Kosova

Presidenti i Kosovës: Nuk ka marrëveshje me Serbinë 

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka deklaruar se nuk ekziston asnjë marrëveshje e nënshkruar me Serbinë, siç përflitet në deklaratat e disa politikanëve në Kosovë. 

Në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, presidenti ka thënë se aktualisht ndodhet në pushime dhe se do ta takojë Ekipin negociator qysh të hënën. 

“Unë në vazhdimësi i kam informuar të dy bashkëkryesuesit e Ekipit negociator për të gjitha temat që janë diskutuar deri më tani në Bruksel, në kuadër të fazës së fundit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Gjithashtu, ua kam bërë të qartë se deri më tani nuk ekziston asnjë dokument i shkruar zyrtar apo draft-marrëveshje e përgatitur nga BE-ja. Kjo është e natyrshme, sepse ne jemi në fazën fillestare të negociatave për të arritur një marrëveshje përfundimtare gjithëpërfshirëse. Në këtë proces historik, ne do të punojmë së bashku dhe në koordinim me njëri-tjetrin”, ka thënë presidenti Thaçi. 

Ekipi negociator ka kërkuar që t’i ketë në dispozicion të gjitha dokumentet për dialogun më Serbinë.