Shqipëria

Sa para marrin shqiptarët nga mërgimtarët brenda një viti?

Shuma e marrë në një vit është 2,350 dollarë ose 499 dollarë për transaksion. Këto vlera janë më të lartat nga vendet e marra në studim pas Kosovës

Grupi i Bankës Botërore bëri një studim mbi sjelljen financiare të përfituesve të remitencave në gjashtë vende në Evropës Lindore dhe Azinë Qendrore (ECA), ku përfshihet Shqipëria, Kosova, Serbia, Bosnja, Taxhikistani dhe Republika e Kirgistanit.

Objektivi kryesor i anketës ishte perceptimi i sjelljes së marrësve të remitencave në vendet e përzgjedhura dhe nivelin e kënaqësisë me produktet dhe shërbimet ekzistuese të remitencave, shkruan ‘monitor’.

Sipas rezultateve të këtij anketimi (806 familje, të cilat kanë marrë remitencat), 86% e familjeve të intervistuara në Shqipëri kanë marrë dërgesa dy deri në tre herë në vit për një periudhë 10-vjeçare.

Shuma e marrë në një vit është 2,350 dollarë ose 499 dollarë për transaksion. Këto vlera janë më të lartat nga vendet e marra në studim pas Kosovës. Shumica e flukseve të remitencave vijnë nga Greqia dhe Italia (më shumë se 60%), përcjell albinfo.ch.

Ky studim tregon se Shqipëria i përdor më pak bankat për kanalizimin e remitencave krahasuar me rajonin, kryesisht për shkak të kompleksitetit të procesit dhe procedurave dhe për shkak të kostove të larta të transferimit. Rezultatet e anketimit tregojnë gjithashtu se në Shqipëri, më shumë se 50% e familjeve përfituese nuk posedojnë llogari bankare, ndërsa vetëm 35% përdorin kartë pagese.

Nga 2007-2017, bankat kanë pakësuar shërbimet për emigrantët

Më herët këtë vit, Banka e Shqipërisë zhvilloi një studim me fokus remitencat, në kuadër të planit kombëtar për promovimin e rolit të Diasporës në zhvillimin e Shqipërisë. Sondazhi i Bankës Qendrore përfshiu 16 banka, 31 institucione financiare jobanka dhe 10 shoqëri të kursim-kreditit.

Anketa evidentoi se bankat shqiptare aktualisht ofrojnë një sërë shërbimesh për emigrantët shqiptarë dhe familjet e tyre. Dymbëdhjetë banka që zotërojnë 86% të aktiveve të sistemit bankar kanë raportuar se ofrojnë shërbime për emigrantët dhe vetëm një bankë, që përbën 12.7% të aseteve të sistemit bankar, pohoi se nuk ofron produkte apo shërbime për emigrantët.

“Transferi bankar” është produkti kryesor që ofrojnë bankat. Produkti i dytë më i përhapur është “depozita”. Gjithashtu nëntë banka deklarojnë se ato ofrojnë “kredi hipotekore për emigrantët ose familjet e tyre”. Rezultatet e anketës në vitin 2007 treguan se 10 banka kishin ofruar “kredi hipotekare për emigrantët”. Arsyet për tërheqjen e bankave nga ky produkt mund të vijnë nga faktorët e kërkesës dhe të ofertës, shpjegon Banka e Shqipërisë.

“Huaja e biznesit për emigrantët dhe familjet e tyre” është një tjetër shërbim që bankat vazhdojnë të ofrojnë, edhe pse në një masë më të vogël (vetëm 5 banka që përbëjnë 23.6% të aseteve, nga 6 banka duke përbërë 42.8% të aseteve në vitin 2007).

Në dallim nga rezultatet e anketës së vitit 2007, kur 13 banka ofruan kredi konsumatore për emigrantët dhe familjet e tyre, në këtë anketë vetëm 4 banka që përbëjnë 23.5% të aseteve të sistemit bankar ofrojnë kredi konsumatore për emigrantët. Këto rezultate tregojnë se bankat nuk po i kushtojnë më shumë vëmendje shërbimeve që mund t’u ofrojnë emigrantëve.

Një zhvillim pozitiv, në aspektin e shërbimeve për emigrantët, është vetëm në lidhje me depozitat me karta elektronike, i ofruar nga 10 banka, që përbëjnë 65.6% të aseteve të sistemit bankar, kundrejt 8 bankave (që përbëjnë 57% të aktiveve të sistemit bankar) në vitin 2007.

