Koronavirusi: çast pas çasti

OBSH: Koronavirusi ka origjinë natyrore

I del sërish në përkrahje Kinës.

Kjo është deklarata e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, e cila hodhi poshtë pretendimet e ngritura nga teoritë konspirative, por dhe nga qeveria amerikane, se koronavirusi është i modifikuar në laborator.

Sipas OBSH-së, ka prova konkrete se prejardhja e virusit pandemik, ka origjinë natyrore dhe nuk ka dalë nga Instituti Kërkimor i Virologjisë në Wuhan të Kinës. Oranizata madje vlerësoi sërish përpjekjet e Kinës që prej shpërthimit të pandemisë, duke nxitur botën që të ndjekë shembullin e saj.

“Nga të gjitha sekuencat që janë në dispozicion, dhe besoj se janë më shumë se 15 mijë sekuenca të plota gjenomi, tregojnë se virusi ka një origjinë natyrore”, tha Maria van Kerkhove, drejtoreshë teknike e Programit të Emergjencave në OBSH.

Ndërsa, Michael Ryan, drejtor ekzekutiv i Programit të Emergjencave Shëndetësore i OBSH-së, u kërkoi Shteteve të Bashkuara që të tregojnë provat e tyre nëse dyshojnë për origjinën e koronavirusit.

“Ne nuk kemi marrë asnjë provë specifike nga qeveria amerikane lidhur me supozimet për origjinën e virusit, kështu që nga perspektiva jonë, mbetet spekulative. Por, nëse ato të dhëna apo prova ekzistojnë, i takon qeverisë së SHBA-së që të vendosë nëse dhe kur mund t’i ndajnë me ne. Prandaj, ne fokusohemi tek ato që dimë, te provat që kemi. Këto prova, pra studimi i ADN-së, na këshillon se virusi ka origjinë natyrore”, tha Michael Ryan, Drejtor Ekzekutiv i Programit të Emergjencave në OBSH.