Kosova

Rama: Open Balkan është zgjerim ekonomik

"Nga janari 2022 do të ketë lehtësira doganore për kompanitë"

Janari i vitit të ardhshëm do të jetë muaji kur do të duken hapat konkretë të nismës së Open Balkan, tha kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

Nga Beogradi, ku po mbahet takimi i radhës mes liderëve të Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut, Rama shprehet se u diskutua për lehtësimin e procedurave doganore.

Ai theksoi se nëse tregjet e vendeve në fjalë integrohen me njëra-tjetrën, atëherë ato kthehen në një faktor shumë të rëndësishëm. Gjatë fjalës së tij, Rama u shpreh se pritet që nga janari në kufijtë e vendeve të fillojë një relaksim i ndjeshëm për kompanitë, distributorët dhe fermerët.

“Thelbi është se si të zgjerojmë ekonomitë tona, tregjet tona që në vetvete mbetet të vogla, por nëse integrohen me njëra-tjetrën, kthehen në faktor të rëndësishëm. Gjithmonë e më tepër po del në pah që kjo ka një kufi që lidhet me hapësirën e shfrytëzimit të tregut dhe që të përfitojmë më shumë investime të huaja direkte që sjellin punësim cilësor dhe shumë më tepër vlerë të shtuar. Më vjen mirë që sot na u dha mundësia të ballafaqohemi me sipërmarrës, të gjithë njëzëri në mbështetje të Open Balkan kërkuar që kjo të përkthehet në një realitet të prekshëm në kufi, aty ku fillojnë problemet. Jemi angazhuar që nga janari në kufijtë e vendeve të fillojë një relaksim shumë i ndjeshëm për kompanitë, distributorët dhe fermerët”, tha Rama.

Sipas tij, nisma e Open Balkan ka ndikuar në ardhjen e më shumë turistëve serb e maqedonas në Shqipëri.

“Gjatë 8 muajve të fundit, fluksi i turistëve nga Serbia është rritur me 68 për qind, ndërsa nga Maqedonia e Veriut me 22 për qind dhe jam i sigurt që do të rritet akoma më shumë”, ka shtuar ai.

Kryeministri Edi Rama, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq dhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, më 29 korrikun e kaluar nënshkruan një deklaratë të përbashkët, e cila bazohet në katër liritë e mëdha të bashkëpunimit, si liria lëvizjes së mallrave, kapitalit, njerëzve dhe shërbimeve.

Ndërkohë, Kosova, Mali i Zi dhe Bosnjë e Hercegovina nuk kanë pranuar të jenë pjesë e kësaj nisme.