Shqipëria

Qiratë në Tiranë deri në 4000 euro për m2

Ndërkohë në qendër kanë nisur punën shumë projekte luksoze apo kulla, çmimet e të cilave arrijnë deri në 4000 mijë euro/m²

Vetëm në tremujorin e parë të 2019-s Bashkia e Tiranës ka dhënë leje për ndërtimin e ndërtesave rezidenciale me një sipërfaqe që i tejkalon 479 mijë m², me një vlerë të përafërt prej rreth 141 milionë eurosh. Në krahasim me të njëjtin tremujor një vit më parë, sipërfaqja e lejeve të reja të dhëna është gati pesëfishuar.

Sipas Albanian Construction Portal, aktualisht po zhvillohen në Tiranë 245 projekte ndërtimi, nga 227 që ishin në fillim të vitit. Prej fundit të janarit dhe deri më tani, kanë nisur 18 projekte ndërtimi më shumë në kryeqytet.

Ndërkohë që oferta shtohet me shpejtësi, çmimet kanë arritur një lloj ekuilibrit në treg, ndërsa në zona të caktuara, kanë filluar të bien, transmeton ‘monitor’.

Në zonën e 5 Majit, që njihet si Farmacia 10, Arlis Ndërtim ka nisur një projekt të ri rezidencial në fillim të këtij viti. Moza, menaxhere e shitjeve e kompanisë, e cila po ndërton edhe projektin Square21, thotë se çmimi i shitjeve në këtë kompleks është 1000 euro/m² ndërsa dyqanet 2500-3000 euro/m² në varësi të pozicionit. Çmimet janë më të ulëta se rezidencat e reja në atë zonë, teksa burime nga kompania thanë se kjo ka ardhur për shkak të numrit të lartë të apartamenteve që po ndërtohen, përcjell albinfo.ch.

Rreth dy vite më parë, aty afër, ku kryqëzohet Rruga Bardhyl, me zonën e Farmacisë 10, firma e ndërtimit Progeen, ishte drejt përfundimit të fasadës të rezidencës Rruga Bardhyl, me çmim 1150 euro/m². E njëjta po ndërton edhe në zonën e Porcelanit, rezidencën Iris, prej fundit të vitit të kaluar. Sipas menaxherëve të shitjeve, çmimi në këtë rezidencë banimi është 850 euro/m², pa ndryshuar që prej shkurtit të 2017.

Një tjetër projekt i Progeen është edhe rezidenca Rainbow në zonën e Don Boskos, me 830 euro/m². Po në atë zonë po ndërtohet kompleksi rezidencial Fiore di Bosko, të cilat shiten me çmim mesatar prej 900 euro /m².

ASL Konstruksion po ndërton te Selvia, pranë rrugën Kongresi i Manastirit. Çmimi për metër katror, sipas përfaqësueseve të kompanisë, të cilët u kontaktuan nga ‘Monitor’, ishte 850 euro për metër në katror. Por, sikurse shpjeguan ata, nëse paguhet më shumë se gjysma e vlerës së apartamentit, mund të përfitohet një ulje, duke e marrë me 800 euro/m². Në kompleksin Delijorgji, afër Hilton, mund të gjesh apartamente në rishitje edhe me 1,200 euro për metër katror, kur çmimet zyrtare nga kompania varionin në rreth 1400-1500 euro/m2.

 

Zonat e tjera të Tiranës kanë pasur një stabilitet në çmime. Në Unazën e Madhe, pranë fabrikës së miellit, çmimi për metër katror vijon të jetë 850 euro/m². Po ashtu, edhe në zonën e Siri Kodrës, ku Kontakt po ndërton kompleksin Siri. Klajdi Memjadini, agjent i pasurive të paluajtshme në DevInf, thotë se zonat më të lakmuara, për të cilat do të ketë gjithmonë kërkesë mbeten brenda Unazës së Vogël të Tiranës. Nga përvoja e tij disavjeçare në treg, pronat e vlerësuara me çmimin e duhur nga shitësit arrijnë të shiten, pavarësisht situatës së tregut.

