Lajme

Në Francë diskutohet e drejta për të qenë dembelë

Reforma e pensioneve e Emmanuel Macron ka të bëjë shumë më tepër se me pensionet.

“Macron, ul pensionin tënd, jo tonin!” shkruhej në një pankartë në një protestë të fundit në Francë.

“Metro, punë, varr”, shkruhej në një tjetër, me një ton më të zymtë. Shumë persona dolën në rrugët e Francës për të protestuar kundër planit të presidentit Emmanuel Macron për të rritur moshën minimale të pensionit, nga 62 vjeç në 64 vjeç.

Pjesëmarrja nuk ishte aq e lartë sa në dy ditët e mëparshme të grevës në janar. Por të gjitha sindikatat i mbështesin grevat. Shumica e partive opozitare dhe shumica e francezëve, e kundërshtojnë me vendosmëri reformën e pensioneve.

Legjislacioni, i cili u paraqit në Parlament më 6 shkurt, jo vetëm që e ka ndarë vendin, por ka nxitur një dialog të ashpër, shkruan The Economist.

Qeveria thotë se reforma është “e domosdoshme”, në mënyrë që sistemi i pensioneve të baraspeshojë llogaritë dhe që Franca të ruajë pensionet e saj bujare, në një kohë kur njerëzit po jetojnë gati një dekadë më shumë se në vitin 1980. Kundërshtarët e reformës e akuzojnë qeverinë se po heq mizorisht të drejtat e fituara me vështirësi të një shteti social modern.

Deri tani, qeveria e Macron nuk ka arritur t’i bindë dot francezët se rritja e moshës së pensionit është një mënyrë e nevojshme apo e drejtë për të plotësuar deficitin vjetor të pensioneve, që do të arrijë në 14 miliardë euro (15 miliardë dollarë) deri në vitin 2030.
Kritikët nga krahu i majtë i opozitës, thonë se do të ishte më e drejtë të tatoheshin “super-fitimet”, ose të pasurit. Një raport nga Oxfam France, tregoi se një taksë prej 2% mbi asetet e miliarderëve francezë, do të eliminonte menjëherë deficitin e pensioneve. Republikanët e qendrës së djathtë, të cilët më parë e rritën moshën e pensionit nga 60 në 62 vjeç, tani këmbëngulin se versioni i Macron është i padrejtë.

Megjithatë, duke u përqendruar ngushtë në moshën e daljes në pension, qeveria nuk po arrin të shpjegojë se kjo nuk është thjesht një çështje kontabiliteti. Ajo është pjesë e një përpjekjeje më të gjerë të zotit Macron për ta vënë punën në qendër të projektit të mandatit të tij të dytë.

“Reforma e pensioneve, – thotë Marc Ferracci, ekonomist i punës dhe deputet i partisë qendrore të Macron – është thelbësore për objektivin e fushatës për të sjellë punësim të plotë dhe rritjen e shkallës së punësimit të punëtorëve më të moshuar”.
Punësimi i plotë do të nënkuptonte frenimin e papunësisë nga 7% sot, në rreth 5%, një nivel që nuk është parë që nga viti 1979. Përqindja e 55-64-vjeçarëve në punë, sot në Francë është 56%, duke u rritur me pesë pikë gjatë mandatit të zotit Macron, por mbetet shumë më poshtë se niveli 72% në Gjermani.

Mesi i artë

Për këtë qëllim, qeveria dëshiron të paraqesë një “indeks të të moshuarve”, për të monitoruar përqindjen e punëtorëve më të vjetër në listën e pagave dhe për t’i nxitur firmat të punësojnë më tepër punëtorë të mëdhenj në moshë.
Për të rinjtë, reforma do të zgjerojë numrin e praktikave, që arriti në 980,000 në vitin 2022, niveli më i lartë i regjistruar ndonjëherë. Paralelisht, qeveria ka shtrënguar rregullat për ndihmat për të papunët, që zbatohen zakonisht gjatë periudhave të rritjes ekonomike dhe mungesës së fuqisë punëtore. Shumë firma në Francë aktualisht raportojnë se kanë probleme me plotësimin e vendeve të lira të punës.
Një projekt i tillë ka kuptim për Francën. Megjithatë, që nga pandemia, shumë shtete e kanë rimenduar natyrën e punësimit. Dhe në mendjen e francezëve, përparimi drejt një shoqërie më të mirë, matet nga lehtësimi i barrës së punës.

