Tema nga terreni

Shpend Salihu, fotografi „që ta vjedh momentin“

„Çdo fotografi e ka gjuhën e vet të shprehjes. Edhe amatorët më të zakonshëm bëjnë foto të mrekullueshme, me mjete shumë të thjeshta”, thotë Shpend Salihu, fotograf dhe aktor nga Cyrihu

Gjithçka thotë të ketë filluar me kamerën e parë, mjaft të sofistikuar për kohën, që kishte blerë babai i tij, kur Shpendi ishte rreth 10 vjeç. Veç fotografisë, në jetën e tij artistike Shpend Salihu zbuloi brenda vetes edhe aftësinë për të aktruar. Në rolin kryesor ishte ngjitur në skenë të filmit që në moshën 17 vjeçare për të vazhduar deri më sot në role të vogla e të mëdha. Shpendi ka luajtur në 31 filma dhe 10 reklama në televizione të ndryshme.

Aparati i fotografit shqiptar ka kapur emra të mëdhenj si: Angela Martini, modeli i HUGO BOSS, Simon Cocker, koreografi i Michael Jacksonit dhe manekeni Kevin Stea, Miss Zwicra Amanda Ammann, Mister Zvicra Luca Ruch, Gina Lisa Lohfink, Petey Pablo, Peyman Amin,  DJ Tomekk.

Në zhanret e fotografisë së Shpendit mund të përmenden; portrete, peizazhe, reklama, foto,  dokumentare, fotot në fusha në ndryshme të artit etj. „Po pate një moment që transmeton një emocion, pavarësisht se nuk është improvizim, sjell foto të suksesshme“, thotë në një intervistë për albinfo.ch fotografi dhe aktori i njohur në Zvicër, Shpend Salihu.

albinfo.ch: Si e kujtoni kohën kur ju filluat të merreni me fotografi, pra, si nisi kjo “aventurë”?

Shpend Salihu: Në realitet fotografinë e kam dashur shumë më herët. Si fëmijë, imitoja  personazhet që i shihja në televizion por gjithmonë më fascinonte kapja e çastit, pra fotografia, gjegjësisht mënyra e realizimit. Kur erdhëm në Zvicër, babai im me shokët e tij , organizonte dhe dërgonte aparate të fotos dhe kamera në Kosovë. E, prej atje vinin foto e filma ku dëshmohej dhuna që po ushtrohej. Banesa jonë për kënaqësinë time, ishte shndërruar në një depo aparatesh të ndryshme të fotografive e kamerave, ku unë po përmbushja kureshtjen time. Por, kurrë nuk arrita ta mësoj se ku përfundonte ky material që vinte nga Kosova…

Në aktrim u futa si rastësisht. Si nxënës gjimnazi. Dhe, starti ishte i mrekullueshëm. Isha 17 vjeçar kur fitova rolin kryesor ne filmin e parë. Në vitin tjetër vazhdova po ashtu me rol kryesor. Për të vazhduar deri në ditën e sotme, me role të mëdha apo të vogla. E që bëjnë 31 filma dhe 10 reklama në gazeta dhe televizione të ndryshme. Në ndërkohë, në mua filloi të mbizotëronte një ndjenjë krejtësisht tjetër. Dëshiroja të jem vet krijues, e jo subjekt. Pra, meqë nuk kisha mjete materiale për të xhiruar ndonjë film sipas këndvështrimit, opsioneve e bindjeve të mia, fillova pak më seriozisht të merrem me fotografi, ku gjen shprehjen  kjo kërkesë ndaj vetes time.“

albinfo.ch: Kush t’i ka vlerësuar fotografitë e bëra në fillimin e karrierës suaj si fotograf?

Shpend Salihu: Për çdo punë timen,  vlerësimin e parë e kërkoj nga nëna ime Shukrija, e cila edhe pse nuk ka ndonjë arsimim të lartë, ka një kriter të jashtëzakonshëm për vlerësim. Kurse nga profesionistët kam shumë konsideratë për vlerësimin e tyre të dy fotografëve: Pino Gomes – fotograf me renome botërore, ekspert ndërkombëtar për foto bashkëkohore të modës; si dhe Peter Plüss – ish ekspert evropian i  fotos analoge. Si dhe një person i veçantë, Pierre Mennel, njëherësh kameraman po ashtu i përmasave ndërkombëtare, e i cili ishte edhe kameraman i dy filmave të mi të parë.“

Momenti që transmeton emocion, sjell foto të suksesshme

albinfo.ch: Sa ndërhyn moda në një fotografi, pra cilat janë efektet e modës në të?

Shpend Salihu: Edhe pse moda ka rrënjë të thella komerciale, gjithsesi se ka ndikim shumë të madh, por shpesh ndodhë të varet nga konteksti. Në foton e modës ti krijon një botë tjetër, që në një mënyrë është imponuese, p.sh. ndaj asaj faktografike, ku kërkohet të kapet çasti ekzistues. Pra, te fotoja e modës është improvizimi që përcakton vlerën.

albinfo.ch: Thjeshtësia mund të sjellë një fotografi më të bukur?