Në lidhje me transferet pa komisione, vetëm një bankë ka raportuar se për emigrantët, ofruan transferime pa komision deri në një shumë të caktuar (900 euro). 10 vite më parë, 5 banka raportuan se ofronin transfere pa komisione deri në një shumë të caktuar për emigrantët.

Sa i përket monedhës së përdorur për pagesat bankare, 5 banka raportuan se kanë aplikuar pagesa në monedhën origjinale të transferimit, 3 banka raportuan se japin transfer edhe në lekë dhe 7 banka raportuan se e japin transferin sipas dëshirës së marrësit. Në dallim nga viti 2007, vetëm 2 banka raportojnë se kanë një marrëveshje me bankat në vendet pritëse të emigrantëve nga 10 banka me marrëveshje në vitin 2007.

Vetëm 3 banka raportojnë se ofrojnë shërbime të transferimit në kohë reale (d.m.th. shërbimet brenda 24 orëve), ndërsa 9 banka kërkojnë dy ditë për transferimin e parave. Në anketën e vitit 2007, 8 banka raportuan në kohë reale transferet për remitencat. Të gjitha bankat raportuan se përdorën SWIFT për transferet dhe 2 banka raportojnë se, përveç SWIFT, përdorën edhe metoda të tjera.

Nga të dhënat e anketës shihet se bankat kanë zhvendosur vëmendjen e tyre nga remitencat, ndonëse dërgesat janë të larta dhe një pjesë e këtyre rrjedhave kanalizohet jashtë kanaleve zyrtare të transferimit. Banka e Shqipërisë rekomandon se bankat duhet të rifokusojnë vëmendjen e tyre në biznesin e remitencave, pasi burime të reja fitimi vijnë nga komisionet. Së dyti, remitencat janë një burim i madh financimi në valutë. Së treti, bankat mund të shesin produkte të tjera që lidhen me remitencat, si për emigrantët edhe për përfituesit e remitencave, p.sh. kartat e debitit, kartat e kreditit dhe kredia konsumatore, rekomandon Banka e Shqipërisë

Bankat nuk kanë plane të ofrojnë shërbime për emigrantët

Banka e Shqipërisë i pyeti institucionet financiare për pritshmëritë dhe planet e ardhshme në aktivitetin e tyre në lidhje me sigurimin e produkteve dhe shërbimeve të reja të lidhura me remitencat. Vetëm një bankë, që zotëronte 5.3% të aktiveve të sistemit bankar, tregoi pritshmëri pozitive rreth planeve për të ofruar produkte të tilla në të ardhmen (kundrejt 9 bankave në vitin 2007). Lloji i produktit i përzgjedhur sipas prioritetit është “depozitimi” dhe pastaj “parapagimi me karta”. Njëmbëdhjetë banka iu përgjigjën “JO”, d.m.th. 93.2% e sistemit bankar shqiptar nuk kanë plane të shtojnë produktet dedikuar emigrantëve.

Ndërsa institucionet mikrofinanciare u treguan optimiste për sigurimin e produktit për emigrantët. Trembëdhjetë institucione, nga 34, u përgjigjën se kishin plane për të shtuar produkte të reja për emigrantët dhe remitencat në të ardhmen. Lloji i produkteve dhe shërbimeve financiare që ata planifikojnë të ofrojnë për emigrantët ndryshon nga ato që planifikojnë bankat. Përveç produkteve të reja që lidhen me depozitimin i remitencave, ngjashëm me bankat, institucionet mikrofinanciare presin të ofrojnë produkte lidhur me kreditë për strehim, e cila është zgjedhja e dytë e sektorit.

Ndryshe nga bankat, institucionet e mikrofinancës kanë zgjedhur të planifikojnë në produktet e ardhshme “ndërmjetësimin për investime dhe menaxhimin e portofolit” si dhe “skemat e kursimit afatgjatë”. Qasja e institucioneve financiare jobanka në tregun e remitencave është e ndryshme nga ajo e bankave. Këto institucione i kushtojnë më shumë vëmendje tregut të remitencave, duke përshtatur produktet që u shërbejnë posaçërisht emigrantëve dhe familjeve të tyre.