Kosova
Murati prezanton buxhetin për vitin e ardhshëm
Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka prezantuar Buxhetin për vitin 2025 para anëtarëve të Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere, raporton Ekonomia Online.
Buxheti për vitin e ardhshëm arrin vlerën prej 3.6 miliardë eurosh, ka thënë Murati.
“Buxheti për vitin e ardhshëm parashihet të jetë 3.6 miliardë euro, ndërkaq ky buxhet parashihet të financohet nga të hyrat buxhetore në nivelin e 3 miliardë e 305 milionë euro, kurse pjesa tjetër prej 300 milionësh euro do të jetë deficiti buxhetor. Për të ardhur deri te ky buxhet janë marrë parametrat e zhvillimit ekonomik dhe performancës së vitit aktual. Inflacioni deri në shtator ka shënuar rënie në 1.9 për qind”, tha Murati. “Pavarësisht përballjes së situatës së vështirë në nivel global, rritja ekonomike ka shënuar performancë të mirë gjatë këtij viti. Në pjesën e parë të vitit 2024 ekonomia është zgjeruar 4.9 për qind. Deri në fund të vitit presim që ekonomia të zgjerohet në 4.5 për qind në terma real e 6.6 për qind në terma nominal”, ka theksuar ai, raporton EO.
Kritika për këtë buxhet patën partitë opozitare.
Partitë opozitare në Komisionin për Buxhet, Punë dhe Transfere kanë pasur kritika për buxhetin e vitit 2025, të cilët e quajtën buxhet me mungesë zhvillimi ekonomik dhe me ulje të investimeve kapitale, raporton Ekonomia Online.
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Ferat Shala, ka kritikuar ministrin Murati për “ulje të investimeve kapitale dhe rritje të subvencioneve”.
“Si ka mundësi që te çështjet te investimet kapitale se disa zëra buxhetorë, si Akademia e Drejtësisë, Agjencia e Navigimit Ajror e organizata të tjera kanë zero buxhet për investime kapitale. Çka po ndodh me investimet kapitale që po barten nga viti në vit dhe investimet për këtë vit janë vetëm 8 për qind”, tha Shala.
Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj, ka pasur kritika për bartje të projekteve nga viti në vit. Kritikë pati edhe për mosrealizim të projektit për ndërtimin e urës së Badocit.
“Sot para vetes kemi ligjin për Buxhetin e vitit të ardhshëm dhe mund të them se është ligj me rendësi e veçantë sepse është zhvillimi i vendit dhe mirëqenia e qytetarit. Nga ky buxhet mund të them se është përsëritje e viteve të kaluara. E kam të qartë se nuk po mund ti mbroni dikasteret. E shoh sa ka qenë produktive se sa ju ka shërbyer qytetareve. Kjo qeveri ka dikastere që kanë shpenzuar më së paku investime kapitale. Deri në shtator keni shpenzuar 11 për qind dhe nëse e marrim vitin paraprak sa keni shpenzuar buxhetin. Nëse dikush mund të mbahet mend për bartje të projekteve, është kjo Qeveri. Janë dikasteret r juaja dhe nuk do të kisha dashur të jem në lëkurën tuaj që t’i mbërrijë dikasteret. Sa çerdhe i keni ndërtuar kur keni premtuar 160 çerdhe. Çfarë vështirësie keni pas për me realizua ndërtimin e urës 36 metërshe për urën në Badoc”, u shpreh Lekaj.
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, prezantoi premtimet që i ka realizuar Qeveria Kurti.
“Unë këtë buxhet e konsideroj si tranzitor deri në qeverinë e ardhshme. Po i përmend disa që janë prezantuar me të madhe, po që ende nuk kanë filluar. Fondi Sovran, Vettingu, Banka Zhvillimore, Fondi për Sigurime Shëndetësore. Vlerësimi im është se keni abuzuar me të drejtat tuaja ligjore në menaxhim e parasë publike dhe buxhetit të shtetit. Për dy vite më radhë është vonuar alokimi i buxhetit nëpër komuna, mosrealizimi me kohë i shumë projekteve nëpër komuna është edhe për fajin e juaj”, ka deklaruar Hoti.
Shqipe Metaj dhe Nijazi Isaku janë emëruar anëtarë të rinj në Komisionin për Buxhet, duke zëvendësura Visar Korenicën e Eman Rrahmanin, të dy të larguar nga Lëvizja Vetëvendosje.
E-Diaspora
-
Mbi 30 mijë aplikime nga diaspora për t’u regjistruar si votues Janë bërë mbi 30 mijë aplikime, ndërsa 1,990 janë refuzuar...
-
Çfarë i premton PDK diasporës?
-
Albin Kurti dhe Diaspora: Në mes të premtimeve dhe realizimit
-
Hyra Morina Sylkaj, shqiptarja e parë shofere e autobusit në Vjenë
-
11 kompani nga Diaspora në Konventën e 7-të të industrisë së drurit në Kosovë
Jeta në Zvicër
-
Aargau është kantoni zviceran me “lirinë” më të madhe Aargau zë vendin e parë në Zvicër bazuar në një renditje të lirisë sociale dhe ekonomike....
-
Banka Kombëtare e Zvicrës pritet të ulë më tej normat e interesit
-
Karin Keller-Sutter, zyrtarisht presidente e Zvicrës për vitin 2025
-
Rreth 500 sirianë të prekur nga ngrirja e statusit të azilit në Zvicër
-
Hamasi do të ndalohet në Zvicër për pesë vjet