E-Diaspora

Nga diaspora në Prizren, për ta dashur më shumë vendin e të parëve

Organizatorët e DokuFestit kanë krijuar një program të veçantë me emrin “DokuDiaspora”, përmes të cilit kanë synuar lidhjen më të madhe të diasporës me vlerat historike dhe kulturore të Prizrenit

Prizreni, mbase më mirë se çdo qytet tjetër i Kosovës, ka ruajtur frymën që e bën atë të dallueshëm. Falë historisë që ka kaluar fuqishëm në rrugët e tij dhe natyrës që është treguar e pakursyer me të, ky qytet  ka çfarë të ofrojë në çdo stinë, për të gjithë.

Shqiptarët e diasporës e kanë Prizrenin pikëtakimin e tyre të lakmuar sidomos gjatë verës, ndërsa tradita që po krijon festivali i filmit DokuFest ia ka forcuar edhe më shumë këtë rol, qytetit më historik të Kosovës.

Në këtë vazhdë, organizatorët e DokuFestit kanë krijuar një program të veçantë me emrin “DokuDiaspora”, përmes të cilit kanë synuar lidhjen  më të madhe të diasporës me vlerat historike dhe kulturore të Kosovës, me fokus të veçantë, të Prizrenit. Programin e ka mbështetur Usaid-i dhe Sida.

Në këtë kuadër, një grup bashkatdhetarësh që kanë ardhur për pushime në Kosovë kanë zgjedhur të provojnë ofertën e programit në fjalë.

 

Një itinerar i krijuar për ta, i cili kalonte nëpër disa nga pikat më të rëndësishme hsitiorike të Prizrenit, gjatë rreth dy orë ecjeje, ka përmbushur vetëm pjesërisht dëshirën e tyre për të shijuar Prizrenin.

Marshuta ka filluar në Hamamin e Madh të qytetit (Hamamim e Gazi Mehmet Pashës) dhe ka vazhduar te Kisha Ortodokse e “Zonjës së Mëshirshme”, për të përvijuar pastaj te Muzeu Arkeologjik që është i vendosur në një koompleks me Sahatkullën dhe hamamin tjetër, disa qindra metra më tutje.

Shëtitja nëpër histori ka vazhduar pastaj te Kisha Katolike e Prizrenit “Zonja Ndihmëtare”. Këtu po përgatitej kurorëzimi i një çifti të ri, prandaj brendia e kishës ishte stolisur për një rast të tillë. Kjo e pasuroi përjetimin e vizitorëve me edhe një segment interesant të funksionimit të kësaj kishe.

Shëtia vazhdoi me vizitën në Xhaminë e Sinan Pashës, objektin mbase më të madh të kultit fetar islam në Kosovë e më gjerë, ku vizitorët hynë pa problem ndërkohë që besimtarët po kryenin ritualin e faljes.

Shtëpia e Lidhjes së Prizrenit ishte planifikuar të vizitohej në përmbyllje të kësaj shëtie nëpër histori. Por, ashtu si dhe disa nga objektete tjera të parapara për vizitë, Shtëpia e Lidhjes ishte e mbyllur, prandaj vizitorëve u mbeti të kënaqen vetëm me historinë e treguar nga ciceroni i angazhuar me këtë rast, jashtë kompleksit të Lidhjes.

Taulant Gashi me motrën e tij, Vlorën ka një rrëfim interesant për pjesëmarrjen në këtë aktivitet. Ai tregon se ka qenë pakoja e prezantuar në albinfo.ch ajo që e ka cytur atë për të marrë pjesë në këtë shëti.

“Fillimisht  pashë stendën ku është vendosur “Doku Diaspora” dhe aty pastaj hasa në njoftimin që revista albinfo.ch e kishte publikuar për këtë shëtitje”, thotë ai.

E veçantë në këtë rrëfim është se Taulanti është vetë nga Prizreni. Kosovën e ka braktisur me prindërit si fëmijë 10 vjeç dhe sot jeton në Vevey të Kantonit Vaud në Zvicër. “Edhe pse vetë jam nga Prizreni dhe babai im është historian, ndaj i kam të njohura shumicën e këtyre që i vizituam, them se ia ka vlejtur shumë një organizim i tillë.

 

Duhet organizuar më shumë aktivitete të tilla dhe të motivohen më shumë të rinjtë nga diaspora për të marrë pjesë në to. Është shumë më mirë këtu se sa të kalojnë pushimet në rrethin e mbyllur të dasmave, siç ndodh zakonisht. Këtu mësojnë diçka dhe kalojnë një kohë të bukur me njerëz tjerë”, thotë Taulant Gashi 30 vjeçar, i cili punon si ekspert në marrëdhëniet publike, në komunikim, në Zvicër.

Me ato që thotë Taulanti, pajtohet edhe motra e tij, Vlora, e cila ka mbaruar fakultetin dhe ka specializuar për kontabiliste, po në Zvicër. Ajo po ashtu thotë se duhen krijuar më tepër mundësi për diasporën që ta njohë më mirë vendin e të parëve dhe kjo që ka bërë DokuFest me këtë rast është një hap i qëlluar.

Edhe Florent deh Argjend Ibrajti, 15 dhe 13 vjeçarë bëjnë pjesë në grupin që po e bën marshutën nëpër qytetin e lashtë të Prizrenit. Ata vijnë nga Gjermania ku kanë vetëm një vit që kanë shkuar të jetojnë me prindërit. “Ishte një rast shumë i mirë për të parë Prizrenin më nga afër dhe për të mësuar shumë gjëra që nuk i kemi ditur”, thonë djemtë nga Suhareka.

Këtu i ka sjellë daja i tyre, Fatoni, i cili vlerëson se një aktivitet i tillë është shumë i qëlluar. Ai thotë se i ka sjellë nipërit e tij që të shikojnë dhe njohin monumentet e qytetit të Prizrenit pasi që në këtë mënyrë krijohet një lidhje më e fuqishme e tyre me vendlindjen.

Në përmbyllje të vizitës së bërë momnumenteve historike të qytetit, për pjesëmarrësit u shtrua një darkë me kuzhinë tradicionale të vendit dhe në ambientin tipik të Prizrenit historik, buzë Lumbardhit.