E-Diaspora

“Studenti” i Cyrihut, shoqata me më së shumti studentë shqiptarë

Në vitin 2000 në Universitetin Cyrihut ishin duke studiuar rreth 35-40 studentë shqiptarë, ndërsa sot janë rreth 400. “Studenti” i themeluar atëbotë, vazhdon punën duke sjellë një frymë të re dhe më aktive

Kur përmendim fjalën Universitet, të gjithëve na kujtohen librat, mësimet, leximet e provimet që kur afrohej koha e tyre nuk ndjeheshim edhe shumë rehat.

Në anën tjetër të jesh student jashtë vendit ku ke lindur dhe je rritur është krenari e sidomos të studiosh në universitetet e Zvicrës, të cilat njihen për kualitetin e tyre në botë.

Në vitin 2000 në Universitetin Cyrihut ishin duke studiuar diku rreth 35-40 studentë shqiptarë. Me kalimin e kohës, numri i tyre rritet gjithnjë e më shumë.

Edhe pse numër i vogël, asokohe studentët shqiptarë ishin bërë bashkë dhe kishin themeluar shoqatën “Studenti”. Kishte pasur edhe më herët përpjekje nga shqiptarët që të themelojnë një shoqatë të tillë.

“Themelimi i shoqatës ishte si përgjigje e studentëve të asaj kohe që të bëhen bashkë dhe të organizohen brenda STUDENT-it. Duhet cekur se ka pasur edhe më herët përpjekje për të krijuar shoqatën, por për arsye të ndryshme nuk është arritur. “Studenti” është themeluar në vitin 2000. Atëbotë në universitetet e Cyrihut studionin diku rreth 35-40 studentë shqiptarë kurse shoqatën e kanë themeluar mbi 20  anëtarë. Ndër themeluesit kanë qenë (lista nuk është e plote): Muhamet Ilazi, Sefer Gashi, Sami Kurteshi, Ilir Daljipi, Luljeta Aliu, Akibe Pajazit, Gazdmend Dauti, Artan Kurtish, Naser Morina, Kujtim Azemi, Bekim Osmani, Qefsere Osmani, Fadil Salihaj, Alban Nevzati, etj.” thotë njëri ndër themeluesit e kësaj shoqate, Naser Morina.

Kryetar i parë ka qenë Ilir Daljipi

Kryetar i parë i saj kishte qenë, Ilir Daljipi e që tani është avokat në Cyrih, kurse një ndër qëllimet kryesore për themelimin e një shoqate siç është “Studenti” ishte bashkimi i studentëve me prejardhje shqiptare.

“Qëllimi i shoqatës ka qenë, bashkimi i studentëve me prejardhje shqiptare që studiojnë në Cyrih, mbrojtja e interesave të anëtarëve pranë organeve universitare, nxitja e kontakteve të studentëve përmes organizimeve të ndryshme si dhe kultivimi i kontakteve me shoqata simotra”, thotë Morina.

Tash që jemi në prag të 2015, e  kjo shoqatë vazhdon me sukses organizimet e ndryshme, z. Morina si njëri nga themeluesit e saj është tejet i kënaqur me punën që vazhdon ta bëjë shoqata. Ai thotë se është inkurajuese kur e sheh një frymë të re të organizimit nga studentët e rinj.

“Është inkurajuese kur e sheh tani një frymë të re të organizimit të shoqatës, njëkohësisht duke u bazuar në vlerat tradicionale shqiptare duke e ruajtur qëllimin kryesor të shoqatës, bashkimin e studentëve me prejardhje shqiptare, sidomos kur e ke parasysh që tani shumica kanë lindur këtu” thotë z. Morina që tanimë punon në spitalin universitar si psikoterapeut dhe punëtor shkencor.

Kryetari dhe kryesia e kësaj shoqate zgjidhen për çdo vit, kurse  kryetare aktuale e “Studenti-t” është Vjosa Ismaili e cila është studente për ekonomi me origjinë nga Tetova.

Në Cyrih studiojnë rreth 400 studentë shqiptarë

Sipas saj numri i studentëve shqiptarë nuk dihet i saktë por janë diku rreth 400 e-mail adresa që pranojnë studentët nga shoqata. Ndërsa edhe për drejtimet ku studiojnë  studentët shqiptarë, nuk ka një të dhënë zyrtare, por ajo mendon se është ekonomiku dhe tregtia drejtime që mbizotërojnë.

“Përshtypje imja personale është se studentë shqiptarë më shumë ka në drejtimet si ekonomi dhe tregti, mirëpo kjo është vetëm një përshtypje e imja, që nuk mund ta mbështes në fakte” thotë Vjosa Ismaili.

Ajo thotë më tutje se shoqata “Studenti” ka ndikuar shumë që studentët me prejardhje shqiptare të jenë më të bashkuar, dhe jo vetëm studentët nga Cyrihu por edhe studentë nga universitetet e kantoneve tjera.

“Normalisht ka ndikuar shumë, sepse shumica që janë rritur këtu, si për shembull edhe unë që kam kryer gjimnazin këtu, në gjimnaz më shumë kam pasur kontakte me zviceranë, në klasë kam pasur vetëm një shqiptar, kurse në fakultet vijnë shqiptarë nga kantone të ndryshme dhe shoqata ka ndikuar mjaft që të njihemi me njëri tjetrin” tha studentja Vjosa. 

Themelimi i “Rrjetit të studentëve”, një nga synimet  e shoqatës

 Kohët e fundit është krijuar një ekip prej 6 studentëve shqiptarë që kanë marrë për detyrë të bëjnë rrjetëzimin e të gjitha shoqatave studentore dhe të rinjve shqiptarë në Zvicër. Një hap i tillë është realizuar në Austri, kurse do të vazhdojë edhe në shtetet e tjera ku ka një përqendrim më të madh studentësh shqiptarë. “Ne kemi bashkëpunim edhe me shoqatat tjera që shqiptare në kantone të tjera të Zvicrës, dhe rrjetëzimi është një qëllim që e kemi për të ardhmen. Ne studentët e shohim si diçka të arsyeshëm dhe jo si diçka që lidhet me kontratë nga jashtë” tha studentja e ekonomisë, Vjosa Ismaili.

Disa organizime tradicionale

 Shoqata “Studenti” bën organizime të ndryshme gjatë vitit, ndërsa si organizime tradicionale te kjo shoqatë është bërë “Sofra studentore” që mbahet në pranverë. Pastaj në shtator mbahet organizimi “Old meet young”, ku studentët  e vjetër takojnë “brucoshët”. Në vjeshtë mbahet edhe një ligjëratë me një temë të caktuar mbi çështjet shqiptare, si dhe festa “28 Nëntori”. Por këtyre organizimeve këtë vit i është shtuar edhe organizimi i një mbrëmje filmi, ku kësaj radhe studentët kishin parë filmin “Skënderbeu” dhe filmin gjerman “Der Albaner”.