Lajme

Si u komentua nga diaspora deklarata e ministres Gervalla për vaksinim

Deklarata e ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka ngjallur shumë reagime

Në një prezantim që mbajti të martën për publikun gjermanfolës, ministrja e Gërvalla i bëri thirrje mërgatës kosovare në Gjermani që të vaksionohen pëpara se të vijnë në Kosovë për pushime.

“Deri tani kemi arritur të sigurojmë vetëm 60 mijë vaksina. E ato nuk na mjaftojnë as për dhjetë për qind të popullsisë. Tani po vjen vera dhe të gjithë do të kthehen për pushime. Prandaj, ju lutem të gjithëve para se të vijnë në Kosovë që të vaksinohen”, tha Gërvalla-Schwarz.

Kjo deklaratë e ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka ngjallur shumë reagime, shkruan albinfo.ch.

Mergimtari dhe njohësi i çështjeve të diasporës, Avni Dervishi, përkrah apelin e ministers Gërvalla për vaksinim, pasi thotë se ai edhe vetë i ka bërë apel diasporës tonë që në vend se të shkojnë fizikisht të dërgojnë para në Kosovë, të angazhohen për t’iu sigurar vaksina banorëve të Kosovës.

“Apeli që para se të shkojmë në Kosovë të vaksinohemi, sipas mendimit tim është shumë me vend. Unë p.sh. i kam marrë të dyja dozat e vaksinës Pfizer/BioNTech dhe tash udhëtoj shumë më lirshëm. Diaspora, shpresoj që të vaksinohet sa më shumë, e pastaj të shkojë në Kosovë. Të gjithë e dimë se tashmë janë lehtësuar mundësitë për neve që jetojmë në vendet perëndimore që të vaksinohemi e nuk ka kurrfarë kuptimi që të mos vaksinohemi nëse ia duam të mirën familjes, farefisit, miqve e vendlindjes tonë. Prandaj, shumë mirë ka thënë ministrja për Punë të Jashtme e Diasporës, znj.Gërvalla”, ka thënë Avni Dervishi për albinfo.ch.

Ndërsa, politikani shqiptar në Zvicër, asamblist në Parlamentin e Qytetit të Cyrihut, Përparim Avdili, thotë që Ministria e Jashtme e Kosovës duhet të qartësojë kushtet konkrete rreth ardhjes së diasporës për pushime, përndryshe një deklaratë jo konkrete ‘e merr era’.

“Vaksinimi pa dyshim që ndikon në parandalimin e dëmeve shëndetësore për çdokënd, prandaj dhe është me rëndësi të madhe që Diaspora të vaksinohet si qytetarë të vendeve ku jetojnë. Gjithashtu vaksinimi ne mase ne shoqeri mundeson edhe lehtesimin e masave, nga te cilat perfitojme te gjithe bashke. Ministria e Jashtme e Kosoves duhet te qartesoj se a parasheh kushte konkrete ne lidhje me ardhjen e mergimtareve ne pushimet verore, pra nese parasheh hyrjen pa karantine per te vaksinuarit. Ndryshe nje deklarate, qe nuk konkretizohet me kerkese te qarte, e merr era”, thotë Përparim Avdili në një prononcim për albinfo.ch.

Ndryshe, gazetarja Mirjeta Dervishi Sadiku, përmes një shkrimi në Facebook, e ka konsideruar si të paarsyeshme deklaratën e ministers Gërvalla, derisa ka ironizuar me atë se ku qëndron Kosova me procesin e vaksinimit.

“E dashura ministre Donika Gërvalla! E pashë kërkesën që kishit bërë për diasporën që të vaksionohen para se të vijnë në Kosovë! Me pas fol dikush tjetër, e kisha arsyetuar, po ty në këtë rast aspak. Ti e di mirë që këtu është njëfarë rendi kush të marrë vaksinën, e jo pse keni thënë ju. Askush nga diaspora nuk dëshiron të sjellë rrezik dhe t’i dëmtojë familjarët, por u bë kohë e gjatë e i ka kaplu malli… Njëmend me vaksina Kosova ke më së miri e veç po e pritni diasporën me certifikata të verdha aaa!? E dimë që s’e ke për të keq, por ashtu po na tingllon. Të përshendet një ‘gërrnaqe’ që testohet dy herë në javë për Covid 19 e që pret me padurim ditën të vijë në Kosovë. Vaksinën e kam refuzuar në fillim të janarit, sepse nuk dinim për pasojat (u flitke për do ‘çipa’ që Amerika po na i vnon…🤣) a i plotësoj kushtet të ateroj në Sllatinë?”, ka shkruar ajo.

Rreth kësaj deklarate, albinfo.ch, ka shpërëndarë në rrjetet sociale një anketë ku ka pyetur diasporën se si e komentojnë këtë deklaratë. Disa nga ta e kanë mbështetur këtë apel, ndërsa të tjerë e kanë komentuar në forma të ndryshme. Këto janë disa nga komentet e tyre:

K.M, “Mua për vete me erdhi mirë kjo lutje e Gërvallës, sepse dihet se Kosova nuk po ka mundësi të luftoj virusin, kështu që ne që jemi në Europë mundemi të vaksinohemi…”.

A.S, “Rrespekt..! kjo eshte per te miren tone..!!”

K.P, “A e keni vaksinuar ju popullaten në Kosovë!? Mos mbani dertin e të tjerve.”

I.H, “Nuk varet prej neve ,edhe ju lutem të gjithë ju që jeni në Kosovë të vaksinoheni.”

H.A.XH, “Është cështje personale, secili duhet të vendosë vet se a don te mar vaksinë apo jo!”

Z.H, “Kujdesi ndaj vendit ndryshe nuk tregohet.”

https://www.facebook.com/albinfo.ch/photos/4096591360380214

Gjatë prezantimit para publikut gjermanfolës, ku edhe u tha deklarata e komentuar për vaksinim të diasporës para se të vijnë në Kosovë, ministrja Gërvalla diskutoi edhe mbi çështje të tjera, si luftimi i korrupsionit, normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë, statusi për kandidat në BE, e shumë të tjera, megjithatë deklarata për vaksinim mori vëmendjen e publikut, e në veçanti atë të diasporës.//Albinfo.ch