Integrimi

Studentët shqiptarë të Fribourg-ut, një lindje e vrullshme pas shuarjes

Rilindja e Shoqatës së Studentëve Shqiptarë në Universitetin e Fribourg-ut: ndryshim gjeneratash njëkohësisht ndryshim edhe vizioni?

Capture d’écran 2015-02-04 à 09.53.04 Capture d’écran 2015-02-04 à 09.53.13 Capture d’écran 2015-02-04 à 09.53.21

Virtus Scientia është motoja e shoqatës së studentëve shqiptarë në Universitetin e Fribourg-ut (AEAF/SHSSHF) e cila është paraqitur edhe në logon e saj. Dituria është virtyt, përkthimi literal në shqip, që referohet edhe si dija është fuqi. Por shpesh dituria është vetëm fuqi latente. Ajo bëhet fuqi aktive vetëm atëherë kur organizohet në kuadër të planeve të definuara të veprimit dhe kur drejtohet nga qëllimi final. Le të zbulojmë më në detaje cila është praktika e kësaj filozofie që karakterizon këtë shoqatë dhe si e shohin studentët konkretizimin e saj.

E krijuar fillimisht në mars 1997, shoqata numëronte rreth 30 studentë shqiptarë të ardhur kryesisht nga vendlindja. Asaj i ishte atribuuar si qëllim që krahas aktiviteteve me karakter akademik, të promovojë kryesisht vlerat dhe kulturën shqiptare në shoqërinë zvicerane. Viti 1999, që përkonte me luftën në Kosovë, implikoi shoqatën në manifestime pranë institucioneve ndërkombëtare duke denoncuar gjenocidin serb. Kjo shoqatë krijoi bashkëpunim të ndërsjellë edhe me shoqatat simotra të Gjenevës dhe Lozanës, deri në vitin 2007, kur u detyrua të ndalë aktivitetet e saj për shkak të reduktimit të numrit të studentëve shqiptarë në këtë universitet, në më pak se 10.

Riaktivizimi

Në mars 2012, shoqata u riaktivizua pasi numri i studentëve në dyert e Universitetit të Fribourg ishte rritur ndjeshëm. Plot 80 të tillë frekuentonin këtë universitet, kësaj here kryesisht nga gjenerata e dytë. Çdo vit numri i tyre ka pasur një rritje eksponenciale me mesatarisht 35 persona, duke e çuar numrin total në shtator 2014 në 181 studentë shqiptarë. Thënia e Benjamin Franklin “an investment in knowledge pays the best interest” karakterizon në mënyrë adekuate këtë fenomen.

Kryesi pa kryetar

Në dallim nga kryesia e mëparshme e periudhës 1997-2007, kryesia aktuale nuk ka kryetar, të gjithë anëtarët e kryesisë janë me të drejta të barabarta dhe vendimet merren në mënyrë kolegjiale. Është kjo risia e parë që na sjell kjo shoqatë. Për më shumë, instaurimi i Këshillit Strategjik të SHSSHF ka për qëllim përfshirjen në këtë organ të ish-studentëve të diplomuar të shoqatës që tashmë ushtrojnë profesionet në profilin e tyre, duke krijuar në këtë mënyrë një urë lidhëse mes botës së punës dhe dyerve të universitetit, një sinergji që i jep shoqatës një dimension tjetër.

Aktivitetet: “Ndryshimi vjen nga vetja pastaj nga shoqëria

Përveç aktiviteteve të tipit akademik, kulturor dhe promovimin e turizmit në Shqipëri që karakterizojnë SHSSHF, ajo ka ndërmarrë edhe veprimtari të tjera. Shembull është aksioni humanitar i ndërmarrë së bashku me dy shoqata tjera të kantonit të Fribourg-ut për ndërtimin e një shtëpie për një familje të varfër në Kosovë nga të ardhurat e fituara nga organizimi i festës së 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë.

Gjithashtu SHSSHF ka reaguar nëpërmes një komunikate zyrtare prej 13 pikash dhe 17 faqesh dërguar UEFA-s të nesërmen e incidenteve të ndeshjes Serbi-Shqipëri. Duke përdorur argumente profesionale juridike dhe duke denoncuar difamacionin e ngjarjeve nëpër media, SHSSHF kërkoi nga komisioni i disiplinës që të merret një vendim sa më i drejtë duke iu përmbajtur aspektit sportiv dhe jo natyrës politike.

Hapje ndaj shoqërisë zvicerane

Veçantia tjetër e kësaj shoqate konsiston në hapjen drejt aktorëve të tjerë, duke implikuar edhe studentë zviceranë në aktivitetet e saj. Futja e një serie shërbimesh në fushën e këshillave juridike, ekonomike dhe biznesit, informatikës ka për synim ndihmën reciproke me firmat dhe individët e tjerë duke rritur edhe cilësinë e integrimit të komunitetit shqiptar në shoqërinë zvicerane. Nga njëra anë studentët vënë në praktikë njohuritë teorike dhe fitojnë eksperiencën e parë të punës dhe nga ana tjetër subjektet e ndryshme përfitojnë nga këto shërbime me çmime më të ulëta se tregu.

Aktivitetet e mësipërme si dhe iniciativa për të regjistruar të gjithë studentët shqiptarë që studiojnë nëpër universitetet e ndryshme në Zvicër, kanë ngjallur edhe interesimin e medieve zvicerane. Gazeta prestigjoze “La liberté” i ka dedikuar një artikull kësaj shoqate ku njeh publikun frankofon me veprimtarinë dhe vizionin e saj.

Në kuadër të objektivave të saj për të përmirësuar imazhin e komunitetit shqiptar në Zvicër, SHSSHF organizoi më 11 dhjetor një mbrëmje filmi dhe debati. Shfaqja e dokumentarit “Shqiptarët e mirë” nuk ngeli vetëm në aspektin ekspozues. Zhvillimi i tryezës së rrumbullakët me të ftuarit Dr. Fitim Cuculi, Driton Komani, Miranda Ademaj etj. kishte për qëllim të sjellë raste tjera konkrete të suksesit të shqiptarëve në Zvicër për mysafirët shqiptare dhe zviceranë.

Në këtë mënyrë shoqata e studentëve të Fribourg-ut kalon nga veprimtaritë e natyrës ekspozuese të aktiviteteve të saj në veprimtari implikuese interaktive.

Studentët, debat për imazhin e shqiptarëve në Zvicër

SHSSHF organizoi më 11 dhjetor një mbrëmje filmi dhe debati. Shfaqja e dokumentarit “Shqiptarët e mirë” nuk ngeli vetëm në aspektin ekspozues. Zhvillimi i tryezës së rrumbullakët me të ftuarit Dr. Fitim Cuculi, Driton Komani, Miranda Ademaj etj. kishte për qëllim të sjellë raste tjera konkrete të suksesit të shqiptarëve në Zvicër për mysafirët shqiptare dhe zviceranë.