Lajme

Temperaturat do të rriten sërish në Zvicër

Pas një freskimi të shkurtër, Zvicra pritet të përballet sërish me temperatura shumë të larta. Meteorologët paralajmërojnë se vala e të nxehtit do të rikthehet në mes të javës së ardhshme, me temperatura që në shumë rajone mund të kalojnë 35 gradë Celsius, transmeton albinfo.ch.

Sipas parashikimeve, periudha e motit më të freskët do të zgjasë vetëm pak ditë, ndërsa nga mesi i javës temperaturat do të fillojnë të rriten ndjeshëm. Në shumë zona priten edhe të ashtuquajturat “net tropikale”, kur temperaturat gjatë natës nuk bien nën 20 gradë Celsius.

Ekspertët e motit thonë se aktualisht nuk ka shenja për një ftohje të konsiderueshme. Vetëm disa stuhi të izoluara në rajonet malore mund të sjellin lehtësim të përkohshëm nga i nxehti.

Vala aktuale e të nxehtit është pjesë e temperaturave ekstreme që kanë përfshirë një pjesë të madhe të Evropës gjatë ditëve të fundit, duke thyer rekorde në disa shtete dhe duke rritur rrezikun për shëndetin, sidomos për të moshuarit, fëmijët dhe personat me sëmundje kronike.

Autoritetet rekomandojnë që qytetarët të shmangin ekspozimin në diell gjatë orëve më të nxehta të ditës, të konsumojnë sa më shumë lëngje dhe të kujdesen veçanërisht për personat më të rrezikuar nga temperaturat e larta.