Kosova

Me “bukë e kripë e zemërbardhë”, hapet Festivali i Gastronomisë Shqiptare

Nën moton mikpritëse “Bukë e kripë e zemërbardhë”, për herë të parë në kryeqytetin e Kosovës u hap Festivali i Gastronomisë Shqiptare, raporton albinfo.ch.

Dhjetëra kuzhinierë, prodhues nga Kosova, adhurues të kuzhinës shqiptare dhe artistë të ndryshëm, zunë vend së bashku në sheshin “Adem Jashari” në Prishtinë.

Për prodhuesit vendorë u krijua kështu një hapësirë e nevojshme për të promovuar produktet e tyre, kurse për shefat shqiptarë të kuzhinës, një mundësi e mirë për të shfaqur para publikut artin e gatimit.

Ky festival, i cili u krijua si nevojë e promovimit të recetave e produkteve mbarëshqiptare, solli në Prishtinë edhe shefa e kuzhinierë shqiptarë nga diaspora. Nik Panxha nga Zvicra dhe Emine Muharremi nga Turqia, bashkuan forcat për të përgatitur një darkë me ushqime tradicionale për 140 persona, për ditën e parë të festivalit.

© albinfo.ch

Niku, me përvojë 25 vjeçare në fushën e gastronomisë, punon në shkollën “Le Rosey” në Zvicër, ku i mëson nxënësit të gatuajnë dhe njëherësh është anëtar i ekipit që përgatit ushqimin brenda shkollës.

“Është shumë mundësi e mirë, sepse është festivali i parë i tillë që e ka këtë qëllim dhe shpresoj që vitet e ardhshme do të ketë edhe më shumë të interesuar. Them kështu sepse mendoj që është një rast shumë i mirë që të bashkohemi në aspektin e shkëmbimit të përvojave, pastaj ta krijojmë edhe një rrjet komunikimi e bashkëpunimi”, ka thënë Niku.

Synon promovimin e kuzhinës kosovare në Turqi

Kurse Emineja, me profesion gazetare, por e pasionuar pas gastronomisë, ka thënë për albinfo.ch se synon ta promovojë kuzhinën kosovare në Turqi. Për këtë, ajo së fundmi ka formuar Shoqatën e Solidarizimit të Kuzhinierëve Shqiptarë.

© albinfo.ch

“E kam në plan që ta bëj prezantimin e kuzhinës tradicionale kosovare përmes shoqatës”, ka thënë ajo.

Drejtori i këtij festivali, Astrit Panxha, një adhurues i ushqimit dhe historisë, tha se ideja e tyre ishte që të krijonin një festival ku do të promovoheshin njëkohësisht ushqimi, kultura, tradita e historia shqiptare.  Të inspiruar nga aktivitetet e ngjashme nëpër botë, sidomos në Zvicër, Panxha tha për albinfo.ch se vendosën ta krijonin një festival të tillë edhe në Kosovë.

“Hajde ta brendojmë mikpritjen shqiptare!”

© albinfo.ch

“Ne e kemi një thënie shumë të bukur, që është ‘Bukë e krypë e zemërbardhë’, që është edhe sinonim i mikpritjes shqiptare. Udhëtarë të ndryshëm, shkrimtarë të ndryshëm të huaj që kanë udhëtuar nëpër territoret shqiptare, gjithmonë e kanë mirëpritur edhe e kanë shpjeguar mikpritjen shqiptare si një ndër virtytet më të mira të shqiptare. Kështu që kjo ka qenë një shtytje më shumë që `hajde ta brendojmë këtë mikpritje, t’i tregojmë botës që shqiptarët edhe kanë kuzhinë”, ka thënë Panxha, që njëherësh është edhe kryetar i Klubit të Prodhuesve të Kosovës.

© albinfo.ch

Tutje, Panxha ka thënë se gastronomët shqiptarë në botë janë të shumtë, por sipas tij, gastronomia shqiptare nuk është prezente aq sa duhet nëpër botë. Kjo i ka shtyrë që një festival të tillë ta planifikojnë edhe jashtë kufinjve shqipfolës.

Andaj, Prishtina nuk do të jetë destinacioni i vetëm i Festivalit të Gastronomisë Shqiptare. Në nëntor të këtij viti, pritet që gastronomia shqiptare të jetë në qendër të vëmendjes në Berlin, mes gastronomëve shqiptarë e të huaj. Po ashtu, Panxha ka bërë të ditur për albinfo.ch, që pas Gjermanisë, Festivali i Gastronomisë Shqiptare pritet të udhëtojë në Nju Jork në vitin 2020.

Anëtare nga shoqata “Alba” duke gatuar fli në festival. © albinfo.ch

Luksemburgasja që e pëlqen flinë

Por ende pa shkuar jashtë Kosovës, ky festival tashmë ka tërhequr turistë të huaj. Anne Dostert nga Luksemburgu, jeton tash dy vite në Kosovë. Si një adhuruese e ushqimeve tradicionale, shqiptare, në veçanti e flisë, nuk ka pasur si të mungojë në këtë festival.

“Flija është ndër ushimet e preferuara gjatë gjithë kohës dhe është kaq bukur të jesh këtu dhe ta shohësh se si përgatitet”, ka thënë Dostert për albinfo.ch.

E këtij festivali, nuk i ka munguar as këndi i trashëgimisë, ku janë promovuar mjete e veshje tradicionale shqiptare.

© albinfo.ch

Në hapësirë publike por hyrja me para!

Ndërkaq, edhe pse po mbahet në një hapësirë publike, hyrja në festival kushton pesë euro. Kjo ka ngjallur pakënaqësi te disa njerëz. Por koordinatoja për marrëdhënie me publikun e këtij festivali, Tanita Zhubi, ka dhënë një arsyetim për këtë çmim. “Për të gjithë ata (që janë ankuar) nuk është që jeni duke e paguar hapësirën. Hapësira normalisht është publike, e ofruar me përkrahjen e komunës, mirëpo, çmimi mbulon më shumë kostot e organizimit, të muzikës, punëtorive edhe shpenzimeve shtesë. Mendojmë se ka qenë një çmim simbolik, duke e marrë parasysh se takimi me shefa të tillë, mbase do të kushtonte më shtrenjtë. Ose, një koncert i Shkëlzen Dolit do të kushtonte shumë më shtrenjtë se kjo”, ka arsyetuar Zhubi.

© albinfo.ch

Festivali do të vazhdojë edhe nesër, nga ora 12:00 deri në 22:00. Përveç gatimeve, do të ketë edhe lojëra, forume, punëtori e muzikë, me ç’rast pritet të perfomojnë Nezafete Shala & grupi Melodia e Vjetër, si dhe violinisti shqiptar me famë botërore, Shkelzen Doli.

© albinfo.ch