Lajme

24-vjeçarja shqiptare nga Parisi, e dyshuara kryesore për vrasjen e 32-vjeçarit në Ferizaj

Familja, e cila jeton dhe vepron në Paris të Francës, kishte ardhur për pushime në Kosovë. Viktima ishte ftuar në banesën e tyre, ku u gjet i vrarë me një plumb në kokë.

Detaje të reja kanë dalë në dritë lidhur me vrasjen e 32-vjeçarit Florim Haxhidema, ngjarje që tronditi Ferizajn mbrëmjen e së dielës, transmeton albinfo.ch.

Prokuroria Themelore në Ferizaj ka kërkuar nga Gjykata Themelore caktimin e masës së paraburgimit ndaj 24-vjeçares me inicialet A.R., e cila dyshohet për veprën penale “Vrasja”.

Sipas Prokurorisë, ngjarja ndodhi rreth orës 22:40 në një banesë në rrugën “Sejdi Sejdiu”, ku pas një mosmarrëveshjeje që dyshohet se eskaloi në përleshje fizike, A.R. dyshohet se e privoi nga jeta 32-vjeçarin F.H.

Fillimisht, lidhur me rastin ishte ndaluar edhe babai i saj, M.B., për sqarimin e rrethanave dhe rolit të tij të mundshëm në ngjarje. Megjithatë, Prokuroria ka bërë të ditur se ai është liruar me vendim të prokurorit, pasi ndaj tij nuk është kërkuar masë paraburgimi.

Sipas hetimeve, edhe e dyshuara ka pësuar lëndime trupore, të cilat dyshohet se i janë shkaktuar nga viktima gjatë përleshjes. Ajo është trajtuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Prokuroria ka bërë të ditur se pas veprimeve të para hetimore, rasti është rikualifikuar si “Vrasje”, ndryshe nga cilësimi fillestar i Policisë së Kosovës, e cila e kishte iniciuar si “Vrasje e rëndë”.

Sipas të dhënave të deritanishme, e dyshuara është mërgimtare nga Kosova, e cila jeton dhe vepron në Paris të Francës. Ajo kishte ardhur në Kosovë për pushime së bashku me familjen.

Dyshohet se viktima ishte ftuar në banesën e familjes, ku më pas ndodhi incidenti fatal. Ai u gjet pa shenja jete me një plagë në kokë të shkaktuar nga arma e zjarrit. Në vendin e ngjarjes, policia sekuestroi një pistoletë dhe një gëzhojë.

Në momentin e incidentit në banesë ndodheshin edhe nëna e të dyshuarës dhe vetë A.R., e cila u dërgua për trajtim mjekësor pas lëndimeve të marra.

Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje janë ende në zhvillim, ndërsa Gjykata pritet të vendosë lidhur me kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj 24-vjeçares./Albinfo.ch