Në vitin 1880, Paul Lafargue, mendimtar socialist, botoi “Le Droit à la Paresse” (“E drejta për të qenë dembelë”), duke kërkuar një ditë pune treorëshe dhe duke denoncuar “çmendurinë e dashurisë për punën”. Dy dekada më parë, libri “Bonjour Paresse” (“Përshëndetje dembelizëm”), u kthye në bestseller.

Ulja e kohës së punës, e projektuar fillimisht për t’i mbrojtur punëtorët nga abuzimi, është bërë pjesë e historisë së vendit që prej pasluftës. Në vitin 1982, François Mitterrand uli moshën e pensionit nga 65 vjeç, në 60 vjeç.
Dy dekada më vonë, Franca paraqiti javën e punës 35-orëshe. Përqindja e francezëve që e konsiderojnë punën “shumë të rëndësishme”, ra nga 60% në vitin 1990, në vetëm 24% në vitin 2021. Pandemia e ka nxitur këtë ndryshim, thotë Romain Bendavid, në një studim për Fondacionin Jean-Jaurès.

Deri në vitin 2022, vetëm 40% e francezëve thanë se do të parapëlqenin të fitonin më shumë dhe të kishin më pak kohë të lirë, nga 63% në vitin 2008.
Politikanët francezë flasin për të gjitha këto kryesisht për të shkëmbyer fyerje dhe slogane.
Sandrine Rousseau, udhëheqëse e Partisë së Gjelbër nga koalicioni NUPES, argumenton hapur për “të drejtën e dembelizmit” dhe dëshiron të sjellë një javë pune 32-orëshe. Gérald Darmanin, ministri i Brendshëm i presidentit Macron, i quan anëtarët e NUPES një grup “njerëzish që nuk e pëlqejnë punën” dhe që mendojnë se mund të jetojnë në një “shoqëri pa bërë asnjë përpjekje”.

Jo aq dembelë sa ç’duket

Në fakt, shoqëria franceze është më e ndërlikuar se sa tregojnë stereotipet. Falë rregullave më të buta, punëtorët francezë mesatarisht punojnë më shumë orë në javë se gjermanët (37 orë në krahasim me 35 orë), dhe janë po aq produktivë për orë pune.
Madje, disa politikanë, duke përfshirë Fabien Roussel, udhëheqësin e Partisë Komuniste, e përqafojnë vlerën e punës. Francezët mund të thonë se puna nuk është më qendrore në jetën e tyre, por një studim i ri nga Instituti Montaigne, tregon se tre të katërtat e tyre thonë gjithashtu se janë përgjithësisht të lumtur në punë, një shifër që ka qenë e qëndrueshme për disa vite.
Megjithatë, Franca nuk po bën këtë debat dhe 64% janë ende kundër reformës së pensioneve. Thuhet se Macron është i vendosur të qëndrojë i palëkundur. Nëse ai nuk mund t’i gjejë dot votat në Parlament, ku nuk zotëron shumicën, reforma mund të miratohet duke përdorur një dispozitë të veçantë kushtetuese, ndonëse rrezikon të provokojë zgjedhje të reja legjislative.

Sidoqoftë, nëse Macron nuk do të arrijë t’i bindë dot francezët për meritat e reformës së tij, ai nuk do të njihet si presidenti që përfundoi një reformë të suksesshme, por si politikani që zemëroi keq vendin e tij.