Kosova

PZAP të hënën vendos për votat e vonuara të diasporës

Pas vendimit të Gjykatës Supreme për numërimin e votave të ardhura me vonesë nga diaspora, në Qendrën e Numërimit dhe të Rezultateve ende nuk ka nisur numërimi i tyre

Për këto vota, KQZ-ja po pret vendimin e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, raporton KTV.

“Sipas vendimit, PZAP-ja duhet të rivendosë lidhur me çështjen në fjalë. KQZ-ja do të presë vendimmarrjen e këtij institucioni dhe sigurisht, sikurse në të kaluarën, do të veprojë në përputhje me vendimin e tij. Se a do të ketë ndikim në kohëzgjatjen e shpalljes së rezultateve përfundimtare, sigurisht se tashmë nuk është në dorën e KQZ-së kjo gjë, pasi varemi nga vendimmarrja e një institucioni tjetër. Do të presim vendimin për të proceduar më tej”, ka thënë Valmir Elezi, zëdhënës i KQZ-së.

PZAP-ja ka konfirmuar për KTV-në se të hënën do të mblidhet për të vendosur rreth kësaj çështjeje, përcjell albinfo.ch.

Ndërsa, në mesnatë ka përfunduar procesi i numërimit të votave me kusht dhe atyre të personave me nevoja të veçanta.

Sipas zëdhënësit të KQZ-së, Valmir Elezi, të shtunën ka përfunduar edhe rinumërimi i katër vendvotimeve, për të cilat KQZ-ja vendosi në mbledhjen e së premtes.

Pas përfundimit të këtyre proceseve, Nisma Socialdemokrate ka njoftuar sërish se koalicioni i tyre ka kaluar pragun zgjedhor. Partia e Fatmir Limajt ka vazhduar kundërshtimin ndaj numërimit të votave nga Serbia.

Te votat me kusht prin Lëvizja Vetëvendosje, me 6 mijë e 783 vota, të cilën e pasuar nga PDK-ja me 5 mijë e 330 vota, e pas tyre është LDK-ja me 4 mijë e 892 vota.