Shqipëria

Negociatat: Holanda ka dyshime për progresin e Shqipërisë

Kryeministri holandez, Mark Rutte, u shpreh të mërkurën në Berlin se kemi më shumë shqetësime për Shqipërinë se sa për Maqedoninë e Veriut në lidhje me progresin e bërë për hapjen e negociatave

Kryeministri holandez, Mark Rutte, vizitoi Berlinin të mërkurën me kabinetin e tij qeveritar për të biseduar mbi bashkëpunimin gjerman në fushën e mbrojtjes së klimës dhe zhvillimit të energjive të rigjenerueshme. Por në konferencën e shtypit bashkë me kancelaren Merkel ai u shpreh edhe në lidhje me hapjen e negociatave të BE-së me Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut. I pyetur nëse Holanda do të japë përgjigje pozitive për hapjen e negociatave, Rutte u shpreh se kemi ende shqetësime, përcjell albinfo.ch.

“Ne, si shumë vende të tjera ende jemi të shqetësuar – diçka më pak për Maqedoninë e Veriut dhe më shumë për Shqipërinë. Pyesim veten, se sa përpara ka shkuar progresi në Shqipëri, dhe aty kemi më shumë shqetësime. Për këtë ne do të flasim në javët e ardhshme edhe me partnerët europianë, sepse jemi vërtet të shqetësuar për masën e progresit të arritur. Maqedonia e Veriut ka arritur më shumë se Shqipëria, dhe për këtë do të ketë ende bisedime”.