Shpend Salihu: Gjithsesi. Po pate një moment që transmeton një emocion, pavarësisht se nuk është improvizim, sjell foto të suksesshme, edhe pse enterieri është krejt i thjeshtë.

albinfo.ch: Cilët hapa duhet t’i ndjekim që të kemi një fotografi të kompletuar?

Shpend Salihu: Ka shumë faktorë. Gjithçka fillon me një ide, pra duhet të kihet parasysh se çfarë porosie dëshiron të transmetosh – kur bëhet fjalë për fotografinë komerciale ose artistike. Kurse te fotoja faktografike, e ngjarjeve , e reportazhit, natyrës e të ngjashme, duhet të „vidhet“ çasti pa pasur mundësi për ndërhyrje  por po ashtu varet nga porosia që do të transmetosh. Teknika nuk është parësore, nuk është zot i fotografisë, por të lehtëson për të arritur qëllimin.

albinfo.ch : A janë fotografitë me famë botërore që ju inspirojnë e ju sjellin motiv për të punuar më tutje?

Shpend Salihu: Në aspektin artistik, çdo fotografi e ka gjuhën e vet të shprehjes. Edhe amatorët më të zakonshëm bëjnë foto të mrekullueshme, me mjete shumë të thjeshta. Ndryshe, ka shumë krijues të fotografisë që mund të jenë inspirues. Si Steven Klein, David La Chapelle, Mert and Marcus, Daido Moriyama, Helmut Newton dhe shumë të tjerë. Kohëve të fundit, e kemi rastin e fenomenit të Banksyt. Person të cilin askush nuk njeh, askush nuk e ka parë, por që bën „street art“, me porosi jashtëzakonisht të qarta, të nivelit të lartë artistik.

Klasikja mbetet gjithmonë ëmbëlsirë

albinfo.ch: Sipas jush, sot a dominojnë fotografitë e modës apo klasiket?

Shpend Salihu: Fotoja e modës ka jetë më të shkurtër, varet nga trendi momental, por  merret vesh, ka përjashtime. Kurse klasikja mbetet gjithmonë ëmbëlsirë.
albinfo.ch: Cilët janë modelet më të njohura që i keni fotografuar?

Shpend Salihu: Po ka disa emra te njohur, si p.sh. Angela Martini, Modeli HUGO BOSS, Simon Cocker, koreografi i Michael Jacksonit dhe manekeni Kevin Stea, Miss Zvicra Amanda Ammann, Mister Zvicra Luca Ruch, Gina Lisa Lohfink, Petey Pablo, Peyman Amin,  DJ Tomekk,  ose presidenti i St. Gallen Thomas Scheitlin dhe shumë të tjerë. Mirëpo, konsideroj se për realizimin e një fotografie të suksesshme nuk është primare renomeja e personit në fjalë. Edhe pse është interesante të punohet me emra te njohur, në mos për asgjë tjetër, për shkak të eksperiencës së tyre artistike apo edhe jetësore.

albinfo.ch: Çfarë mendimi keni për fotografët shqiptarë?

Shpend Salihu: Mund të thuhet se ne, si popull, nuk jemi të pa traditë në këtë lëmi. Për shembull Gjon Mili ka qenë, veç tjerash, fotograf i Hollivudit, i Pikasos, apo Pjetër Marubi, etj. Në kohë të fundit kemi një plejadë të të rinjve të suksesshëm, të cilëve u dëshiroj shumë sukses.

albinfo.ch: Përpos kënaqësisë që ju ofron realizimi i fotografive, cilat janë vështirësitë që ju përcjellin në këtë profesion?

Shpend Salihu: Çfarë të them? Si në çdo profesion, nuk është edhe lehtë, ka shumë sfida, fotografia sot ka një konkurrencë enorme, sepse të gjithë kemi nga një fotoaparat në celularë. Natyrisht se ky fakt është i mirë, sepse mundëson edhe kreativitet të njëmendët. Kërkohet shumë përkushtim, dashuri, durim e të ngjashme. Mendoj se duhesh të jesh vetvetja.

Teknika nuk është parësore

Gjithçka fillon me një ide, pra duhet të kihet parasysh se çfarë porosie dëshiron të transmetosh – kur bëhet fjalë për fotografinë komerciale ose artistike. Kurse te fotoja faktografike, e ngjarjeve , e reportazhit, natyrës e të ngjashme, duhet të „vidhet“ çasti pa pasur mundësi për ndërhyrje  por po ashtu varet nga porosia që do të transmetosh. Teknika nuk është parësore, nuk është zot i fotografisë, por të lehtëson për të arritur qëllimin.