Lajme
Shqiptarët, sa afër dhe sa larg Parlamentit austriak
Ky numër i revistës albinfo.at, vjen si dosje dhe i kushtohet kryesisht pjesëmarrjes së shqiptarëve në politikën austriake
Zgjedhjet parlamentare në Austri po afrohen. Më 29 shtator votuesit austriakë do të zgjedhin 183 përfaqësuesit e tyre në parlament. Edhe pse shqiptarët prej shumë vjetësh kanë migruar në Austri dhe një numër i konsiderueshëm i tyre kanë të drejtë vote në këtë shtet, vetëm në dekadën e fundit pjesëtarë nga komuniteti ynë kanë zgjedhur t’i futen politikës për të qenë pjesë aktive e vendimmarrjes në Austri. Nuk janë të paktë ata që sot janë këshilltarë komunalë apo të niveleve edhe më të larta në secilin land të Austrisë, por deri me sot askush nuk ka arritur të zgjidhet deputet në Parlamentin Federal të këtij vendi.
Emra të njohur veprimtarësh, intelektualësh, afaristë dhe personalitete të tjera kanë provuar garën, duke qenë pjesë e listave zgjedhore për deputetë, por pa sukses. Megjithatë gjëja pozitive është që, qoftë në zgjedhjet parlamentare (Nationalratwahl), qoftë në zgjedhje rajonale (Landtagswahl) apo në ato komunale (Gemeinderatswahl), në secilën garë kemi prani të gruas shqiptare në zgjedhjet politike. Shumë gra të dalluara shqiptare janë aktive në politikë dhe institucione të ndryshme në Austri. Në zgjedhjet e 29 shtatorit garojnë po ashtu tri gra shqiptare.
Preferencat politike të shqiptarëve tash e disa vjet janë kryesisht të fokusuara në dy parti si: ÖVP (Partia Popullore e Austrisë) dhe SPÖ (Partia Social-demokrate e Austrisë). Por, sa afër dhe sa larg janë shqiptarët për të qenë pjesë e Parlamentit austriak?
Nëse e shohim në aspektin teorik, atëherë shqiptarët janë shumë afër për të pasur të paktën një deputet në parlament. Dhe kjo mundet lehtë të shihet që ditën e diel.
Në Austri mendohet se jetojnë 40-50 mijë shqiptarë me të drejtë vote. Dhe po të dalin e të votojnë shumica prej tyre, shqiptarët që ditën e hënë mund të kenë nëse jo tri kandidatet, të paktën njërën prej tyre, në parlamentin austriak. Pra, jemi shumë afër, vetëm na duhet diçka: Të dalim dhe të votojmë!
Në anën tjetër, nëse e shohim nga përvoja e zgjedhjeve të kaluara parlamentare, kjo duket të jetë fatkeqësisht ende larg. Si në të kaluarën, edhe në këto zgjedhje nuk shihet disponim i madh i shqiptarëve për të dalë me votuar. Përveç ndonjë grupi të vogël që mundohen të lobojnë për njërën apo tjetrën kandidate, ende nuk ka ndonjë organizim masiv që do të inkurajonte shqiptarët të dalin e të votojnë. Madje, ndonëse zgjedhjet në Kosovë do të mbahen tek në muajin shkurtë 2025, në bisedat brendashqiptare më shumë flitet për zgjedhjet në Kosovë sesa për zgjedhjet në Austri. E në fakt, do të duhej të ishte e kundërta.
Sidoqoftë, shqiptarët, të vlerësuar si komunitet ndër më punëtorët në Austri, nuk duhej të mjaftohen që vetëm ta meritojnë pasaportën austriake, por duhet të tregohen më të bashkuar dhe të dalin të votojnë, sepse e meritojnë të jenë pjesë e vendimmarrjes, qoftë në parlament apo në dikastere qeveritare.
Ky numër i revistës albinfo.at vjen si dosje dhe i kushtohet kryesisht pjesëmarrjes së shqiptarëve në politikën austriake.
Le të jetë kjo një nismë e jona për të bërë të mundur organizimin e komunitetit tonë shqiptar në Austri dhe thirrje për të votuar, në mënyrë që sa më shpejt të kemi edhe ne shqiptarët një deputet në Parlamentin austriak.
E-Diaspora
-
Kërkohej nga Italia si trafikant droge, kapet në Durrës 41-vjeçari shqiptar Një 41-vjeçar i shpallur në kërkim nga Italia është vënë në pranga në Durrës, përcjell albinfo.ch....
-
Daily Telegraph: 1 në 50 shqiptarë në Angli është në burg
-
Kanada
Një serial i ri amerikan me aktoren shqiptare Lyra Xhoci
-
Naim Dina u zgjodh asamblist në qytetin Renens të Kantonit Vaud
-
Presidentja Osmani takoi mërgatën në Francë
Jeta në Zvicër
-
Ushtarët zviceranë, në karantinë për shkak të norovirusit Rreth 30 ushtarë nga Grupi i Artilerisë 1 në Bière, në kantonin Vaud dhe Shkolla Shëndetësore...
-
Pas vendimit të BE-së, makinat elektrike mund të bëhen më të shtrenjta për klientët zviceranë
-
Misioni asteroid “Hera”, gati për t’u nisur me pjesëmarrjen e Zvicrës
-
Në shërbim që nga viti 1976, jep dorëheqjen kryebashkiaku më jetëgjatë i Zvicrës
-
Treni kalon aeroportin e Cyrihut, udhëtarët humbasin fluturimin