Shqipëria

Shqipëria harton protokollin e masave anti-COVID për sezonin turistik

Ndonëse situata epidemiologjike është përmirësuar, protokolli edhe për këtë sezon turistik ka mbetur pothuajse i njëjtë me atë të një viti më parë.

Ministria e Turizmit dhe Mjedisit në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale kanë hartuar protokollin e masave anti-covid për sezonin turistik 2021.

Kushtet që duhet të përmbushë një stacion plazhi në varësi të tipit, A apo B janë:

Hapësira nga çadra në çadër nuk duhet të jetë më e vogël se 3 apo 3.5 m në linjë horizontale me vijën e ujit, si dhe jo më e vogël se 3 apo 3.5 m në linjë vertikale me vijën e ujit; për çadrat dhe ndenjëset e pushuesve duhet të respektohet një distancë prej të paktën 7 metra nga vija e bregut të detit, liqenit, lumit, transmeton Euronews, përcjell Albinfo.ch.

Stacioni i plazhit duhet të ketë në dispozicion të pushuesve një dush me ujë të ëmbël për çdo 100 çadra, të pajisur me sapun dhe xhel higjienizues.

Protokolli kërkon dezinfektimin e krevateve të plazhit çdo ditë në mënyrë periodike.

Tavolinat në lokale duhet të kenë distancë jo më të vogël se 2 m nga njëra-tjetra.

Në dallim nga vera e kaluar këtë sezon pishinat do të jenë të hapura, por duke respektuar rekomandimet e protokollit.

Ato duhet të dezinfektohen çdo ditë, ndërsa shezlonget e tyre duhet të jenë të vendosur me distancë të paktën 2 metra larg nga njëri grup tek tjetri.

Në recepsionin e strukturave akomoduese, duhet të ketë solucion dezifektant me përbërje alkooli 70-85%. Gjithashtu pushuesit duhet të ruajnë distancimin fizik deri në 2 metër.

Tavolinat në bare dhe restorante duhet të vendosen në atë mënyrë që distanca nga pjesa e pasme e një karrige në tjetrën të jetë më shumë se 1m larg.

Personeli që shërben ushqimin duhet të jetë i pajisur përgjatë gjithë periudhës së shërbimit me maska. Dorezat do të vendosen sipas nevojës në rastet kur preken ushqimet.

Klientët duhet të ruajnë distancën 1.5 metra në marrjen e shërbimeve në ambientet e stacionit të plazhit apo gjatë shëtitjeve në plazhe.

Eventet e ndryshme duhet të zhvillohen në ambiente të hapura deri në 50 persona si dhe të respektohet distancimi fizik.

Gjithashtu mos harroni, shijimi i ushqimit me dorë sipas protokollit, është i ndaluar.

Çdo sipërmarrje turistike rekomandohet të afishojë masat respektive në vende qartësisht të dukshme.

Pikëpyetje ngrihen mbi faktin nëse në morinë e madhe të subjekteve që do të ofrojnë shërbime turistike, sa është kapaciteti i institucioneve për kontrollin e zbatimit të tyre.

Ndaj duke mos pritur nga shteti, qytetarët duhet të jenë vetë të ndërgjegjshëm për respektimin e protokollit me qëllim parandalimin e përhapjes së infeksionit Covid-19.