Koronavirusi: çast pas çasti

Rekord tragjik i koronavirusit në SHBA: Afër 2000 të vdekur për një ditë

Po ashtu në shtetin federal të Nju Jorkut, gjatë ditës që shkoi numri i vdekjeve nga koronavirusi ka arritur një kulm të radhës. Plot 730 veta kanë humbur jetën nga kjo sëmundje

Gjatë 24 orëve të fundit në SHBA kanë vdekur afër 2000 (1909) veta si pasojë e Covid-19. Ky është numri më i madh i viktimave të regjistruara brenda një dite në gjithë botën që nga shpërthimi i krizës së koronavirusit, transmeton albinfo.ch lajmin nga mediat botërore.

Ky numër të vdekurish është më shumë se dyfish më i madh se ai i regjistruar në Itali, në kulmin e krizës, që ishte 940.

Njoftimin e ka bërë Universiteti Johns Hopkins.

Po ashtu në shtetin federal të Nju Jorkut, gjatë ditës që shkoi numri i vdekjeve nga koronavirusi ka arritur një kulm të radhës. Plot 730 veta kanë humbur jetën nga kjo sëmundje, ka bërë të ditur guvernatori i këtij shteti, Andrew Cuomo.

Vetëm një ditë më parë, Cuomo kishte deklaruar se kriza e koronavirusit kishte arritur kulmin e saj. Por ai nuk kishte dashur të zbuste masat e vendosura për të luftuar pandeminë.

SHBA tashmë është shndërruar në epiqendër të koronavirusit në botë, shkruan albinfo.ch. Në mbrëmjen e të martës autoritetet kanë publikuar numrin prej 400.000 të infektuarish dhe 13.000 të vdekurish. Vetëm në 24 orët e fundit, numri i viktimave ka qenë 1909.