisht e shpirtërisht?

MariposaFa: Kur problemet shëndetësore shtohen dhe zgjasin, pasuria shpirtërore dalëngadalë zbehet. Me kalimin e kohës, ky fenomen ngurtësohet aq shumë, sa që zbrazëtinë mund ta prekësh. Për fat, fillova të bëj fotografi për ta mbushur atë boshllëk. Dhe më pëlqen të them se, kur bleva kamerën time të parë, aty ndodhi “Big Bang-u” im.

albinfo.ch: Në autoportretet Tuaja, ku përfundon realiteti dhe ku fillon konstrukti artistik?

MariposaFa: Mendoj se nuk ka realitet më të vërtetë sesa arti. Nëse e kërkoj hijen për t’i dhënë formë një subjekti apo objekti, jam duke krijuar art përmes realitetit.

albinfo.ch: A është trupi në veprat tuaja një gjuhë komunikimi apo një rrëfim i heshtur që kërkon të dëgjohet?

MariposaFa: Është e pamundur të mos ketë komunikim përmes trupit në çdo çast. Unë vetëm mundohem që, përmes fotografisë, ta përcjell mesazhin apo historinë në forma dhe mënyra të ndryshme.

albinfo.ch: Çfarë dialogu zhvilloni me veten në momentin kur vendoseni përballë objektivit?

MariposaFa: Me kohë jam mësuar ta imagjinoj emocionin e momentit në një fotografi. Ndoshta kjo është njëra prej arsyeve pse bëj më shumë autoportrete sesa peizazhe. I realizoj instinktivisht, që të mos e humbas ndjesinë e momentit dhe të jem sa më e sinqertë në imazh.

albinfo.ch: A mendoni se autoportreti është akt guximtar apo akt vetëpranues?

MariposaFa: Autoportretin përfundimisht e shoh si një akt guximi, sepse ai që bën autoportret vendos veten aty ku zakonisht vendosen të tjerët dhe nuk shmanget nga shikimi.

albinfo.ch: Çfarë përfaqësojnë korbat e zinj, lulet dhe elementët e tjerë që përsëriten në fotografitë tuaja, janë simbole apo gjendje shpirtërore?

MariposaFa: Jam nostalgjike dhe në shpirt më flenë nuanca të tilla. Çdo kompozim, me secilin element brenda tij, simbolizon gjendjen time shpirtërore në atë fotografi.

albinfo.ch: Si e përkufizoni errësirën në artin tuaj estetikë, rrëfim apo si një të vërtetë të brendshme?

MariposaFa: Tema e errësirës është subjektive. Për mua, ajo i jep formë dhe shpirt asaj që krijoj; më jep mundësinë që përmes jehonës së saj, të dëgjohet më qartë ajo që dua të them.

albinfo.ch: A është dhimbja një burim krijimi apo një gjendje që fotografia e transformon?

MariposaFa: Dhimbja nuk mund të jetë kurrë burim krijimi; unë mendoj të kundërtën, krijimi është gjithmonë terapi për çdo dhimbje.

albinfo.ch: Çfarë roli ka heshtja apo “klithma” në imazhet tuaja?

MariposaFa: Mundohem të flas sa më rrallë për fotografitë që bëj, por nuk mendoj se ato janë të heshtura.

albinfo.ch: Sa është fotografia për ju kontroll dhe sa është dorëzim ndaj momentit?

Mariposa: E dua fotografinë kur bëhet me instinkt është më e vështirë për t’u kontrolluar, por aty ndodh ajo që dua të tregoj.

albinfo.ch: Nëse do ta hiqnit veten nga fotografia, a do të mbetej i njëjti mesazh?

MariposaFa: Vlerësimi më i lartë për një artist është identifikimi përmes stilit. Çdo element në kompozimet e mia është një autoportret, një fragment i botës i ngrirë ashtu siç e shoh unë.

albinfo.ch: Si e përjetoni shikimin e publikut mbi një trup që ju vetë e vendosni në qendër të artit?

MariposaFa: Nuk ka kënaqësi më të madhe se kur njerëzit gjejnë veten te krijimet e mia. Mesazhet e tyre mbeten shtysa ime më e madhe për të vazhduar.

albinfo.ch: A ekziston një kufi mes intimitetit dhe ekspozimit në veprat tuaja?

MariposaFa: Intimiteti është i lidhur ngushtë me veprën që krijojmë. Gjithmonë ka një dozë estetike dhe shumë art që e mban atë në formë.

albinfo.ch: Në çfarë mënyre përpiqeni ta zhvendosni shikuesin nga të parit drejt ndjerit?

MariposaFa: Arti shërben si një urë për të treguar se përjetimet tona janë universale. Shikuesi i jep gjithmonë një dimension tjetër.

albinfo.ch: Çfarë ju tremb më shumë, moskuptimi i artit tuaj apo interpretimi i tij?

MariposaFa: Herë pas here kam bllokime nga moskuptimi apo keqinterpretimi. Por gjithmonë kthehem aty ku kam ndaluar, duke punuar me vetveten.

albinfo.ch: Si e konceptoni figurën e gruas në artin tuaj?

MariposaFa: Nëse arti do të kishte gjini, ai do të ishte grua. Gruaja është inspirimi dhe fuqia kryesore në veprat e mia.

albinfo.ch: Nëse arti juaj do të kishte një zë, çfarë do të thoshte ai për botën sot?

MariposaFa: Mundohem që arti im ta prekë individin e pastaj botën. Shpresoj që kultura dhe mentaliteti ynë të zhvillohen drejt hapjes dhe tolerancës.

albinfo.ch: Pas ekspozitës në Galerinë “Oda” në Shkodër, a planifikoni së shpejti një ekspozitë personale në Evropë apo në Kosovë?

MariposaFa: Kam bërë një pauzë nga ekspozitat për t’u fokusuar te vetja. Megjithatë, shpresoj së shpejti të realizoj një ekspozitë personale apo “duo”, madje edhe publikimin e një libri me përmbledhje të arkivit tim fotografik.

MariposaFa e ndërton fotografinë si një proces të vazhdueshëm pune me veten. Në qendër të saj mbetet përjetimi, i përkthyer në imazh pa ndërhyrje të tepërt dhe pa shmangie. Ajo e pranon atë që del në sipërfaqe dhe e vendos në formë të dukshme, duke e lënë të hapur për lexim. Në këtë mënyrë, fotografia e saj nuk mbyllet në momentin e realizimit. Ajo vazhdon si një prani që mbetet në përjetimin e atij që e sheh.

Më shumë fotografi nga fotografja MariposaFa:  Facebook dhe Instagram