Kosova

Sot pritet të nënshkruhet marrëveshja për formimin e Qeverisë

Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës sot pritet të nënshkruajnë marrëveshjen për bashkëqeverisje, një ditë para mbajtjes së seancës së Kuvendit të Kosovës, në të cilën pritet të votohet Qeveria me kryeministër Albin Kurtin.

Pas më shumë se dy muaj bisedimesh sot do të marrë fund saga e takimeve të vështira në mes të krerëve të Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës me një marrëveshje për koalicion qeverisës midis këtyre dy subjekteve politike.

Marrëveshja, që pritet të nënshkruhet sot, është paralajmëruar gjatë së shtunës nga përfaqësues të dy subjekteve politike. Ishte LDK ajo që dje mblodhi krerët e partisë në një takim, në të cilin duket se u arrit ujdia që të ndajnë përgjegjësitë e qeverisjes me LVV-në, në atë mënyrë që të dy subjektet do të lëshojnë pe nga qëndrimet e tyre të deritashme, shkruan Telegrafi.

Sipas nënkryetarit të LDK-së, Lutfi Haziri, i cili foli dje pas takimit konsultativ, tashmë marrëveshja me LVV-në është shumë afër, duke thënë se LVV do të udhëheqë me Qeverinë, kurse LDK do të ketë kryetarin e Kuvendit.

Sipas kësaj, i bie që LVV është pajtuar që kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, të japë dorëheqje për t’ia lënë këtë post kandidatit të LDK-së.

Arritjen e marrëveshjes, nënshkrimi i së cilës pritët të ndodhë sot, e kanë paralajmëruar edhe zyrtarë të tjerë të lartë nga VV dhe LDK.

Telegrafi merr vesh nga burime brenda dy subjekteve politike se LVV dhe LDK janë marrë vesh që Qeveria Kurti të ketë 15 ministri e jo 12, për çfarë ishin zotuar e dakorduar gjatë harmonizimit të programit qeverisës.

Mësohet se të dy subjektet do të udhëheqin me nga 6 ministri, ndërsa 3 ministri do t’u takojnë komuniteteve joshumicë në Kuvend. Gjithashtu LVV dhe LDK janë pajtuar që për postin e Presidentit, të cilin synon ta marrë LDK-ja, të bisedohet pas një viti.

Në bazë të marrëveshjes, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, do të japë dorëheqje nga ky post pasi të votohet Qeveria Kurti, pjesë e së cilës do të jetë edhe Konjufca.

Mirëpo, para se të ndodhë takimi i Albin Kurtit dhe Isa Mustafës dhe nënshkrimi i marrëveshjes për bashkëqeverisje mes dy subjekteve politike, dy partitë do të mbledhin Këshillat e Përgjithshëm, aty ku do të prezantohet marrëveshja në parim, ndërkaq që ky organ pritet ta votojë formalisht atë.

Mbledhja e Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së pritet të fillojë në orën 13:00, ndërkaq që nuk dihet se kur do ta bëjë këtë Vetëvendosja.

I mandatuari për kryeministër, Albin Kurti, sot do të ketë takim edhe me përfaqësues të komuniteteve pakicë në Kosovë, ku nuk përfshihet Lista Serbe, me të cilët pritet të arrijë marrëveshjen për bashkëqeverisje.

LVV dhe LDK gjatë fushatës në zgjedhjet e parakohshme nacionale të 6 tetorit 2019, në të cilat LVV doli e para, ishin zotuar se me të përfunduar zgjedhjet do të zyrtarizonin koalicionin  qeverisës. Por, ndonëse grupet punuese të dy subjekteve politike nuk patën telashe në harmonizimin e programit qeverisës, problemet u shfaqën kur erdhi puna te ndarja e kulaçit të pushtetit.

Të përkujtojmë se 3 shkurti është caktuar që të mbahet seanca e Kuvendit të Kosovës për votimin e qeverisë së re të vendit.

Kryesia e Kuvendit ka miratuar kërkesën për seancë, të bërë nga Kurti, i cili është mandatar për formimin e kabinetit të ri qeverisës, shkruajne mediat kosovare, përcjell albinfo.ch.