Kosova

Presidenti i Kosovës për gati tre vjet ndan rreth 700 dekorata

Gati në 700 ka mbërritur numri i dekoratave të ndara nga presidenti Hashim Thaçi.  

Një numër të tillë, Presidenti Thaçi e ka mbërritur për tre vjet që është në postin e presidentit, ndërsa e dyta në listë, ish-presidentja Atifete Jahjaga, për 5 vjet kishte ndarë 550 dekorata, raport KTV, përcjell albinfo.ch.

Ish-presidenti Fatmir Sejdiu ishte njëri prej presidentëve më duarshtrënguar kur bëhet fjalë për dekorata.  

Kjo nga analistët po shihet si një tentim i presidentit aktual që përveç tjerash, ta rrisë besueshmërinë ndaj tij. 

E nga mbi 1500 dekorata që janë ndarë nga të gjithë presidentët e vendit, ka edhe personalitete që janë nderuar 3 herë me medalje të ndryshme.  

Presidenca nuk është përgjigjur në pyetjen e dërguar për të kuptuar arsyetimet për ndarjen e disa prej dekoratave të fundit.