Ai thotë se zonat më të kërkuara të Tiranës janë: Tirana e Re, në të cilën përfshihen disa lagje, si p.sh. blloku “Vasil Shanto”, zona pranë “Postës 8”, ish-Blloku, zona pranë shkollës “Petro Nini Luarasi”, dhe blloku pranë Gardës së Republikës; “Myslym Shyri”, fillimi i Rrugës së Kavajës dhe fillimi i Rrugës së Durrësit, zona pranë Radio Televizionit Shqiptar. Sipas tij, çmimet në këtë zonë fillojnë nga një minimum prej 1600 eurosh, edhe për apartamentet që janë hedhur në treg për rishitje.

Lulëzojnë objektet e luksit në Tiranë, kullat arrijnë në 4,000 euro/m2

Ndërkohë në qendër kanë nisur punën shumë projekte luksoze apo kulla, çmimet e të cilave arrijnë deri në 4000 mijë euro/m². Invest Society, aksionerët e të cilës kanë pasur aktivitete të lojërave të fatit dhe kanë interesa në kompani të tjera ndërtimi e projektimi, po zhvillon në Tiranë 4 projekte luksoze, Rainbow Center, West Residences, Book Building, Green Terrace.

Book Building, që ka filluar të ndërtohet pas Sahatit, sipas lejes zhvillimore është Godinë polifunksionale 4, 5, 11 dhe 21 kate, me 3 kate nëntokë. WEST Residence 2, 3, 4, 5, 6, 7, 8 dhe 9 kate, te ish Blloku është godinë polifunksionale në rrugën “Ibrahim Rugova”.

Rainbow Center, po tek Blloku, është godinë me 7 kate (nga të cilat dy kate janë qendra tregtare). Burime nga agjencitë pohojnë se për këto projekte, çmimet zyrtare variojnë nga 3,500 euro/m2 në këtë fazë ndërtimi deri në 4,000 euro/m2 kur të ketë përfunduar karabinaja. Në 4,000 euro/m2 kanë arritur çmimet edhe në apartamentin që po ndërtohet pranë Presidencës.

Në projektin Down Town (ish këndi i Lojërave 7 Xhuxhat te Rruga e Elbasanit), një kullë me 40 kate, me funksione të ndryshme të ndara sipas kateve, ku 2912 m² të kateve të para do të shërbejnë si hapësira komerciale, apartamentet variojnë nga 2600-3500 euro/m2, në varësi të katit, metrave, mënyrës së pagesave etj. Down Town është investim 100% i grupit Kastrati, pas tërheqjes së grupit Balfin nga ky projekt.

MET Building Tirana do të jetë një kullë 12-katëshe, fasada dhe tarracat e së cilës do të jenë të gjelbëruara dhe po ndërtohet pranë Hotel Dajtit. Për këtë projekt është më e vështirë të gjesh informacion. Mësohet se çmimet e rreth 300 apartamenteve janë të negociushme dhe variojnë nga 2500 euro/m2 (nëse paguan njëherësh) deri në 3500 euro/2.

Më pak të shtrenjta janë rezidencat që po ndërtohen pranë Liqenit Artificial. Për shembull, në Lakeview Rezidencës që po ndërtohet nga firma Gener2 në afërsi të Parkut të Madh të Tiranës, në Rrugën e Kosovarëve, oferta varion nga 1600 euro/m² deri në 2500 euro. Në total, ky kompleks do ta shtojë ofertën me 600 apartamente.

Blerësit kryesorë të këtyre apartamenteve, që minimumi kushtojnë 250-300 mijë euro, janë sipërmarrës, bankierët etj. Aktorët e tregut pohojnë nën zë se të larta janë dhe shitjet me para në dorë, teksa bankat përgjithësisht janë të përqendruara në dhënien e huave mesatare dhe i qëndrojnë larg këtij segmenti.