Koronavirusi: çast pas çasti

Sondazhi i bankës zvicerane: Cilat janë shqetësimet e të pasurve

Në SHBA, 82% e investitorëve ndihen se jeta e tyre ka ndryshuar përgjithmonë

Pasojat e koronavirusit kanë shkaktuar panik tek të pasurit në botë dhe shumica e tyre po planifikojnë të shkurtojnë udhëtimet e të zhvendosen pranë familjeve të tyre, në një botë të cilën ata e shohin të ndryshuar në mënyrë të përhershme.

Më shumë se 50% e të anketuarve në sondazhin e bankës zvicerane UBS, ndaj investitorëve të pasur, shqetësohen se nuk kanë likuiditet mjaftueshëm në rast të një tjetër pandemie, ndërsa një përqindje e ngjashme shqetësohet se nuk do t’i lënë mjaftueshëm para trashëgimtarëve.

“Në SHBA, 82% e investitorëve ndihen se jeta e tyre ka ndryshuar përgjithmonë”, deklaroi njësia e planifikimit të pasurisë së UBS.

Megjithatë, klasa e varfër dhe punëtore kanë mbajtur barrën kryesore të Covid-19, që ka sjellë tkurrjen më të keqe ekonomike që prej Depresionit të Madh.

Tek investitorët e pasur, 70% e të anketuarve thanë se janë ndikuar financiarisht nga pandemia dhe 36% e tyre folën për një ndikim të madh. Investitorët e rinj janë ndikuar në mënyrë jo të barabartë nga Covid-19. Mbi 70% e të pasurve që i përkasin gjeneratës “millenials”, thanë se financat janë ndikuar nga pandemia dhe një përqindje e ngjashme u përgjigjën se duhet të punojnë shumë për të kompensuar humbjet, transmeton Scan.  Pavarësisht dëmeve në pasuri, shumica e investitorëve të pasur i shohin luhatjet e fundit në tregjet e kapitalit si një mundësi për blerje, përcjell albinfo.ch.

“Një pjesë e investitorëve u tërhoqën nga titujt e kapitalit dhe 60% e tyre janë penduar”, deklaroi njësia e hulumtimit të klientit e UBS.

Përveç investimeve, personat e pasur presin të bëjnë ndryshime të përhershme në stilin e jetesës prej koronavirusit.

Mbi 2/3  janë përgatitur të punojnë në distancë, ndërsa 70% presin më pak udhëtime në të ardhmen.

Evropianët e pasur shprehën dëshirën për t’u larguar nga qytetet e populluara.