Shkurt.ch

SBB ndan fitimin me klientët: 15 franga shpërblim për çdo pronar abonamenti

Veç kësaj, personat që kanë një abonament gjysmë çmimi do të marrin edhe kuponë prej 20 frangash për ndryshimin nga klasa e dytë në klasën e parë të trenave zviceranë

Ndërmarrja shtetërore e Hekurudhave SBB/CFF ka lënë pas vetes një vit të suksesshëm afarist. Dhe, në traditën e mirë zvicerane është që edhe klientët të përfitojnë diçka nga ky sukses të cilit i kanë kontribuuar. Kështu, si rezultat i një bashkëveprimi në mes të SBB-së dhe mbikëqyrësit publik të çmimeve (mbrojtësi i konsumatorëve),  Stefan Meierhans është shpallur një paketë “dhuratash” që do t`u bëjnë mirë xhepave të konsumatorëve.

Meierhans thekson për blick.ch se “nga kreditë dhe uljet e çmimeve përfitojnë të gjitha grupet e klientëve. Për fillim, lajmi i mirë shkon në adresë të pronarëve të abonamentit gjysmë çmimi (Halbtax-Abonnement). Dhe ata nuk janë pak por 2.6 milionë në gjithë Zvicrën, shkruan albinfo.ch. Ata do të marrin nga 15 franga për një abonament (i cili kushtin 150 franga). Kjo shumë do të bartet në mënyrë automatike më së voni deri në fund të nëntorit 2019 në kontot e të gjithë pronarëve të këtij abonamenti.

Veç kësaj, personat që kanë një abonament gjysmë çmimi do të marrin edhe kuponë prej 20 frangash për ndryshimin nga klasa e dytë në klasën e parë të trenave zviceranë. Me një ndryshim të tillë ata mund të kalojnë përkohësisht nga treni i klasës së ditë në atë të klasës së parë, që është më komod. Me këto dy dhurata, zotëruesit e abonamentit të përmendur, përfitojnë nga 35 franga.

Por, duarthatë nuk do të mbeten as ata që nuk posedojnë abonament të tillë. Klientët e SBB-së që kanë në zotërim abonamente speciale për shëtitje, për rrugë ose module të veçanta, do të marrin gjatë muajit maj nga një kupon prej 100 frangash, të ndarë në shuma të ndryshme. Ky kupon mund të merret në sportelet për shërbime transporti ose edhe në restorantin e bordit. Ose, sipas Meierhans, ai mund të shfrytëzohet për ulje të çmimit në rast të blerjes ose përtëritjes së abonamentit.

Nuk dihet se sa veta konkretisht do të përfitojnë nga kjo, por ajo që dihet është se do të ketë më tepër se më parë bileta të reduktuara. Në këtë mënyrë, pasagjerët do të kursejnë gjithsej 100 milionë franga, transmeton albinfo.ch. Një vit më parë, bëhej fjalë për 80 milionë franga të kursyera.

Në rast se ky objektiv i zbritjes së çmimeve do të huqet për më shumë se 13 milionë franga, SBB do t`ua kreditojë shfrytëzuesve të abonamentit gjysmë çmimi, shumën që e bën diferencën.

Pa përfitime nuk do të jenë as 490.000 klientët që kanë abonamentin Gjeneral (GA). Ata do të lirohen nga pagesa prej 10 frangash që duhej ta paguanin kur e depononin abonamentin gjatë kohës sa shkonin në pushime.